
Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka denoncuar shkelje të të drejtave të të miturve të ndaluar gjatë protestave, duke zbuluar se disa prej tyre janë gjetur me shenja dhune në komisariate.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Shabani deklaroi se të miturit janë marrë në pyetje pa praninë e prindërve apo psikologëve, nuk janë mbajtur në ambiente të veçuara dhe janë intervistuar jashtë orarit ligjor.
“Në komisariate janë gjetur të mitur me shenja dhune, të cilat ishin të paekzaminuara”, deklaroi Shabani, duke kërkuar nxjerrjen e përgjegjësive dhe marrjen e masave që shkelje të tilla të mos përsëriten.
Avokati i Popullit theksoi se Policia duhet të garantojë sigurinë e qytetarëve dhe jo të perceptohet si një institucion që shkakton frikë, duke nënvizuar se përdorimi i forcës duhet të jetë gjithmonë i domosdoshëm dhe proporcional.






















