Sociale 18 Korrik 2025, 12:01 Nga VNA

Betonizimi i një lulishteje i nxjerr bojën aksionit për çlirimin e hapësirave publike

Ndaje në Whatsapp
Betonizimi i një lulishteje i nxjerr bojën aksionit për

Një lulishte me vlerë sociale dhe simbolike në zemër të Kukësit po betonizohet me bekimin e bashkisë në mungesë të transparencës dhe konsultimeve publike, në kulmin e një aksioni që pretendon se po u kthen hapësirat publike qytetarëve.

Në ditët kur inspektorët e IKMT-së ishin të zënë me aksionin e çlirimit të hapësirave publike nga ndërtimet pa leje, një tapet betoni zëvendësoi brutalisht barin e gjelbër në lulishten kryesore të qytetit të Kukësit. Betonizimi i lulishtes së vetme të Kukësit po bëhet me bekimin e Bashkisë si pjesë e një projekti për ndërtimin e këndit të lojërave për fëmijë në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim, TIKA. “Qëllimi ynë është të krijojmë më shumë mundësi për argëtim, aktivitet fizik për të gjitha grupmoshat, në një mjedis të sigurt dhe të aksesueshëm për të gjithë,” reklamoi kryebashkiaku i Kukësit, Albert Halilaj në një postim në faqen e tij në Facebook. Por projekti i Bashkisë ka zemëruar banorët, këshilltarët bashkiakë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët shprehen kundër planeve për betonizim. Lulishtja në zemër të Kukësit nuk është vetëm një vend pushimi, por ka edhe një vlerë simbolike. Ajo është ngritur mbi kampin e përkohshëm të strehimit për qindra familje kosovare gjatë krizës humanitare të vitit 1999. “Në verën e vitit 1999, pas largimit të refugjatëve nga Kosova, “CARE International” financoi me një vlerë prej 350 mijë USD me kërkesën tonë për ndërtimin e lulishtes, pikërisht në vendin ku kishin qëndruar dhjetra traktorë me familje nga Kosova,” kujton Safet Sula, ish-kryetar i Bashkisë së Kukësit në vitet 1996-2000. Dizenjimi dhe mbikëqyrja e punimeve iu besua asokohe lulishtarit të ndjerë, Mehmet Leza, i cili vendosi edhe mbjelljen e drurëve dekorativë. Sula thotë se lulishtja për asnjë arsye nuk duhet të prishet. “Lulishtja që është thuajse e vetme, i duhet qytetarëve të Kukësit,” tha ai për BIRN. Financimi i vitit 1999 nuk ishte i vetmi. Para të tjera të taksapaguesve u investuan në vitin 2018 si pjesë e projektit të madh qeveritar të quajtur “Rilindja Urbane”. Nga fondi prej 147 milionë lekësh për shtrimin e rrugës me gurë dekorativë dhe lyerjen e fasadave, lulishtja përfitoi një fond prej 59.5 milionë lekësh. Aurora Guska, avokate në profesion dhe banore e zonës thotë se lulishtja është “krenaria e Kukësit” dhe nuk duhet të prishet. Edhe Artan Laçi, një tregtar në zone, e quan ndërhyrjen e fundit një lajthitje. “Në vend që lulishtja të pasurohet dhe të kompozohet me bimë dhe lule, ajo betonizohet,” theksoi ai. Rifat Demalia, drejtor i Qendrës për Progres Rinor adreson gjithashtu kritika jo vetëm për betonizimin, por edhe për mungesën e transparencës dhe të konsultimit me komunitetin. “Jam kundër, totalisht kundër këtij projekti, pasi prish dekorin dhe strukturën e lulishtes. Ka disa vende tjera ku mund të zhvillohej projekti, pikërisht në zona të pazhvilluara brenda lagjeve apo në sheshe të lira ku sot parkohen automjete,” tha Demalia. “Nuk ka konsultime me grupet e interesit, qytetarët dhe shoqërinë civile. Shpërndarja e informacionit duhet të bëhej para se të fillonte investimi,” shtoi ai, duke theksuar se banorët ishin shpërfillur totalisht. Urbanisti Andrit Shehu kujton se eksperienca me lojërat në ambiente të hapura ka qenë e hidhur. “Pajisjet e këtyre lojërave dëmtohen për një kohë të shkurtër dhe sipërfaqja mbetet veçse një karakatinë,” tha Shehu, ish-drejtor i Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Kukës. Një punonjës i sektorit të gjelbërimit, i cili foli në kushtet e anonimatit është gjithashtu i dëshpëruar me betonizimin.

