Polonia është përfshirë në një krizë të rëndë politike dhe institucionale, ku në qendër të përplasjes është Gjykata Kushtetuese. Dy grupe gjyqtarësh pretendojnë drejtimin e të njëjtit institucion, qeveria dhe presidenti mbështesin palë të kundërta, ndërsa policia është vendosur pranë godinës së gjykatës. Situata ka arritur deri aty sa presidenti Karol Nawrocki ka ndërprerë udhëtimin drejt Senegalit dhe është kthyer urgjentisht në Varshavë.
Gjithçka shpërtheu të premten, më 30 tetor, kur gjyqtarët e zgjedhur nga shumica aktuale parlamentare vendosën të pezullojnë për një muaj presidentin e Gjykatës Kushtetuese, Bogdan Święczkowski, dhe zëvendësin e tij, Bartłomiej Sochański. Drejtimin e institucionit e mori gjyqtarja Anna Korwin-Piotrowska, e cila pretendon se, sipas ligjit, i takon asaj të drejtojë gjykatën.
Por drejtuesit e pezulluar refuzojnë të largohen dhe nuk e njohin vendimin. Ata akuzojnë gjyqtarët e tjerë për marrje të paligjshme të kontrollit të institucionit. Opozita konservatore, e drejtuar nga Jarosław Kaczyński, e ka cilësuar atë që po ndodh si një përpjekje për grusht shteti.
Përplasja është shoqëruar me vendosjen e forcave të policisë pranë Gjykatës Kushtetuese, protesta dhe incidente. Policia ka deklaruar se ndërhyrja e saj kishte për qëllim ruajtjen e rendit publik dhe se nuk ka marrë kontrollin e godinës. Tre persona janë ndaluar gjatë incidenteve.
Kriza detyroi presidentin Karol Nawrocki të ndërpresë udhëtimin zyrtar drejt Senegalit. Ai njoftoi se po kthehej menjëherë në Poloni, pasi situata kërkonte praninë e tij në vend.
Por përse ka shpërthyer kjo luftë për Gjykatën Kushtetuese?
Konflikti ka nisur vite më parë, kur partia konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS), që qeverisi Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023, ndërmori reforma në sistemin gjyqësor. Bashkimi Europian i kritikoi këto reforma, duke ngritur shqetësime serioze për pavarësinë e gjyqësorit dhe ndikimin politik mbi emërimin e gjyqtarëve.
Pas ardhjes në pushtet, kryeministri Donald Tusk nisi përpjekjet për të ndryshuar sistemin e trashëguar nga qeveria e mëparshme dhe për të rikthyer, sipas tij, pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
Por presidenti Nawrocki, i mbështetur nga konservatorët, kundërshton mënyrën se si qeveria po ndërhyn në sistem. Ai ka refuzuar të pranojë betimin e tre gjyqtarëve të rinj kushtetues të zgjedhur nga Parlamenti, ndërsa drejtuesit e deritanishëm të gjykatës nuk njohin autoritetin e tyre.
Kjo ka krijuar një situatë të pazakontë: gjyqtarët e rinj pretendojnë se kanë të drejtë të marrin vendime dhe të drejtojnë Gjykatën Kushtetuese, ndërsa drejtuesit ekzistues i konsiderojnë veprimet e tyre të paligjshme.
Përplasja është thelluar edhe nga veprimet e Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka paraqitur pesë kërkesa për heqjen e imunitetit të dy drejtuesve të gjykatës.
Tashmë Polonia gjendet përballë një konflikti ku qeveria pretendon se po çliron drejtësinë nga kontrolli politik i së kaluarës, ndërsa opozita dhe presidenti akuzojnë mazhorancën se po merr nën kontroll Gjykatën Kushtetuese.
Në një vend anëtar të Bashkimit Europian, institucioni që duhet të zgjidhë konfliktet kushtetuese është kthyer vetë në objektin e konfliktit. Dhe aktualisht palët nuk bien dakord as për pyetjen më elementare: kush ka autoritetin ligjor të drejtojë Gjykatën Kushtetuese?






















