Sociale 4 August 2026, 10:59 Nga VNA

KLSH: Ujësjellësit po mbulojnë dështimet e tyre duke rritur çmimin e ujit për qytetarët

Ndaje në Whatsapp
KLSH: Ujësjellësit po mbulojnë dështimet e tyre duke rritur

Rritja e tarifave të ujit po përdoret në disa raste më shumë për të mbuluar pasojat e keqmenaxhimit dhe joeficiencës së ujësjellësve sesa për të përmirësuar performancën e tyre. Kontrolli i Lartë i Shtetit e ngre këtë shqetësim në auditimin e Entit Rregullator të Ujit, duke evidentuar nivele tepër të larta të Ujit Pa të Ardhura në Lezhë, Fier dhe Shkodër.

Sipas KLSH-së, treguesi i Ujit Pa të Ardhura arrin në 74.14% në UK Rajonale Lezhë, 69.59% në Fier dhe 67.01% në Shkodër. Auditimi vlerëson se problemi nuk po trajtohet me masa konkrete dhe detyruese në përpjesëtim me ndikimin që ka në kostot që përballojnë konsumatorët që paguajnë rregullisht faturat.

“Në këto kushte, rritja e tarifave më së shumti përdoret për të mbuluar pasojat e mosmenaxhimit dhe joeficiencës së këtyre shoqërive”, konstaton KLSH, ndërsa thotë se kërkesat për tarifa më të larta nuk janë shoqëruar me masa të qarta e të matshme për uljen e humbjeve, luftimin e lidhjeve të paligjshme, përmirësimin e faturimit dhe investimet në rrjet.

Situata më problematike nga tre operatorët e analizuar rezulton në Lezhë. Shoqëria prodhonte rreth 13.65 milionë m³ ujë në vit, por vetëm 16.3% e prodhimit ishte e matur. Uji Pa të Ardhura arrinte në 74.14%, nivel që vetë dokumentacioni i përdorur në procesin rregullator e konsideron të papranueshëm. Problemi lidhet me humbjet teknike, lidhjet e paligjshme dhe pasaktësitë në vlerësimin e sasive të ujit.

Në Shkodër problemi është edhe më i madh sa i përket besueshmërisë së bazës së të dhënave. Prodhimi vjetor është rreth 14.8 milionë m³, por është pothuajse 100% i vlerësuar, pasi vetëm disa burime kanë ujëmatës. Nga ky prodhim, shoqëria faturon vetëm 32.98%, ndërsa Uji Pa të Ardhura është 67.01%.

Rrjeti prej 313 kilometrash paraqitet në një pjesë të madhe i amortizuar, sidomos në Vau Dejës dhe Malësi të Madhe. Ndërkohë, 73.7% e lidhjeve të konsumatorëve kanë ujëmatës, por matja mungon pikërisht në prodhim, duke krijuar pasiguri mbi volumin që hyn në sistem.

Në Fier prodhohen 20.79 milionë m³ ujë në vit, nga të cilat vetëm 67.7% maten. Shoqëria faturon vetëm 30.41% të ujit të prodhuar, ndërsa Uji Pa të Ardhura arrin në 69.59%.

Në Fier, auditimi thekson edhe burimin e humbjeve: 31.93% përfaqësojnë humbje administrative, ku përfshihen lidhjet e paligjshme dhe nënfaturimi, ndërsa 37.01% janë humbje reale ose teknike.

KLSH vlerëson se, kur niveli i Ujit Pa të Ardhura është kaq i lartë, rritja e tarifës rrezikon t’ua transferojë barrën konsumatorëve korrektë, ndërsa vazhdojnë problemet që krijojnë humbjet.

Për këtë arsye, KLSH kërkon që ERRU, kur miraton tarifat për operatorët me humbje të larta, të vendosë kushte detyruese performance dhe jo vetëm objektiva deklarative. Operatorët duhet të kenë plane veprimi të verifikueshme, afate, indikatorë konkretë dhe pasoja rregullatore nëse objektivat nuk realizohen./ekofin.al

 

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme