Politika 16 June 2026, 20:57 Nga VNA

Dita e 17-të e protestës, të rinjtë marrin fjalën para Kryeministrisë: “Ka lindur një popull që nuk njeh më frikën”

Ndaje në Whatsapp
Dita e 17-të e protestës, të rinjtë marrin fjalën para

Protesta kundër investimit në Zvërnec vijoi edhe sot në ditën e saj të 17-të, me qytetarët që u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalimet e radhës.

Organizatorët njoftuan se duke nisur nga e mërkura, grumbullimi do të zhvillohet në orën 19:00 dhe jo më në 18:00, për shkak të temperaturave të larta. Ndryshe nga ditët e tjera, mikrofoni iu la kryesisht të rinjve dhe studentëve, të cilët shprehën qëndrimet e tyre për zhvillimet e fundit dhe për deklaratat e komisioneres së Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos.

Një biolog mjedisi iu referua deklaratës së Kos, sipas së cilës autoritetet shqiptare kanë dhënë garanci për respektimin e standardeve europiane në projektet e debatueshme. “Sot morëm vesh që qenka bërë Narta Kos dhe këtë e tha Marta Kos. Rama, Marta Kos, nuk pijnë më ujë garancitë këtu. Anuloni ligjin!”, u shpreh ai para protestuesve.

Në podium u fol edhe për marshimin e zhvilluar drejt Rinasit dy ditë më parë, i cili ka ngjallur debate mes mbështetësve dhe kritikëve të protestës. Një prej protestuesve tha se pjesëmarrja e mijëra qytetarëve në një ecje prej rreth 15 kilometrash gjatë natës tregoi nivelin e pakënaqësisë ndaj qeverisë.

“Po procedohemi për marshimin e para dy ditëve. Ka shumë njerëz që thonë se ai marshim i gjatë ishte i gabuar dhe kanë të drejtën e tyre ta thonë. Por ai marshim tregoi diçka. Ishin mijëra vetë që marshuan 15 kilometra në mes të natës. Kishte gjyshe, vajza, djem dhe burra që vendosën të ecin. Nuk ishin militantë. Qeveritarët duhet ta kuptojnë se qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës”, tha ai.

Sipas protestuesit, protesta ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në shoqëri. “Sot ka lindur një popull që nuk e njeh më frikën”, deklaroi ai, duke shtuar se në ditët në vijim pritet një vëmendje edhe më e madhe nga mediat vendase dhe ndërkombëtare.

Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin e planifikuar në rrugët e Tiranës. Kolona e qytetarëve përshkoi disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, duke vijuar ritualin e ditëve të fundit, ndërsa nuk munguan thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria e re”.

Protesta u zhvillua pa incidente dhe me të njëjtat kërkesa të artikuluara që prej nisjes së saj: kundërshtimin e investimit në Zvërnec dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Organizatorët kanë paralajmëruar se deri më 20 qershor presin një reagim nga qeveria, ndërsa më pas kanë lënë të kuptohet se aksionet protestuese mund të përshkallëzohen.

Video

🔴LAJM I FUNDIT/ Flakadanët u kushtojnë dy muaj jashtë Kuvendit pesë demokratëve, Berisha përjashtohet për 10 ditë

Presidenti amerikan Donald Trump u përplas verbalisht të enjten me gazetarin e Reuters, Jacob Bogage, pasi ai e pyeti nëse anulimi i një vizite elektorale në Kansas lidhej me lodhjen apo shëndetin e tij. “Je i çmendur që bën një pyetje të tillë, je i sëmurë”, iu drejtua Trump reporterit, duke sulmuar më pas edhe agjencinë Reuters. Megjithëse gazetari shpjegoi se donte vetëm të sigurohej që presidenti ishte mirë, Trump vijoi me fyerje për pamjen dhe formën e tij fizike. Presidenti këmbënguli se ndihej shumë mirë dhe tha se vizita në Kansas nuk ishte e nevojshme, pasi senatori republikan Roger Marshall, të cilin do të mbështeste, po ecte mirë në garë.

Vendoret 2027, Balla dhe Klosi te Begaj për datën e zgjedhjeve, opozita refuzon konsultimet

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme