Kronika 9 Prill 2025, 17:10 Nga VNA

Bankat nën hetim për abuzime në tregun 16 milionë euro të sigurimit të jetës së debitorit

Ndaje në Whatsapp
Bankat nën hetim për abuzime në tregun 16 milionë euro

Autoriteti i Konkurrecës njoftoi se ka hapur hetime të thelluara nën dyshimin se disa nga bankat kryesore në vend dhe disa kompani sigurimesh kanë zhvatur kredimarrësit përmes një produkti sigurimesh që paguhet nga kredimarrësit për të garantuar kthimin e kredisë.

Bankat kryesore të Shqipërisë u vendosën nën hetim të thelluar të mërkurën nga Autoriteti i Konkurrencës nën dyshimin se kanë shkelur nenin 4 dhe nenin 9 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, bëri të ditur Autoriteti i Konkurrencës në një njoftim për shtyp.

Hetimi ka të bëjë me praktikat e ndërmjetësimit për shitjen e një police sigurimi jete, të cilën bankat ua kërkojnë me detyrim kredimarrësve të caktuar, përfshirë kredimarrësit e kredisë për shtëpi. Kjo police sigurimi ka për qëllim që të garantojë se një kompani sigurimi do të paguajë kredinë në rast se kredimarrësi vdes pa e shlyer atë. Ky është një produkt që, sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, realizon të ardhura bruto për kompanitë e sigurimeve në masën 1.64 miliardë lekë [rreth 16 milionë euro].

Neni 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ndalon dy ose më shumë operatorë në të njëjtin treg që të bien në marrëveshje me njëri-tjetrin për të kufizuar konkurrencën, për shembull, përmes caktimit të çmimeve të njëjta, kufizimit të sasisë apo vendosin kritere të tjera kufizuese për konsumatorin.

Neni 9 i ligjit ndalon kompanitë të cilat vlerësohet se kanë fuqi dominuese në treg nga abuzimi me këtë fuqi dominuese.

“Autoriteti i Konkurrencës hap procedurën e hetimit të thelluar në tregun e ndërmjetësimit për sigurimin e jetës për kreditë të cilat kërkojnë sigurim jete për ndërmarrjet: OTP Bank Albania SHA, Banka Kombëtare Tregtare SHA, Credins Bank SHA, Banka Raiffeisen SHA, Banka e Tiranës SHA, Intesa SanPaolo Bank Albania SHA, Union Bank SHA, E-Business Solutions SHPK, Banka e Bashkuar e Shqipërisë SHA, Banka Amerikane e Investimeve SHA dhe Abi Broker Sigurimesh SHA dhe në tregun e kredidhënies me sigurim  jete për kreditë që jepen brenda bankës Bankës së Parë të Investimeve SHA dhe Bankës Procredit SHA,” thuhet në njoftimin e autoritetit.

“Sjellja e ndërmarrjeve Banka Raiffeisen SHA, OTP Bank Albania SHA, Banka Kombëtare Tregtare SHA, Tirana Bank SHA, Intesa SanPaolo Bank Albania SHA, Union Bank SHA, E-Business Solutions SHPK, ABI Bank SHA, Abi Broker Sigurimesh SHA dhe Procredit Bank SHA mund të përbëjë shkelje të nenit 4 dhe nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003 ndërkohë që sjellja e ndërmarrjeve Tirana Bank SHA, Credins Bank SHA, Banka e Bashkuar e Shqipërisë SHA dhe Banka e Parë e Investimeve SHA mund të përbëjë shkelje të nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003,” thuhet më tej në këtë njoftim.

Rritje e shpejtë e të ardhurave, kosto minimale e dëmeve

Sigurimi i jetës së debitorit është një produkt sigurimi që u shitet me detyrim kredimarrësve, për llogari të sigurisë së bankave për shlyerjen e kredisë në rast se kreditori vdes. Rreth 118 mijë shqiptarë blenë një police të tillë sigurimi gjatë vitit 2024, sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Numri i klientëve të kësaj klase sigurimi dhe të ardhurat e kompanive të sigurimit nga këto shitje kanë pësuar rritje dramatike gjatë viteve të fundit.

Të dhënat e AMF tregojnë se numri i shqiptarëve që është detyruar të blejë një police sigurimi për jetën e debitorit është rritur me dy herë, nga 59 mijë vetë në vitin 2019, në 118 mijë në vitin 2024. Të ardhurat nga shitja e policave të sigurimit të kësaj klase janë rritur me 112%, gjë që do të thotë se çmimi mesatar i policës së shitur është rritur gjithashtu. Dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit, në vitin 2024 ishin vetëm 10% të primeve të paguara. Kjo do të thotë se kompanitë e sigurimeve shijojnë norma fitimi bruto në masën 90% për këtë produkt, shifër kjo që sugjeron shkallë të ulët konkurrence në treg në dëm të konsumatorëve.

Përgjatë pesë viteve të fundit, pra periudhës 2009-2024, shqiptarët kanë paguar 6.6 miliardë lekë polica sigurimi të jetës së debitorit, ndërsa kompanitë e sigurimeve paguan gjithsej 843 milionë lekë dëme ose 12% të të ardhurave./Marrë nga BIRN/

 

Lexo gjithashtu

Video

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka përshkallëzuar retorikën ndaj Kubës, duke thënë se pret të ketë “nderin” për ta “marrë Kubën”. Duke folur me gazetarët, Trump la të kuptohet se beson që Shtetet e Bashkuara “mund të bëjnë çfarë të duan” me Kubën. Këto deklarata vijnë në një kohë kur Uashingtoni dhe Havana kanë nisur bisedime me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve të tyre kryesisht të tensionuara, të cilat kanë arritur një nga momentet më të kontestuara në 67 vite, që nga rrëzimi i një aleati të ngushtë të ShBA-së nga Fidel Castro.

Pas 35 vitesh ja kush sfidon seriozisht Sali Berishën për postin e kryetarit të PD…

Ish numri dy i AKSHIT Hava Delibashi i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë. Delibashi ndodhet aktualisht në arrest shtëpie pasi dyshohet si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Kryeministri Rama ka qenë sot në Vlorë, ku është takuar me deputetët e zonës dhe kryetaren e bashkisë. Pamjet e siguruara nga VNA flasin qartë për nota nervozizmi në bisedën mes tyre, në dalje të një lokali ku u zhvillua takimi.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme