Politika 7 September 2026, 14:13 Nga VNA

Muli pranë Zampollit, Bardhi në krah, Tabaku entuziaste/ Kush do t’i thotë mikut të Trump se shteti Bektashi është “antikombëtar”

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-09-07 at 2.12.34 PM (1).jpeg

Jorida Tabaku është entuziaste. “Kënaqësi të takoja të dërguarin special të Presidentit Trump për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli”, shkruan ajo, duke e shoqëruar postimin me flamujt shqiptar dhe amerikan dhe me deklaratën se Shqipëria është “një mike e palëkundur e SHBA-së”.

Fotografitë, megjithatë, janë pak më interesante se deklarata.

Paolo Zampolli ka shkuar në Kuvend për të takuar përfaqësuesit e grupit parlamentar të PD-së. Në një takim të tillë, normalisht në krye të delegacionit demokrat duhet të ishte kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi.

Por PD-ja e sotme ka protokollin e saj.

Në kolltukun përballë të dërguarit të Trump është ulur Flamur Noka. Gazment Bardhi është spostuar anash. Jorida Tabaku, megjithëse duket më entuziastja nga takimi, ka përfunduar edhe më larg. Muli, me sa duket, nuk e ka kapërdirë dot që amerikani shkoi në Kuvend dhe jo në selinë e PD-së, ndaj të paktën në fotografi u kujdes që të ishte e qartë kush është numri dy i partisë.

Por loja e karrigeve është vetëm pjesa argëtuese e historisë. Problemi i vërtetë që Zampolli u sjell demokratëve është shumë më i madh.

Pak përpara takimit me PD-në, i dërguari i Trump ishte në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Vizita e tij zhvillohet pikërisht në kohën kur projekti për krijimin e një shteti sovran Bektashi në Tiranë është rikthyer në qendër të debatit.

Duhet bërë një dallim i rëndësishëm: deri tani nuk ka një konfirmim publik se Zampolli ka negociuar me Baba Mondin krijimin e shtetit Bektashi. Por në aktivitetin ku ai mori pjesë, presidenti i kompanisë amerikane ImmunityBio iu referua shprehimisht “mikroshtetit të ardhshëm Bektashi”. Pra projekti është shfaqur publikisht në kontekstin e vizitës së tij.

Dhe pikërisht këtu fillon sikleti i PD-së.

Sali Berisha ka mbajtur një qëndrim kategorik kundër projektit. Ai e ka cilësuar nismën për shtetin Bektashi “antikushtetuese”, “antishqiptare” dhe “antikombëtare” dhe ka deklaruar se PD është prerazi kundër saj.

Deri këtu ishte e thjeshtë: Rama e propozonte, Berisha e kundërshtonte.

Por tani në mes ka hyrë Amerika. Dhe jo çfarëdo amerikani: Paolo Zampolli është i dërguari i Presidentit Trump dhe mik i vjetër i tij. Ndaj edhe fotografitë e PD-së me të morën menjëherë rëndësi: Noka zuri vendin kryesor, Bardhi u spostua, Tabaku e shpalli takimin “kënaqësi”.

Por pas entuziazmit mbetet një pyetje që PD duhet ta sqarojë. Berisha e ka cilësuar projektin e shtetit Bektashi “antikushtetues dhe antikombëtar”, ndërsa Zampolli është shfaqur publikisht në mbështetje të tij.

Tani demokratët duhet të zgjedhin: do t’i qëndrojnë qëndrimit të Berishës apo, në ethet për t’u afruar me Amerikën e Trump, do të ndryshojnë qëndrim edhe për shtetin Bektashi?

Sepse karrigen më afër amerikanit Muli e zuri. Tani mbetet të shohim çfarë do të bëjnë me qëndrimin.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme