Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në Roskovec, ku një 69-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se pësoi arrest kardiak gjatë një konflikti mes djalit të tij dhe një personi tjetër.
Sipas burimeve paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 20:00. Viktima, Baftjar Vrapi, u transportua pa shenja jete në Qendrën Shëndetësore të Roskovecit.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se 69-vjeçari nuk ishte i përfshirë në konflikt, por ndodhej në vendngjarje si dëshmitar i përplasjes së çastit mes djalit të tij dhe një personi tjetër.
Paraprakisht dyshohet se ai ka pësuar arrest kardiak si pasojë e situatës së krijuar, ndërsa shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.






















