
Një 38-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij në vitin 2022, është arrestuar nga Policia e Durrësit, pas deportimit nga Greqia.
Në pranga ka rënë shtetasi F. H., 38 vjeç, banues në Manzë, ndaj të cilit Gjykata e Durrësit kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, më 31 mars 2022, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Sipas Policisë, 38-vjeçari akuzohet se më 18 mars 2022 ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, e cila, si pasojë e dëmtimeve të rënda, ka humbur jetën 10 ditë më vonë.
Arrestimi i tij u bë i mundur pas deportimit nga autoritetet greke, ndërsa specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan masën e sigurisë të vendosur nga gjykata.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për vijimin e veprimeve ligjore.






















