
“Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave janë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënieje në një nivel me ujin që të shijohet në maksimum infinity pool.
Pishina në skajin drejt detit ka po ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë.
Në 2 krahët anësorë të shtëpive, niveli i hyrjes dhe i suitave, janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini).
Suitat do t’i punojmë akoma me variante. Ndarjet e kuzhinës me soggiornon dhe të garderobës tek master bedroom janë fizarmonikë. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me teak për një feeling pak më të ngrohtë e pak si jaht. Shihe si alternativë kur të përfundojmë dhe renderat dhe, nëse s’të ngjit, kthehemi tek mermerët blu”.
Ky është emaili që Alban Eftimi, i Atelier 4, dërgon në adresën elektronike të Belinda Ballukut.
Biznesmeni ia përshkruan me detaje ish-zv.kryeministres projektin e vilës luksoze me nr. 188/1 në kompleksin Green Coast në Palasë, vila e cila dje u sekuestrua nga SPAK, pasi ka dyshime se e përfitoi ryshfet nga biznesmeni Arbër Abazi, kompaninë e të cilit e favorizonte në tendera.
E konkretisht në një email të dytë, Eftimi dërgon në adresën e Ballukut një dokument të përbërë nga 11 fletë, ku në fletën e parë gjendet shënimi “Vilat binjake Palasë”, ndërsa në fletët e tjera gjenden planimetri dhe projekte të sipërfaqeve të dy vilave.
SPAK thotë se nga hetimet është provuar që vila 188/1 në Palasë, deri në fazën e karabinasë, është ndërtuar me investimin e Igli Tares. Ndërsa punimet e tjera të vilës janë marrë përsipër dhe bërë nga shtetasi Arbër Abazi. Kompania “Alko Impex Generel Contruksion” e Abazit, bashkë me disa operatorë të tjerë ekonomikë, ka fituar tenderin për ndërtimin e lotit 7 të Unazës së Madhe.
Më herët SPAK ka sekuestruar një vilë në Dhërmi që po ashtu dyshohet pasuri e fshehur e Ballukut. Ish-zv.kryeministrja është nën hetim për korrupsion, pastrim parash në rrethana rënduese, fshehje pasurie, si dhe e pandehur për abuzime me tenderat e rrugëve në vlera miliona euro.






















