Bota 10 March 2025, 19:40 Nga VNA

Administrata Trump mbyll mbi 80% të programeve të USAID-it

Ndaje në Whatsapp
Administrata Trump mbyll mbi 80% të programeve të USAID-it

Administrata Trump ka anuluar më shumë se 80 për qind të programeve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) pas një procesi rishikimi gjashtë-javor. Lajmi u njoftua të hënën nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio.

"Me 5200 kontratat tashmë të anuluara, janë shpenzuar dhjetëra miliarda dollarë në mënyra që jo vetëm nuk i kanë shërbyer, por në disa raste edhe kanë dëmtuar, interesat thelbësore kombëtare të Shteteve të Bashkuara", shkruante Sekretari Rubio në një postim në llogarinë e tij personale në rrjetin social 'X'.

Rreth 1,000 programet e mbetura, shkruante ai më tej, do të administrohen tashmë nga Departamenti i Shtetit "në mënyrë më efektive" dhe në konsultim me Kongresin.

Pas marrjes zyrtarisht të detyrës më 20 janar Presidenti Donald Trump, urdhëroi menjëherë një pauzë 90-ditore të ndihmës për vendet e huaja duke e futur atë në një proces rishqyrtimi, për të parë nëse programet përputheshin me politikën e tij të jashtme "Amerika e Para".

Ky urdhër dhe të tjerë që e pasuan atë, çuan në ndalje të operacioneve të agjencisë në mbarë botën, krijuar kaos në përpjekjet globale për ndihmë humanitare.

Administrata tha se vendimi për pezullim nuk prekte ndihmat që synojnë shpëtimin e jetëve, por sipas punonjësce humanitarë në mbarë botën fondet ishin bllokuar.

Mijëra punonjës të USAID-it u pezulluan, apo u pushuan nga puna, po kështu u ndërprenë kontrata. Shumica e atyre që janë pezulluar, nuk pritet të rikthehen në detyrë.

Në postimin e tij diplomati i lartë amerikan falënderonte gjithashtu punonjësit e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), që udhëhiqet nga biznesmeni miliarderi Elon Musk, i cili po redukton në mënyrë të pashembullt administratën federale.

“Falenderoj DOGE-in dhe personelin tonë, që ka punuan me orë të gjata për të arritur këtë reformë të vonuar dhe historike”, shkruante Sekretari Rubio.

Në një reagim disa orë më vonë, zoti Musk shkruante: "E vështirë, por e nevojshme. Është kënaqësi të punoj me ju. Programe të rëndësishme të USAID-it duhet të kishin qenë gjithmonë nën varësinë e Departamentit të Shtetit".

Republikanët e kanë bërë gjerësisht të qartë se duan që ndihma për vendet e huaja të përfshijë një interpretim shumë më të ngushtë të interesave kombëtare amerikane.

Në fillim të këtij muaji, në një nga paditë e shumta lidhur me mbylljen e shpejtë të programeve të USAID-it, Departamenti i Shtetit, tha se po mbyllte më shumë se 90% të programeve të agjencisë. Por Sekretari Rubio nuk dha asnjë shpjegim se përse shifra që ai njoftoi sot ishte më e ulët.

Mbyllja e një pjese të madhe të programeve të USAID-it, i jep fund një politike që zbatohej prej dekadash, sipas të cilës ndihma humanitare dhe ajo për zhvillim që u ofrohej vendeve të tjera, shihej si avancim i interesave kombëtare amerikane të lidhura me sigurinë, nëpërmjet stabilizimit të rajoneve dhe ekonomive të tyre, e duke forcuar aleancat.

Në javët pas urdhrit të Presidenti Trump, një nga të emëruarit e tij, Pete Marocco dhe zoti Musk, tërhoqën me mijëra punonjës të personelit të USAID-it nëpër botë nëpërmjet vendimesh për pezullim, apo shkarkimesh nga detyra, ndaljes brenda natës të pagesave, si dhe ndërprerjes së mijëra kontratave për ndihmë e zhvillim.

Kontraktorët dhe punonjësit e programeve të ndryshme, nga kontrolli i epidemive, urisë, apo tek trajnimi mbi çështje që lidhen me demokracinë ndalën punën. Grupet e ndihmës dhe partnerë të tjerë të USAID-it pushuan nga puna me dhjetëra mijëra punonjës të tyre, si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe jashtë.

Ndërkohë shumë punonjës e kontraktorë të USAID-it, si dhe familjarë të tyre, vazhdojnë të jenë ende jashtë vendit, në pritje të pagesave që mbulojnë shpenzimet për kthimin e tyre në Shtetet e Bashkuara./VOA/

 

Video

Një avion privat që transportonte këngëtarin brazilian Rey Vaqueiro dhe pjesëtarë të ekipit të tij doli nga pista dhe u përfshi nga flakët gjatë uljes në Parelhas, në shtetin Rio Grande do Norte të Brazilit. Në bordin e avionit ndodheshin tetë persona, gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë arritën të largoheshin nga avioni pas aksidentit dhe u dërguan në spitalin e Parelhas për kontroll mjekësor. Autoritetet nuk raportuan të lënduar rëndë. Sipas zjarrfikësve, avioni doli përtej kufirit të pistës gjatë uljes dhe më pas u përfshi nga zjarri. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, dy turbinat ishin ende në flakë. Operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit dhe ftohjen e turbinave zgjati rreth pesë orë.

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

Pedonalja ku gara humbi rrugës/ Skualifikohen ofertat më të lira, tenderi 100 mln lekë i Bashkisë Lezhë përfundon me një ofertues

“Aleanca e Valamarit”: akuza që Bardhi duhet ta çojë deri në fund…ose të heshtë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme