Politika 27 May 2026, 11:54 Nga VNA

Gjermania dhe Holanda i prishin festën Ramës në Bruksel: “Drejtësia dhe SPAK-u nuk preken”

Ndaje në Whatsapp
Gjermania dhe Holanda i prishin festën Ramës në Bruksel:

 

Konferenca Ndërqeveritare e mbajtur në Bruksel për procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian u përdor nga Edi Rama si një moment suksesi dhe triumfi. Dhe në fakt nuk është pak, duke pasur parasysh se ç’ndodh në Shqipëri. Me gjasë BE dhe vendet anëtare janë treguar dashamirëse me qeverinë e Edi Ramës.

Por pa u mbyllur mirë festa e kryeministrit shqiptar, dy vende anëtare nxituan të reagonin me deklarata që me gjasë kishin qenë gati në sirtarët e diplomacisë. Dhe gjuha e përdorur në to nuk ishte aspak diplomatike, por e qartë, e saktë dhe drejt e në plagën më të madhe të politikës shqiptare.

Gjermania dhe Holanda zgjodhën të japin një mesazh shumë më të ftohtë dhe politikisht domethënës: drejtësia nuk negociohet dhe reforma nuk është dekor propagandistik.

Në deklaratat e publikuara pas konferencës, ambasadori gjerman Karl Bergner dhe ambasadori holandez Reinout Vos përgëzuan Shqipërinë për arritjen e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals”, por theksi real nuk ishte te urimet.

Mesazhi kryesor ishte paralajmërimi dhe jo trokitja e gotave.

Të dy diplomatët vendosën në qendër të deklaratave të tyre respektimin e pavarësisë së drejtësisë, luftën pa pengesa ndaj korrupsionit edhe në nivelet e larta dhe detyrimin që vendimet për heqjen e imunitetit të jenë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Çka do të thotë se me gjasë çdo kërkesë e re për heqje imuniteti nuk do të tolerohet më nga Brukseli.

Kur Gjermania dhe Holanda thonë se “lufta kundër korrupsionit pa pengesa” është kusht i panegociueshëm, kjo do të thotë se BE-ja po ndjek me vëmendje çdo përpjekje politike për të kushtëzuar, relativizuar apo delegjitimuar hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.

Kur përmendet specifikisht çështja e heqjes së imunitetit dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, mesazhi bëhet edhe më i drejtpërdrejtë: Europa nuk dëshiron që shumicat politike në Tiranë të përdorin parlamentin si strehë mbrojtëse për pushtetin.

Në fakt, ajo që ndodhi në Bruksel ishte pothuaj paradoksale.

Nga njëra anë, qeveria shqiptare kërkonte ta paraqiste konferencën si një tjetër vulë suksesi për rrugën europiane të Shqipërisë. Nga ana tjetër, dy vende që historikisht kanë qenë ndër më skeptiket për zgjerimin, i kujtuan publikisht Tiranës se procesi nuk matet me konferenca, por me mënyrën si trajtohen drejtësia, korrupsioni dhe pushteti.

Dhe kjo ndodhi në një moment kur në Shqipëri debati publik është dominuar pikërisht nga tensioni mes politikës dhe SPAK, hetimet ndaj figurave të afërta me pushtetin dhe akuzat për ndërhyrje apo presion ndaj institucioneve të drejtësisë.

Për më tepër, fakti që Gjermania dhe Holanda përdorën pothuaj të njëjtën gjuhë politike dhe të njëjtat kushte tregon se kemi të bëjmë me një qëndrim të koordinuar europian dhe jo me deklarata rutinë ambasadash.

Në politikën shqiptare shpesh mjafton një foto në Bruksel për të shpallur fitore. Por këtë herë, pas buzëqeshjeve diplomatike, mbeti një mesazh shumë më i ftohtë:

Rruga europiane e Shqipërisë nuk kalon nga propaganda, por nga prova konkrete se pushteti nuk vendoset mbi drejtësinë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme