Politika 28 May 2026, 16:26 Nga VNA

Ambasadori i ri: Tre prioritetet e diplomacisë amerikane në Shqipëri

Ndaje në Whatsapp

fdfgfgb.jpg

Gjenerali-lejtnant në pension, Eric Wendt pritet të miratohet në Senatin Amerikan si ambasadori i ri amerikan për Shqipërinë, thuajse tre vite pas largimit të ambasadores së fundit amerikane, Yuri Kim.

I nominuari i presidentit Donald Trump për këtë detyrë ka ngjallur shumë interes në Tiranë për shkak të profilit të tij dhe marrëdhënieve mes dy vendeve – veçanërisht për pritshmëritë që ka roli i diplomacisë amerikane në politikën e brendshme shqiptare.

Gjatë dëgjesës në Senat, Wendt foli për qasjen që pritet të ndjekë administrata amerikane ndaj Shqipërisë në lidhje me sigurinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe mbështetjen ndaj SPAK-ut. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të interesave ekonomike amerikane në rajon.

Wendt, i cili ka shërbyer si komandant i Forcave të Operacioneve Speciale të NATO-s në Evropë dhe ka bashkëpunuar drejtpërdrejt me Forcat Speciale shqiptare, e përshkroi Shqipërinë si një aleate të rëndësishme të NATO-s. Në këtë kontekst, ai tha se do të punojë që Shqipëria të përmbushë objektivin për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe të forcojë kapacitetet e sigurisë kibernetike.

Por pjesa që tërhoqi më shumë vëmendjen në Tiranë ishte qëndrimi i tij ndaj Prokurorisë së Posaçme, SPAK- të cilën Wendt e përshkroi si ‘një organizëm i vlefshëm’, ‘i pavarur’ dhe ‘apolitik’.

Analistë të politikës e shohin emërimin e Eric Wend si një sinjal të vazhdimësisë së interesit strategjik amerikan ndaj Shqipërisë, veçanërisht në çështjet e sigurisë, reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit. Ata vlerësojnë gjithashtu se profili i tij ushtarak dhe deklaratat për SPAK-un tregojnë se Uashingtoni synon të ruajë një rol aktiv në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit.

Për Afrim Krasniqin, drejtor i Instituti për Studime Politike, ardhja e një ambasadori të ri amerikan pas një vakance të gjatë është një zhvillim me rëndësi politike dhe strategjike për Shqipërinë.

“Është lajm i mirë ardhja e ambasadorit të ri, sepse nominimet e mëparshme nuk arritën të merrnin miratimin dhe Shqipëria kishte mungesë përfaqësimi në një periudhë të rëndësishme,” tha Krasniqi për BIRN.

Sipas tij, Shqipëria mbetet një vend me nevojë të fortë për prezencën amerikane, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve historike mes dy vendeve, por edhe për mënyrën sesi SHBA-ja ndërhyn në raport me institucionet dhe prioritetet strategjike.

“Shqipëria ka nevojë jetike për prezencën aktive të SHBA-së. Ndryshe nga Bashkimi Europian, mënyra se si amerikanët operojnë është më konkrete, më e shpejtë dhe më direkte,” u shpreh ai.

Prioritetet e shpallura nga Wendt ai nuk i sheh të ndryshme nga qasja e mëparshme amerikane ndaj Shqipërisë, me fokusin te drejtësia si mbrojtje e ‘investimit’ të tyre në funksion të demokracisë funksionale.

“Reforma në drejtësi është eksperimentuar në Shqipëri kryesisht për shkak të meritës dhe mbështetjes amerikane dhe besoj se mbështetja për SPAK-un do të jetë sërish prioritet, sepse është një produkt ku SHBA-ja ka investuar politikisht dhe institucionalisht,” tha Krasniqi.

Por Krasniqi hedh poshtë pritshmëritë politike në Tiranë për një ndryshim të mundshëm të kursit amerikan në varësi të administratës në Uashington.

“Kjo retorikë në Tiranë për pritshmëri me natyrë partiake nuk mendoj se qëndron. Presidentët amerikanë, qofshin republikanë apo demokratë, kanë pasur pak a shumë të njëjtën axhendë ndaj Shqipërisë. Mund të kenë ndryshuar prioritetet globale, por jo qasja amerikane ndaj një vendi si Shqipëria,” theksoi ai.

Edhe ish-ambasadori Arben Çejku e interpreton emërimin e Wend si vazhdimësi të politikës amerikane në rajon, sidomos në raport me luftën kundër korrupsionit dhe mbështetjen për SPAK-un.

“Mungesa e ambasadorit për tre vite nuk lidhej me një qëndrim të SHBA-ve ndaj Shqipërisë, por me pamundësinë për të kaluar kandidaturat në Senat,” tha Çejku, duke shtuar se ardhja e ambasadorit do t’i japë një shtysë të re interesave amerikane në Shqipëri, përfshirë “mbështetjen për SPAK-un, drejtësinë e re dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë në nivele të larta”.

Sipas tij, përmendja e SPAK-ut në senatin amerikan nuk ishte rastësore, por sinjal se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të mbetet në qendër të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Përmendja e SPAK-ut dhe e luftës kundër trafiqeve ndërkombëtare si interesa amerikane tregon se kjo do të mbetet një nga kryefjalët e ambasadorit të ri,”- tha Çejku duke vlerësuar se sfida kryesore për vendin do të jetë ruajtja e ritmit të reformës në drejtësi në një moment kur, sipas tij, ‘ka sinjale për ngadalësim’.

Ai paralajmëroi se normalizimi i bashkëjetesës me korrupsionin dhe krimin do të kishte pasoja serioze për shtetin ligjor.

“Shpresojmë që angazhimi amerikan të vazhdojë për të frenuar çdo përpjekje për ta zbutur këtë luftë dhe për të mos lejuar që shqiptarët të mësohen të bashkëjetojnë me krimin dhe korrupsionin, sepse ky do të ishte fundi i shtetit ligjor dhe i funksionimit të demokracisë,” tha ai.

Çejku vlerëson gjithashtu profilin ushtarak të Wendt në kontekstin e zhvillimeve të sigurisë në rajon dhe rolit të Shqipërisë në NATO.

“Në sfondin e presionit rus dhe të faktorëve të tretë në rajon, ky profil mund të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit ushtarak të Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe në raportet bilaterale me SHBA-në,” përfundon ai./BIRN/

 

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme