
Ish-zëvendëspresidentja e SHBA, Kamala Harris, ka lënë të hapur mundësinë e rikandidimit për presidente në vitin 2028.
Deklarata u bë gjatë një eventi të organizuar nga një grup për të drejtat civile, ku Harris iu përgjigj një pyetjeje të drejtpërdrejtë lidhur me planet e saj politike të ardhshme.
Ajo mori pjesë në aktivitetin e National Action Network, një organizatë e themeluar nga Reverend Al Sharpton, në Nju Jork. Gjatë diskutimit, kur u pyet nëse synon të rikandidojë për Shtëpinë e Bardhë, Harris u shpreh: “Ndoshta. Po mendoj për këtë”, duke shkaktuar reagime dhe brohoritje nga të pranishmit.
Ajo shtoi se çdo vendim i mundshëm do të varej nga vlerësimi se kush është personi më i përshtatshëm për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara në vitin 2028.
Harris shërbeu si nënpresidente në administratën e Joe Biden dhe u kandidua nga Partia Demokratike në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, të cilat i humbi ndaj Donald Trump, i cili fitoi si votën popullore ashtu edhe Kolegjin Zgjedhor. Më herët, ajo ka mbajtur postin e senatores amerikane dhe prokurores së përgjithshme të Kalifornisë, si dhe ka garuar pa sukses për nominimin demokrat në vitin 2020.
Një kandidim i mundshëm në vitin 2028 mund të përballet me sfida brenda Partisë Demokratike, në një kohë kur sondazhet tregojnë se një pjesë e votuesve kërkojnë figura të reja në lidership pas humbjes së vitit 2024.






















