Bota 5 Mars 2025, 20:42 Nga VNA

A mundet Evropa të armatosë Ukrainën?

Ndaje në Whatsapp
A mundet Evropa të armatosë Ukrainën?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump urdhëroi të hënën ndërprerjen e menjëhershme të ndihmave ushtarake për Ukrainën. Administrata Trump tha se kishte për qëllim të detyronte të gjitha palët të përkushtoheshin në bisedimet për paqe.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, udhëheqësit evropianë kanë thënë se është jetike të vazhdohet me dërgesat e armëve në Kiev. Megjithatë, nuk është e qartë se për sa kohë Ukraina mund të vazhdojë të rezistojë pa ndihma.

Ndërsa doli lajmi për vendimin e Uashingtonit për ndërprerjen e ndihmave ushtarake për Kievin, sulmet ruse me dronë vazhduan mbi qytetet ukrainase.

Ligjvënësit ukrainas thonë se pasojat e vendimit të Uashingtonit do të jenë të rënda.

“Kjo do të thotë se mijëra njerëz do të vdesin”, thotë Oleksiy Goncharenko deputet ukrainas.

Në perëndim të Donetskut, afër qytetit Pokrovsk, lufta vazhdon.

“Ne përdorim një top artilerie ‘Howitzer” italian. Megjithatë, shumë municione i marrim nga Shtetet e Bashkuara. Është standard i NATO-s, i cili përdoret si në Evropë ashtu dhe në Amerikë. Por, a do të jetë tani në gjendje Evropa të na furnizojë, shpresoj se po”, thotë komandanti i njësisë së brigadës së 14-të ukrainase që përdor nofkën “Berf”.

A mund të kompensojë Evropa mungesën e ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara?

“Ka sisteme të caktuara, si raketat ‘Patriot’, apo pjesët rezervë për tanket ‘Abrams’ që përdoren nga ukrainasit. E vetmja mënyrë që evropianët t’i sigurojnë ato është blerja në tregun e hapur. Kjo kërkon kohë”, thotë Mark Galeotti, ekspert për Rusinë nga firma ‘Mayak Intelligence’.

Megjithatë, Ukraina po prodhon gjithnjë e më shumë armë.

“Ndoshta rreth gjysmën e armëve që përdor tani, Ukraina i prodhon vetë. Pjesa tjetër sigurohet nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, përfshirë evropianët”, thotë Malcolm Chalmers nga organizata “Royal United Services Institute”.

Uashingtoni ofron ndihmë jetike, si transportimin e armëve perëndimore në Ukrainë.

“Shtetet e Bashkuara luajnë rol shumë të rëndësishëm duke ofruar informacion dhe të dhëna të inteligjencës për forcat ukrainase”, thotë analisti Chalmers.

Administrata Trump thotë se ndalimi i ndihmave ushtarake është bërë, siç sqarojnë zyrtarët amerikanë, “për të ndihmuar në arritjen e një zgjidhjeje”.

“Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe po ashtu Ukraina nuk mund ta vazhdojnë këtë luftë pa fund. Prandaj, është e rëndësishme që të gjithë të marrin pjesë në negociata”, thotë JD Vance, Nënpresident i Shteteve të Bashkuara.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha gjatë fundjavës se ekziston një koalicion i vendeve që duan të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën.

“Pretendimi i Nënpresidentit Vance se shumë nga udhëheqësit evropianë i ofrojnë mbështetje Kievit publikisht, ndërsa privatisht shprehen me skepticizëm, nuk është në tërësi i pasaktë. Pyetja në këtë rast është, a do të vazhdonin këto vende të boshatisnin rezervat e tyre ushtarake dhe të zemëronin aleatin dhe garantuesin kryesor të sigurisë së vendit të tyre për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën?”, thotë eksperti për Rusinë, Mark Galeotti.

Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky njoftoi administratën Trump të martën, përmes një publikimi në rrjetin social ‘X’, se Ukraina është e përkushtuar për paqe.

Për ukrainasit, që vuajnë nga sulmet ajrore ruse, ndërprerja e ndihmës amerikane është një rezultat i hidhur.

“Shpresoj që Presidenti Trump të ndryshojë mendjen. Viktima e agresionit nuk mund të jetë fajtore dhe të ndëshkohet”, thotë Viktoria, banore e Kievit.

“Ndoshta Evropa mund të ndihmojë disi. Shpresa ka mbetur vetëm tek Evropa tani, askund tjetër”, thotë Illia, banor i Kievit.

Ndërkaq, Rusia e mirëpriti vendimin e Uashingonit për ndalimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën duke thënë se “situata duhet zgjidhur me mjete paqësore”. /VOA

 

Video

Itali/ Gjashtë të plagosur, mes tyre edhe një vajzë e vogël, dhe njëqind persona të bllokuar. Ky është bilanci dramatik i aksidentit që ndodhi në impiantin e teleferikut të Macugnaga-s, në zonën Verbano-Cusio-Ossola në Piemonte. Ngjarja ndodhi në stacionin e sipërm të Monte Moro-s, në rreth 2.800 metra lartësi, pasi kabina dyshohet se ka mbërritur me shpejtësi të tepërt në stacionin e mbërritjes. https://www.vna.al/bota/itali-aksident-ne-teleferikun-e-monte-moro-ne-macugnaga-tre-te-plagosur-dhe-i18416

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku një person është gjetur i djegur plotësisht në një ambient të përshtatur si banesë, në katin e parë të këtij pallati. Rrethanat e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta. Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse është bërë pasi banorët e pallatit kanë sinjalizuar praninë e erës së djegies dhe tymit. Zjarrfikësit kanë hapur me forcë qepenin e ambientit, ku kanë gjetur një person te moshuar mashkull pa shenja jete.

Rama e ngre per vajzat dhe gratë e PS...

Aksident në afërsi të zonës së leshpunueses në Korçë. Mësohet se një mjet është përplasur me një motor. Drejtuesi i motorit është dërguar në spital ku po merr ndihmë mjekësore dhe raportohet se është jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhet policia që po bën zbardhjen e rrethanave.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme