Kronika 3 July 2026, 14:00 Nga VNA

SPAK nuk i beson më Policisë? Sinjalet e para të një divorci të heshtur

Ndaje në Whatsapp
SPAK nuk i beson më Policisë? Sinjalet e para të një divorci

Deklarata e drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, nuk kaloi pa u vënë re. Për herë të parë u artikulua hapur se SPAK kërkon pavarësi të plotë operacionale dhe se nuk mund të varet nga Policia e Shtetit për të kryer arrestimet apo veprimet procedurale. Në praktikë, kjo do të thotë se aksionet më të rëndësishme po kryhen gjithnjë e më shumë nga Byroja Kombëtare e Hetimit, ndërsa policia po mbetet në plan të dytë.

Zyrtarisht arsyeja është mungesa e infrastrukturës dhe nevoja për pavarësi. Por a është kjo e gjithë e vërteta? Muajt e fundit nuk kanë qenë të pakta rastet kur persona me masa sigurie për krim të organizuar nuk u gjetën në momentin e operacioneve. Madje, disa nga të shumëkërkuarit më të rëndësishëm, të cilët sipas informacioneve të publikuara në media ndodhen në Shqipëri dhe lëvizin të pashqetësuar, ende nuk janë arrestuar. Rasti i fundit është Adi Cobo Bazholi, i lokalizuar në Shkozet më shumë se një muaj pas operacionit “Ura”, në një aksion të përbashkët të BKH-së dhe DIA-s italiane.

Natyrshëm lind pyetja: a është ky ndryshim strategjie pasojë e dyshimeve për dekonspirim të operacioneve? SPAK nuk e ka thënë kurrë këtë. Por fakti që po investon për të kryer vetë të gjithë ciklin operacional tregon se besimi te strukturat tradicionale të Policisë së Shtetit nuk është më ai i viteve të para të reformës.

Paradoksi është se Policia e Shtetit vazhdon të quhet “partneri kryesor”, ndërsa në terren po anashkalohet në operacionet më sensitive. Edhe më i çuditshëm është fakti se drejtuesit e policisë nuk kanë dhënë asnjë shpjegim publik për këtë ndryshim kursi. Heshtja e tyre lë vend për interpretime dhe shton pikëpyetjet mbi arsyet që e kanë shtyrë SPAK-un të mbështetet gjithnjë e më shumë te BKH-ja.

Nëse kjo është vetëm një zgjedhje organizative apo një pasojë e mungesës së besimit te një pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit, mbetet për t’u sqaruar. Por një gjë duket qartë: SPAK po ndërton një model ku sa më pak hallka të përfshihen në operacionet e ndjeshme, aq më i vogël është rreziku që ato të dështojnë. Nëse ky model është produkt i një strategjie moderne hetimi apo i mosbesimit ndaj Policisë së Shtetit, atëherë kjo nuk është më vetëm një çështje teknike. Është një zhvillim që prek arkitekturën e luftës kundër krimit të organizuar dhe meriton një debat publik.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme