Një ekip mjekësh në spitalin Molinette të Torinos ka realizuar një ndërhyrje të paprecedentë në oftalmologji, duke i rikthyer shikimin një gruaje 67-vjeçare, e cila kishte qenë e verbër për më shumë se pesë vjet.
Për herë të parë në botë, kirurgët kryen një autotransplant, duke transferuar nga njëri sy te tjetri jo vetëm segmentin e përparmë të syrit, por edhe makulën – pjesën qendrore të retinës që është përgjegjëse për shikimin e detajuar dhe qendror.
Pas një operacioni që zgjati gati gjashtë orë, gruaja, e identifikuar si Elena, hapi sytë dhe arriti të shihte sërish fytyrën e djalit të saj. Pranë saj ndodhej edhe Joe, qeni udhërrëfyes që e kishte shoqëruar gjatë viteve të verbërisë.
Operacioni u krye nga ekipi i Klinikës Universitare të Okulistikës, i drejtuar nga profesori Michele Reibaldi. Edhe më parë, i njëjti ekip kishte realizuar transplantimin e segmentit të përparmë të syrit, por kurrë më parë nuk ishte transplantuar edhe makula, duke e bërë këtë ndërhyrje unike në nivel botëror.
Si u realizua ndërhyrja?
Pacientja kishte humbur plotësisht shikimin pas një aksidenti të rëndë automobilistik.
Syri i majtë ishte i verbër për shkak të një dëmtimi të pakthyeshëm të nervit optik, por strukturat e tjera të syrit kishin mbetur të paprekura. Ndërkohë, syri i djathtë ruante lidhjen me trurin, por ishte dëmtuar rëndë nga një sëmundje e makulës dhe traumat e aksidentit, aq sa edhe një transplant i zakonshëm i kornesë nuk do të kishte dhënë rezultat.
Kirurgët vendosën të përdorin indet ende të shëndetshme të syrit të majtë për të rindërtuar syrin e djathtë. Ata transplantuan kornenë, sklerën, konjuktivën dhe, për herë të parë në botë, edhe makulën, duke realizuar një autotransplant pa precedent.
Rezultatet e para janë inkurajuese
Sipas profesorit Reibaldi, kjo ndërhyrje përfaqëson një kufi të ri në kirurgjinë okulistike.
“Tani presim të kuptojmë deri në çfarë mase retina e transplantuar do të arrijë të funksionojë, por rezultatet e para janë shumë inkurajuese,” tha ai.
Kontrollet e kryera pas operacionit kanë konfirmuar se indet e transplantuara janë integruar me sukses dhe se funksioni i syrit po rikuperohet gradualisht.
Një moment emocionues
Mjekët e spitalit lejuan që gjatë gjithë shtrimit pranë pacientes të qëndronte edhe Joe, qeni i saj udhërrëfyes.
“Momenti më prekës ishte kur Elena hapi sytë dhe njohu fytyrën e djalit të saj dhe të shoqes së saj besnike, Joe,” tregoi profesori Reibaldi.
Edhe pse rehabilitimi do të vazhdojë, objektivi i mjekëve është që pacientja të rifitojë autonominë që kishte humbur prej më shumë se pesë vitesh.
Drejtori i përgjithshëm i “Città della Salute e della Scienza” në Torino, Livio Tranchida, e cilësoi ndërhyrjen si “një operacion në kufijtë e së pamundurës”, duke e konsideruar atë një arritje historike të kirurgjisë okulistike dhe të sistemit publik shëndetësor italian.




















