Politika 18 July 2026, 10:18 Nga VNA

Pse drejtuesit e Bankës së Shqipërisë po i kërkojnë mazhorancës t’u garantojë imunitetin?

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-07-18 at 10.16.34 AM (1).jpeg

Ministri i Financave ka pranuar dhe ka nisur procedurën e shqyrtimit të disa ndryshimeve në nenin 72 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”. Në thelb, propozimi i ardhur nga vetë Banka e Shqipërisë synon t’i garantojë Guvernatorit dhe dy Zëvendësguvernatorëve mbrojtje nga kontrolli personal, kontrolli i banesës dhe masa e sigurisë “arrest në burg”, duke vendosur si kusht marrjen paraprake të autorizimit nga Gjykata Kushtetuese. Mund të përdoren sa të duash terma teknikë për ta përshkruar këtë mekanizëm, por në fund përmbajtja është një: imunitet procedural. Sepse, në momentin që Prokuroria nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj pa marrë më parë miratimin e një organi tjetër, kemi të bëjmë me një regjim imuniteti.

Me shumë gjasa, autorja e kësaj zgjidhjeje është Holta Zaçaj, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese, të cilës Edi Rama i siguroi postin e Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë me votat e mazhorancës në Parlament. Paradoksi nuk është i vogël. Një ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese propozon që Gjykata Kushtetuese të ushtrojë një kompetencë që vetë Kushtetuta nuk ia njeh. Formulimet e paraqitura si projekt-dispozita kërkojnë të kapërcejnë procedurën normale të shqyrtimit gjyqësor dhe të caktojnë si “gjykatë kompetente” një institucion që nuk është gjykatë penale dhe që nuk ka juridiksion mbi masat e sigurisë.

Çdo kontroll personal, kontroll banese apo masë arresti kalon përmes gjykatave të zakonshme. Gjykata Kushtetuese mund të investohet vetëm në fund të procesit, kur shqyrton kushtetutshmërinë e një akti ose pretendimet për cenimin e të drejtave kushtetuese. Vetëm kaq. Kushtetuta nuk i atribuon asaj kompetenca për autorizimin e masave të sigurisë, ndërsa pushteti gjyqësor është rregulluar shprehimisht nga vetë Kushtetuta. Për këtë arsye, një ligj i posaçëm nuk mund të krijojë kompetenca të reja dhe as të shpikë një procedurë që Kushtetuta nuk e njeh.

Po aq i rëndësishëm është edhe një fakt tjetër. Imuniteti është koncept kushtetues. Deputetët e gëzojnë sepse ua njeh Kushtetuta. Presidenti po ashtu, sepse Kushtetuta e parashikon. Ndërsa për Guvernatorin dhe Zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë nuk ekziston asnjë status i posaçëm kushtetues dhe asnjë autorizim që një ligj i zakonshëm të krijojë privilegje procedurale në rast hetimi penal. Megjithatë, pikërisht këtë synon të bëjë formulimi i ri.

Kjo është edhe arsyeja pse propozimi ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje. Holta Zaçaj nuk është thjesht juristja që ka hartuar formulimin. Ajo është Zëvendësguvernatorja e Parë, funksionarja që filtron juridikisht aktet që i paraqiten Bordit dhe një nga tre administratorët që do të përfitonin drejtpërdrejt nga ky regjim i ri procedural. Po ashtu, është zyrtarja përgjegjëse për proceset juridike të Bankës së Shqipërisë, përfshirë procedurat e tenderimit dhe proceset që lidhen me emetimin e parasë.

Pikërisht këtu lind pyetja thelbësore. Çfarë po ndodh në Bankën e Shqipërisë që tre administratorët e saj po ndjejnë nevojën t’i kërkojnë mazhorancës një mburojë procedurale përpara se Prokuroria të ushtrojë kompetencat që i njeh ligji? Çfarë është ajo që i shtyn të kërkojnë një regjim të posaçëm imuniteti pikërisht tani? Sepse, zakonisht, kush është i bindur se nuk ka asgjë për të fshehur, nuk e nis duke ndryshuar rregullat e procedurës penale për veten. Përkundrazi, pret që drejtësia të bëjë punën e saj.

Projekt-dispozita e propozuar

Neni 72 – Dispozita të veçanta për administratorët

1. Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen ose të privohen nga liria në ndonjë formë, as t’i nënshtrohen kontrollit personal apo të banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveç rasteve kur kapen në flagrancë ose ndërsa janë në ndjekje menjëherë pas kryerjes së një krimi.

2. Me përjashtim të rastit të specifikuar në pikën 1 të këtij neni, prokurori i çështjes duhet të kërkojë menjëherë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të kryejë arrestimin, kontrollin personal ose të banesës së Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorëve. Gjykata Kushtetuese merr vendim për autorizimin brenda dy javëve nga data kur i paraqitet çështja. Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk vendos brenda këtij afati kohor, kërkesa për autorizim konsiderohet e refuzuar.

Në fund mbetet një pyetje, së cilës duhet t’i përgjigjen jo vetëm drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, por edhe mazhoranca që pritet të votojë këto ndryshime: pse po kërkohet pikërisht tani një regjim i posaçëm procedural për tre administratorët më të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe çfarë e bën kaq të domosdoshme këtë imunitet?

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme