
Kreu i PD-së, Sali Berisha, po tregon se i mbështet protestat e qytetarëve vetëm në rrafshin retorik dhe jo në praktikë, duke injoruar kërkesat e tyre direkte. Kjo u vërtetua edhe në mbledhjen e sotme të Këshillit të ri Kombëtar të PD-së, të cilin Berisha e thirri për të votuar Kryesinë e re dhe kryetarin e Këshillit. Ky hap dëshmon qartë se ai nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i partisë, ndonëse dorëheqja e tij mbetet një nga kërkesat kryesore të qytetarëve në shesh.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal gjatë te protesta masive njëmujore e qytetarëve, por shmangu plotësisht thirrjen kryesore të tyren "Rama n'burg, Berisha n'burg". Në vend të kësaj, ai deklaroi se Partia Demokratike e mbështet fuqishëm këtë lëvizje liberatore të "Gjeneratës Z", duke i bërë thirrje çdo shqiptari dhe strukture digjitale t'u bashkohet të rinjve që, sipas tij, e kanë shpartalluar dhe kthyer kryeministrin Edi Rama në një "kalec mjeran".
Sa i përket zhvillimeve të brendshme në mbledhje, për postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar u propozuan dy emra zonjash, Julia Emili dhe Silva Hasaj, pasi Berisha vlerësoi se ky pozicion duhet t'i besohet një gruaje. Ndërkohë kryesia do të dalë përmes një votimi me tre lista, kandidatet zonja, kandidatët nga rinia si dhe kandidatët meshkuj.Sipas udhëzimit të PD-së, është vendosur që do të përzgjidhen 6 zonja nga 15 kandidate, 6 të rinj nga 25 kandidatë dhe 8 meshkuj nga 21 kandidatë.
Ndërkohë, procesi i votimit për Kryesinë e re të PD-së dhe menaxhimi i zgjedhjeve brenda këshillit u mor përsipër nga një komision zgjedhor i drejtuar nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, me anëtarë Ivi Kaso dhe Nada Meçorapja.






