“E kemi mbajtë me shumë vështirësi këtë lulishte, pasi dihet mungesa e ujit industrial në Kukës. Për vaditjen e saj ka financuar rreth 10 mijë USD një emigrant nga Kukësi që punon e jeton në SHBA në hapjen e një pusi, ndërsa tani i vënë kazmën barit,” tha ai. Bashkia e Kukësit refuzoi të japë informacione shtesë për projektin e lulishtes, ndërsa deputetë të zonës dhe prefekti i zhvlerësuan shqetësimet e banorëve. “Kryetari i Bashkisë, zoti Halilaj i ka sqaruar të gjitha përmes faqes së tij zyrtare në FB. Nuk kemi asgjë për të shtuar. Theksojnë se projekti është bërë nga zyra e urbanistikës në bashki,” tha sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Kukësit, Fadil Morina. “Nuk ka asnjë problem. Është një park për fëmijë,” tha deputeti socialist, Eduard Shalsi përmes një mesazhi në aplikacionin Whatsapp, ndërsa akuzoi këtë reporter për “interpretime të gabuara”. Prefekti Dritan Baji tha se nuk kishte dijeni për projektin, pasi “kemi pavarësi pushtetesh”. Ndryshe nga zyrtarët e mësipërm, kryetari i Këshillit Bashkiak të Kukësit, Albert Muja shpreh shqetësimin për mosrespektimin e procedurave, pasi projekti nuk ka kaluar përmes Këshillit. “Çdo investim duhet të kalojë në Këshillin e Bashkisë. Është një hapësirë publike e gjelbërt që është betonizuar dhe i është dhënë një organizatë të huaj për të investuar. Shkelja ka të bëjë me lejen. Nuk kemi asnjë dokument që është financuese TIKA, apo kush është TIKA,” tha Muja, ndërsa thekson se kryetari i Bashkisë do të thirret në mbledhjen e ardhshme për të raportuar për këtë çështje. Çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit në Bashkinë e Kukësit, i cili për momentin është mjaftuar me një komunikim verbal me përfaqësuesit e bashkisë për betonizimin e lulishtes. “Kam kërkuar informacion lidhur me këtë problem dhe përgjigja e bashkisë ka qenë për një kënd lojrash për fëmijë. Në vijim do bëjmë verifikimet e duhura dhe do procedojmë, por me sa jam informuar, punimet janë pezulluar,” i tha BIRN Besar Tota, drejtor i IKMT-së për qarkun e Kukësit. BIRN

Video

Këto janë momentet e arrestimit të një 45-vjeçari pasi sulmoi dy burra hebrenj me thikë në zonën Golders Green, një lagje me komunitet të madh hebre në veri të Londrës. Sipas autoriteteve, sulmi po trajtohet si një akt terrorist dhe hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit. Të plagosurit, të moshave 76 dhe 34 vjeç u dërguan në spital, ku raportohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Dëshmitarët thanë se autori ishte parë duke vrapuar në rrugë me thikë dhe duke synuar persona të identifikueshëm si hebrenj. Ai u neutralizua nga policia me Taser dhe më pas u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia Metropolitane deklaroi se i dyshuari kishte edhe një histori të mëparshme dhune dhe probleme të shëndetit mendor. Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi sulmin duke e cilësuar si “plotësisht të tmerrshëm”, ndërsa liderët hebrenj kërkuan masa më të forta sigurie për komunitetin.

Kjo video nga darka zyrtare në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë Melania Trump dhe Mbretin Charles III po bëhet virale në rrjet. Shkak është një moment i sikletshëm gjatë fotos zyrtare, ku Melania duket se i heq dorën Trump, duke nxitur reagime të shumta dhe diskutime për gjuhën e trupit dhe marrëdhënien mes çiftit presidencial.

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Orikum–Vlorë pranë fshatit Tragjas. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi Vladimir Gaba, ka përplasur një tufë me bagëti të imta (dhi) si dhe çobanin, shtetasin Andi Demiraj, rreth 35 vjeç, i cili ndodhej në fund të kopesë. Si pasojë e përplasjes, Demiraj ka pësuar traumë dhe është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin Tepelenë Krahës, në afërsi të fshatit Iliras. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin teksa qarkullonin në anë të kundërt. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 8 persona, të cilët janë transportuar në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Iliras”, automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“- njofton policia.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme