Kronika 9 September 2026, 10:58 Nga VNA

Dy versione për shpërthimin në Brryl, Zjarrfikësja: Ndodhi brenda zyrave! ISHTI: Flakët nisën nga një makinë

Ndaje në Whatsapp

ChatGPT Image Sep 9, 2026, 10_58_02 AM.png

Dy versione janë dhënë nga autoritetet lidhur me origjinën e shpërthimit të ndodhur mëngjesin e sotëm në pikën e karburantit “Eida”, në zonën e Bërrylit në Tiranë, ku tre punonjës mbetën të plagosur dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi se shpërthimi ka ndodhur brenda ambienteve të zyrave të karburantit dhe e lidhi atë me gazin. Nga ana tjetër, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), bazuar në vlerësimin paraprak të grupit të inspektimit, thotë se zjarri dyshohet se ka nisur nga një automjet brenda territorit të karburantit dhe më pas është shoqëruar me një shpërthim.

Goxhaj bëri të ditur se shërbimi zjarrfikës u njoftua menjëherë në sallën operative, ndërsa në vendngjarje u aktivizuan dy stacionet më të afërta. Forcat zjarrfikëse mbërritën brenda pak minutash, ku konstatuan dëme të mëdha dhe prani flakësh.

“Kemi pasur shpërthim gazi. Është lajmëruar shërbimi zjarrfikës në sallën operative dhe janë aktivizuar dy stacionet që janë më afër. Në pak minuta kanë arritur në vendngjarje dhe është konstatuar se pika e karburantit dhe ambientet e zyrave ishin shembur për shkak të shpërthimit, si dhe kishte flakë. Në pak minuta gjithçka është vënë në kontroll. Shpërthimi ndodhi brenda zyrave të karburantit”, deklaroi Goxhaj.

Një tjetër version mbi origjinën e ngjarjes vjen nga ISHTI, i cili përjashton shpërthimin e rezervuarëve të karburantit dhe ngre dyshimet se zjarri ka nisur nga një automjet.

Në njoftimin zyrtar, ISHTI thekson:

“Nga vlerësimi paraprak i grupit të inspektimit të ISHTI në stacionin e shitjes me pakicë të karburanteve Skënderi G sh.p.k., me vendndodhje tek Brryli, Tiranë, rezulton se: Nuk ka pasur shpërthim të rezervuarëve të karburanteve. Dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet brenda territorit të stacionit të karburantëve, që është shoqëruar edhe me eksplozion.”

Si pasojë e ngjarjes, tre punonjës të karburantit mbetën të plagosur. Ata u transportuan në Spitalin e Traumës dhe, sipas Policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shpërthimi shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme në ambientet e karburantit, ndërsa u dëmtua edhe një automjet.

Pika e karburantit me emrin tregtar “Eida” rezulton e regjistruar si “Skënderi G” sh.p.k. dhe është në pronësi të Frident Kuqit.

Pavarësisht dy versioneve paraprake mbi origjinën e ngjarjes, shkaku përfundimtar i shpërthimit mbetet ende për t’u përcaktuar. Policia dhe autoritetet e tjera po vijojnë hetimet dhe verifikimet për të rindërtuar dinamikën e plotë të incidentit.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme