
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar sërish përmes platformës së tij “Truth Social”, në një kohë kur në Islamabad po zhvillohen bisedime të nivelit të lartë mes delegacioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Në reagimin e tij, Trump ka përsëritur deklaratat e mëparshme se SHBA-të kanë shkatërruar pothuajse plotësisht kapacitetet ushtarake të Iranit, duke përfshirë, sipas tij, “Marinën, Forcën Ajrore dhe çdo komponent tjetër të ushtrisë iraniane”, si dhe “çdo gjë tjetër” që lidhet me strukturat e saj mbrojtëse.
Ai gjithashtu ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit “do të hapet shumë shpejt”, duke e paraqitur këtë si një zhvillim të afërt dhe të pritshëm. Sipas tij, aktualisht anije cisternash bosh që transportojnë naftë janë duke u nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të ngarkohen me naftë.
Trump ka përmendur gjithashtu ekzistencën e një armëpushimi të kushtëzuar dyjavor me Iranin, duke theksuar se është arritur një marrëveshje për pezullimin e bombardimeve, nëse Teherani pranon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare strategjike për transportin e naftës në nivel global.
Nga ana tjetër, sipas informacionit të raportuar, Teherani e kishte bllokuar më herët këtë rrugë ujore pas sulmeve ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli më 28 shkurt.






















