Bota 22 Shkurt 2026, 09:32 Nga VNA

Kosova ëndërron ekonominë moderne

Ndaje në Whatsapp
Kosova ëndërron ekonominë moderne

Kosova promovon vizionin për ekonomi digjitale dhe inteligjencë artificiale, por bizneset përballen me mungesë uji, çmime të larta të energjisë dhe infrastrukturë të dobët.

Ekspertët paralajmërojnë se pa stabilitet institucional, investime në arsim dhe kushte më të favorshme për biznesin, ambiciet për transformim ekonomik rrezikojnë të mbeten vetëm deklarata.

Nga Emiratet e Bashkuara Arabe - vendi me një nga ekonomitë më të fuqishme dhe më dinamike në Lindjen e Mesme, i ndërtuar mbi investime afatgjate në infrastrukturë, teknologji dhe zhvillim të aftësive - presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e prezantoi Kosovën si një ekonomi të disiplinuar dhe të gjallë, të mbështetur në reforma dhe sundim të ligjit, mikpritëse për investitorët dhe të hapur ndaj partneriteteve globale.

Me 1.5 milion banorë dhe me një popullsi të re, Kosova ka parë zhvillim ekonomik në vitet e fundit, i cili është reflektuar në dyfishimin e prodhimit të brendshëm bruto brenda një dekade, si dhe në rritjen e punësimit dhe të investimeve.

Osmani, në fjalimin e saj në Samitin e Qeverive Botërore, që u mbajt në fillim të këtij muaji në Dubai, e përshkroi këtë rrugëtim si një transformim të jashtëzakonshëm nga një vend i shkatërruar nga lufta, dhe tha se Kosova tani është gati për “ekonominë e gjeneratës së ardhshme” - e hapur për bashkëpunim dhe e përkushtuar ndaj inovacionit dhe inteligjencës artificiale.

“Suksesi ekonomik i çdo vendi varet kryesisht nga kapitali i tij njerëzor. Nga perspektiva e Kosovës, rritja e ekonomisë së gjeneratës së ardhshme mbështetet në tri shtylla që forcojnë njëra-tjetrën: njerëz të fuqizuar, institucione të forta dhe sektor privat dinamik”, tha Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, premtoi gjithashtu se, gjatë mandatit të ri qeverisës, transformimi digjital i vendit nuk do të mbetet thjesht slogan, por do të shërbejë edhe si motor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ai paralajmëroi mbështetje të re për të nxitur investimet dhe për të forcuar sektorin prodhues në vend.

“Përgjatë katër vjetëve në vazhdim, do të investojmë rreth 1 miliard euro në prodhim përmes garantimit të kredive për investitorët. Pra, do të vëmë në dispozicion 1 miliard euro garanci sovrane, të cilat shërbejnë si hipotekë për të garantuar investimet private në fabrika dhe në prodhim”, tha Kurti gjatë prezantimit të programit qeveritar më 11 shkurt.

Në terren, realiteti mbetet ende larg këtyre ambicieve të deklaruara. Institucionet shpesh nuk arrijnë të mbajnë hapin as me sfidat e ekonomisë tradicionale, duke i lënë bizneset të përballen me çmime të larta të energjisë, mungesë infrastrukture dhe pengesa të tjera operative.

Kujtim Gjevori mbikëqyr çdo ditë linjat e prodhimit në fabrikën e tij të qeseve të najlonit, në Parkun e Biznesit në Drenas, ku rreth 100 punëtorë varen nga stabiliteti i këtij biznesi. Por, në vend që të fokusohet në zgjerim e rritje, ai thotë se gjithnjë e më shumë energji dhe burime i shkojnë për të përballuar kostot e larta të rrymës dhe problemet bazike infrastrukturore.

Kalimi i Kosovës në tregun e hapur të energjisë i ka rritur ndjeshëm shpenzimet e kompanisë së tij, duke e detyruar t’i shtyjë planet për investime për së paku dy vjet.

Për Gjevorin, kjo nuk është vetëm çështje biznesi, por një zinxhir mundësish të humbura - prodhim që nuk është rritur, vende pune që nuk janë hapur dhe eksporte që kanë mbetur vetëm në plan.

“Ne e dimë që Evropa ka një treg të liberalizuar të energjisë elektrike. Por, le ta shohim me numra: më parë, ne e paguanim energjinë elektrike 80 euro për megavat, ndërsa Evropa 110 euro. Sot, ne paguajmë 280 euro, ndërsa Evropa vazhdon të paguajë 110-120 euro. Kjo paraqet një sinjal të qartë paralajmërues për investitorët e huaj”, thotë Gjevori për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Vitin e kaluar, bizneset e mëdha në Kosovë kaluan në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike, ku çmimet nuk vendosen më nga shteti, por nga oferta dhe kërkesa. Ky vendim u kundërshtua nga shumë kompani, të cilat paralajmëruan për rritje dramatike të faturave dhe kërkuan shtyrje për një vit, derisa tregu të përgatitej, por kjo nuk ndodhi.

Gjevori thotë se sfidat, përveçse me çmimin e lartë të energjisë, lidhen edhe me ndërprerjet e shpeshta të rrymës. Problemet infrastrukturore shtrihen, pastaj, edhe te furnizimi me ujë, pasi kyçjet ilegale në rrjet shkaktojnë ndërprerje që i lënë bizneset pa furnizim. Për rrjedhojë, kompania e Gjevorit është detyruar të improvizojë zgjidhje.

“Ne kemi marrë kazanë, i kemi mbushur, i kemi rimbushur... Pastaj kemi ndërtuar edhe bunar personal, të cilin e shfrytëzojmë kur ndalet uji”, thotë Gjevori.

Ujë dhe rrymë pamjaftueshëm, por edhe fuqi punëtore e papërgatitur, sipas Mejdi Bektashit. Eksperti i ekonomisë thotë se ky kombinim e bën të pamundur që Kosova të kapë hapin shpejt me ekonomitë e teknologjisë së lartë.

“Viteve të fundit, në testimet e ndryshme që i bëjnë organizatat kredibile ndërkombëtare si PISA, ne kemi rënë thuajse në fund të listës botërore. Është shumë problem që me këtë përgatitje, ose me investime thuajse minimale në sektorin e arsimit, ne të nxjerrim kuadro për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë informative”, thotë Bektashi.

Në fakt, sektori i teknologjisë informative në Kosovë është një nga pak fushat me bilanc tregtar pozitiv: eksportet e shërbimeve TIK arritën mbi 185 milionë euro vitin e kaluar, ndërsa importet ishin rreth 45 milionë.

Por, edhe sipas Arian Zekës, nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ky sukses mbetet i kufizuar dhe nuk reflekton gjendjen e përgjithshme të ekonomisë.

Viteve të fundit, rritja ekonomike në Kosovë ishte relativisht e qëndrueshme - midis 3 dhe 4 për qind, por Zeka thotë se ky ritëm nuk është i mjaftueshëm për të mbështetur ambiciet për transformim digjital dhe zhvillim të industrive të avancuara.

Ai shton se këtij potenciali i kundërvihen edhe faktorë të jashtëm, si marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë, por edhe paqëndrueshmëria e brendshme politike, siç u pa gjatë vitit të kaluar.

“Unë, personalisht, di një rast nga viti i kaluar, kur një konsorcium vendor e ndërkombëtar në fushën e energjisë ka vendosur ta zhvendosë investimin në Shqipëri, në pamundësi që kërkesa e tij të trajtohej me pak më shumë seriozitet nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thotë Zeka për Exposenë. /REL 

Video

Video e vrasjes së ish-gardianit të burgut 313 Egli Pashollari. Autori i dyshuar vijon të jetë ende në kërkim.

Një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale duket se tregon Lionel Messin teksa mbahet nga shoku i skuadrës, Luis Suárez, pas humbjes së rëndë të Inter Miami në MLS ndaj Los Angeles FC. Pas përfundimit të ndeshjes, pamjet tregojnë një Messi të acaruar teksa i drejtohet arbitrave. Sipas gazetarit Giovanni Guerrero nga STV Deportes, argjentinasi ishte i pakënaqur me gjykimin. Në video shihet momenti kur Suárez ndërhyn për ta qetësuar dhe për ta larguar nga zyrtarët e ndeshjes.

Iran/ Studentët brohorasin: “Kjo është beteja përfundimtare, Pahlavi do të rikthehet” gjatë protestave kundër qeverisë këtë mëngjes në Ferdowsi University of Mashhad në verilindje të Iran.

Në zonën e Baks-Rrjollit, në Shkodër, pas protestave kundër punimeve të firmës Gener 2, Policia ndaloi Prekë Mollën (P. M., 60 vjeç) dhe shpalli në kërkim pesë persona të tjerë. Ata dyshohen se kanë goditur një punonjës të firmës, kanë kanosur një efektive policie dhe kanë dëmtuar mjete pune, duke thyer xhamat e një eskavatori dhe një foristrade. Një banore e zonës tha se protesta ishte reagim i komunitetit për mungesë transparence mbi projektin. Policia vijon punën për kapjen e personave në kërkim dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme