Bota 30 October 2026, 22:00 Nga VNA

Përplasje të dhunshme në Torino, mijëra protestues pro Palestinës kundër qeverisë Meloni. Policia ndërhyn me gaz lotsjellës, tre të shoqëruar

Ndaje në Whatsapp
Përplasje të dhunshme në Torino, mijëra protestues pro

Mijëra protestues pro Palestinës kanë dalë mbrëmjen e së premtes në rrugët e Torinos, në një manifestim kundër politikave të qeverisë së Giorgia Melonit, shpenzimeve për armatime dhe luftës në Gaza. Protesta, e organizuar nga lëvizja “Torino per Gaza” dhe studentët që kanë pushtuar kampusin universitar Einaudi, u shoqërua me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë në qendër të qytetit.

Me thirrjet “Meloni, po vijmë” dhe pankartën “Çdo universitet do të jetë një barrikadë, ne nuk do ta paguajmë luftën”, mijëra pjesëmarrës u mblodhën në sheshin Castello, përpara se të nisnin marshimin nëpër rrugët kryesore të Torinos.

Forcat e rendit kishin bllokuar hyrjet në disa prej rrugëve kryesore të qendrës, por një pjesë e protestuesve arriti të kalonte përmes rrugëve anësore. Tensionet nisën kur disa demonstrues hodhën shishe ndaj një automjeti të karabinierëve, ndërsa përplasjet më të forta u regjistruan në rrugën Roma, ku persona me fytyra të mbuluara dhe helmeta hodhën sende në drejtim të policisë.

Agjentët ndërhynë duke shtyrë protestuesit drejt sheshit Castello dhe duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre. Megjithatë, demonstruesit arritën të riktheheshin në disa prej zonave të bllokuara, duke e konsideruar hyrjen në qendër të qytetit një arritje të protestës.

Pas orës 20:00, marshimi përfundoi në sheshin Vittorio, ku organizatorët njoftuan një tjetër mobilizim për 7 nëntor.

Sipas bilancit të parë të autoriteteve, tre persona u shoqëruan në komisariat pas përplasjeve të mbrëmjes, ndërsa numri i përgjithshëm i personave të denoncuar gjatë protestave të së premtes arriti në dhjetë. Mes personave që pësuan dëmtime ishte edhe një fotoreportere, e cila, sipas raportimeve, u rrëzua nga policia gjatë ndërhyrjes.

Përplasjet e mbrëmjes pasuan grevën e përgjithshme të zhvilluar gjatë ditës në Itali, ku sindikata, studentë dhe lëvizje pro palestineze protestuan kundër rritjes së kostos së jetesës dhe shpenzimeve ushtarake.

Megjithatë, protesta në Torino pati edhe momente paqësore. Përpara përshkallëzimit të tensioneve, disa demonstrues biseduan me policët, ndërsa një vajzë u dhuroi lule agjentëve. Pak më vonë, ajo mori një propozim martese nga partneri i saj, të cilit iu përgjigj pozitivisht.

Protestat e së premtes në Torino ishin pjesë e mobilizimit më të gjerë në Itali kundër politikave të armatimit dhe në mbështetje të Palestinës.

Video

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme