Sociale 3 August 2026, 15:41 Nga VNA

Gushti nis me thellim të rënies së Euros në kursin ndaj Lekut

Ndaje në Whatsapp

111.jpg

Muaji gusht ka nisur me një thellim të mëtejshëm të rënies së Euros në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 93.36 lekë, niveli më i ulër i të gjitha kohërave.

Që nga fillimi i vitit 2026, kursi i Euros me Lekun ka rënë me 3.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë zhvlerësimi i Euros ka arritur në 4.15%.

Agjentët e këmbimit valutor besojnë se rënia e Euros në këtë periudhë i detyrohet kryesisht efektit të sezonit veror. Piku i sezonit turistik shoqërohet me rritje të flukseve valutore hyrëse, që zakonisht gjatë muajve të verës sjellin edhe rënie të kursit të këmbimit Euro-Lek.

Në të dhënat historike, kulmi i efektit sezonal në kursin e këmbimit shënohet në periudhën mes gjysmës së dytë të korrikut dhe gjysmës së parë të gushtit. Në këtë kuptim, rënia e Euros duket në linjë me këto tendenca.

Megjithatë, përtej efektit të sezonit veror, zhvlerësimi i Euros është një tendencë e qëndrueshme që po vijon prej më shumë se një dekade dhe është theksuar ndjeshëm në vitet pas pandemisë.

Kjo periudhë përkon me ciklet e shpejtë të rritjes së sektorit të turizmit dhe atij të pasurive të paluajtshme. Vlerësohet se secili prej këtyre sektorëve ka dhënë efekt të rëndësishëm në rënien e kursit të këmbimit Euro-Lek, nëpërmjet rritjes së flukseve valutore hyrëse.

Bilanci i pagesave u përmirësua ndjeshëm vitin e kaluar dhe shënoi deficitin më të ulët historik.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për 2025 deficiti i llogarisë korrente kishte vlerën e 178 milionë eurove, 70% më pak krahasuar me vitin 2024. Kontribuuesi kryesor ishte sektori i turizmit.

Ndërkohë, sektori i pasurive të paluajtshme ka tërhequr sasi të mëdha të investimeve të huaja, por paralelisht vlerësohet se thith edhe shuma të konsiderueshme të valutës prej aktiviteteve të jashtëligjshme të shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

Pasuritë e paluajtshme po dominojnë gjithnjë e më shumë investimet e huaja direkte.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për tremujorin e parë të këtij viti arritën vlerën e 172 milionë eurove, në rritje me 65% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ato sollën pothuajse 43% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte, duke arritur peshën më të lartë historike në strukturën e investimeve të huaja.

Statistikat tregojnë se në fund të tremujorit të parë, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme arriti në rreth 2.83 miliardë euro. Që nga fillimi i vitit 2020, stoku i investimeve të huaja në real estate është rritur me 486%.

Pjesërisht, rënia e Euros kundrejt Lekut besohet se po nxitet edhe nga një tendencë në tkurrje e ofertës së monedhës vendase në tregun e brendshëm, kryesisht për shkak të politikës fiskale të ndjekur nga Qeveria Shqiptare. Në vitet e fundit, buxheti po qëndron në suficit për pjesën më të madhe të vitit. Për 6-mujorin 2026, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 52.8 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor.al/

2222.png

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme