Politika 6 September 2026, 10:01 Nga VNA

Pas byrekëve dhe reçelrave, Rudina Xhunga merr në dorë menunë politike të Ramës: 300 pyetje apo një tjetër intervistë oborri?

Ndaje në Whatsapp
Pas byrekëve dhe reçelrave, Rudina Xhunga merr në dorë

Pas një sezoni të gjatë promovimi byrekësh, reçelrash e historish nga Shqipëria folklorike, Rudina Xhunga duket se ka gjetur produktin e radhës për t’i bërë reklamë: Edi Ramën.

Kryeministri, që prej kohësh zgjedh me kujdes skenën, kamerën dhe gazetarin përballë, këtë herë shfaqet në formatin e madh të “300 pyetjeve”. Në letër tingëllon si ballafaqim. Në praktikë mbetet për t’u parë nëse do të jenë vërtet pyetje, apo do të ngjajnë me ato bisedat e dikurshme ku Nexhmije Hoxha nuk vihej përballë, por shoqërohej butësisht për të treguar versionin e saj të historisë.

Sepse problemi nuk është numri. Mund të jenë 30, 300 apo 3 mijë pyetje. Çështja është nëse ato prekin aty ku duhet: pushtetin, korrupsionin, SPAK-un, Sazanin, klientelën politike, pasardhësin, kapjen e institucioneve dhe mënyrën sesi Rama ka ndërtuar një sistem ku përgjegjësia zhduket sapo afrohet te dera e kryeministrit.

Rudina Xhunga nuk është emër i ri në gazetari. Përkundrazi. Ndaj pyetja është edhe më e fortë: a do të sillet përballë Ramës si gazetare, apo si mikpritëse e një spektakli ku kryeministri vjen për të shpjeguar veten, për të qeshur me kundërshtarët, për të relativizuar skandalet dhe për të dalë në fund si gjithmonë, i paprekur?

Krahasimi me Nexhmije Hoxhën nuk është për personat, por për frymën. Për atë mënyrë interviste ku pushteti nuk pyetet, por lejohet të rrëfejë veten. Ku gazetaria nuk e ndërpret, nuk e shtrëngon, nuk e kthen te faktet, por i hap rrugën versionit zyrtar me mirësjellje televizive.

Në këtë kuptim, “300 pyetjet” mund të kthehen fare lehtë në 300 mundësi për Ramën që të bëjë atë që di më mirë: të flasë gjatë, të shmangë thelbin dhe të dalë nga studioja me pamjen e njeriut që sapo i dha përgjigje gjithçkaje, pa u përgjigjur realisht për asgjë.

Në fund, Rama nuk ka nevojë për shumë propagandë të re. Ai ka nevojë për paketim të vjetër me fytyra të njohura. Dhe pas promovimit të byrekëve e reçelrave nëpër Shqipëri, Rudina Xhunga duket se ka kaluar te produkti më i rëndësishëm i sezonit: promovimi i kryeministrit.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme