Politika 9 June 2026, 16:28 Nga VNA

"Zvërneci", Rama me gazetarët e huaj: Nuk ka projekt të miratuar, po luftohet një investim para se të lindë

Ndaje në Whatsapp

fdvf bfgbfb.jpg

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për shtyp me 23 gazetarë të mediave të Bashkimit Evropian, ku një pjesë e diskutimeve u përqendrua te debati publik mbi zhvillimin e mundshëm në zonën e Zvërnecit.

Rama deklaroi se aktualisht nuk ekziston një projekt i miratuar për Zvërnecin, duke sqaruar se bëhet fjalë vetëm për një shprehje interesi nga një kompani private për një pronë private dhe jo për një vendimmarrje të institucioneve shtetërore.

Sipas kreut të qeverisë, protesta e zhvilluar në këtë zonë u nxit pas një episodi dhune ndaj një protestuesi nga një punonjës sigurie privat. Ai tha se për këtë ngjarje janë marrë masa të menjëhershme, duke përfshirë arrestimin e rojes së sigurisë, shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës, hetimin e efektivëve të përfshirë dhe heqjen e licencës së kompanisë përgjegjëse.

"Ky akt dhune çeli rrugën për ngritjen e pikëpyetjeve mbi zhvillimin e pronës dhe projektit. Më pas, çështja u zgjerua dhe përfshiu gjithçka. Nuk ka projekt", u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se pronarët privatë kanë të drejtë të lidhin marrëveshje dhe të ndërmarrin procedura ligjore për zhvillimin e pronave të tyre, duke argumentuar se kjo nuk përbën automatikisht një vendim të shtetit për ndërtim.

Ai këmbënguli se Zvërneci dhe projekti i Sazanit janë dy iniciativa të ndryshme dhe kritikoi, sipas tij, përhapjen e informacioneve të pasakta mbi këtë çështje.

Në një moment të konferencës, Rama pati një debat me një gazetare rumune, e cila e pyeti nëse projekti ishte anuluar apo pezulluar. Kryeministri kundërshtoi këtë interpretim, duke deklaruar se nuk mund të anulohet apo pezullohet diçka që nuk ka ekzistuar ende si projekt i miratuar.

"Nuk është anuluar, sepse nuk ka pasur kurrë një projekt për t'u anuluar. Që ta anulosh duhet ta kesh një projekt", tha ai.

Gjatë konferencës, Rama mbrojti edhe orientimin e qeverisë drejt zhvillimit të turizmit elitar, duke argumentuar se turizmi luksoz sjell më shumë të ardhura për ekonominë dhe ushtron më pak presion mbi mjedisin krahasuar me turizmin masiv.

"Turizmi luksoz është ajo që e mbron një vend nga shkatërrimi që mund të sjellë turizmi masiv. Na duhet turizëm luksoz për të ulur trysninë që turizmi masiv ushtron mbi mjedisin", deklaroi ai.

Kryeministri hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura janë bërë për t'i hapur rrugë investimeve që dëmtojnë mjedisin, duke mohuar lidhjen e tyre me investitorë të caktuar.

Në fund, Rama vlerësoi kompaninë nga Katari që ka shprehur interes për investimin në Zvërnec, duke e cilësuar atë si një prej kompanive më të rëndësishme në Lindjen e Mesme. Sipas tij, projekti ndodhet ende në fazën paraprake dhe do t'i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis përpara se të merret çdo vendim përfundimtar.

"Do të kryhet vlerësimi i mjedisit dhe më pas do të kemi projektin. Ky është një sulm për ta vrarë një projekt para se të lindë dhe kjo nuk do të ndodhë", përfundoi Rama duke shtuar se këtë nuk do ta lejojë dhe projekti do të bëhet.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme