Politika 22 Tetor 2024, 19:50 Nga VNA

Zgjidhet me kontestime kryetari i ri i KLGJ

Ndaje në Whatsapp
Zgjidhet me kontestime kryetari i ri i KLGJ

Në një kohë rekord pas hapjes së thirrjes, zv.kryetari i KLGJ, Ilir Rusi u zgjodh kryetar me 10 vota pro, ndërsa procedura u konsiderua si e paligjshme dhe e pabarabartë nga anëtarja më e re e zgjedhur nga Kuvendi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor zgjodhi të martën përmes një procesi të kontestuar Ilir Rusin si kryetarin e ri në vend të Naureda Llagamit, ndërsa në pozicionin e zv.kryetarit u zgjodh anëtarja Yllka Rupa.

Kundërshtimi erdhi që në fillim të seancës nga anëtarja më e re e Këshillit, Violanda Theodhori, e cila deklaroi se ishte njoftuar vetëm të hënën për zgjedhjen e kryetarit të ri përmes një shkrese të panënshkruar dhe të dërguar me email. Sipas Theodhorit, duhen të paktën shtatë ditë nga momenti i hapjes së thirrjes, që kandidatët të paraqesin interesin e tyre.

Theodhori theksoi se këto rrethana e vendosin në pamundësi objektive për të kandiduar. Sipas saj, situata e krijuar është jo vetëm e paligjshme, por dhe i vendos kandidatët në kushte të pabarabarta. Ajo kërkoi që për shqyrtimin e pikës së dytë të rendit të ditës të caktohej një datë tjetër, ose të hiqej nga rendi i ditës.

Zëvendëskryetari Ilir Rusi ndërhyri duke nënvizuar se ishin duke vepruar sipas ligjit dhe se mbledhja prandaj ishte cilësuar si jo e zakonshme. Ai kërkoi vijimin e shqyrtimit të pikës së parë, ku u miratua deklarimi i mbarimit të mandatit të ish-kryetares Naureda Llagami.

Procedura e ndjekur u kontestua dhe nga anëtari tjetër jomagjistrat, Bledar Bajri. Ai tha se anëtarja më e re sapo kishte ardhur dhe nuk i është dhënë mundësia për të kandiduar. Bajri theksoi se e mbështet Theodhorin që të mund t’i jepet mundësia asaj dhe secilit për të shprehur interesin, nëse e vlerëson.

Bajri ngriti pikëpyetje mbi procedurën që po ndiqej. Ai e pyeti Rusin, se në rast të shprehjes së interesit për kryetar, a do të duhej të dorëhiqej si zëvendëskryetar dhe ta drejtonte mbledhjen anëtari më i vjetër, me qëllim që të mos kishte kontradikta në procesin e përzgjedhjes.

Rusi u shpreh se kjo nuk është mbledhja e parë e Këshillit dhe se e ka ai tagrin ta drejtojë si zëvendëskryetar, në mungesë të kryetares. Por, Bajri këmbënguli duke nënvizuar se mendonte se Rusi duhej të hiqte dorë, me qëllim që kandidimi të kryhej në mënyrë të barabartë.

Kërkesa e Theodhorit për shtyrje dhe Bajrit për dhënie kohe të martën, u rrëzua nga shumica e anëtarëve të KLGJ.

Në vijim, paraqitën interes për pozicionin e kryetarit, zëvendëskryetari Ilir Rusi që po drejtonte mbledhjen dhe anëtari Bledar Bajri. Dy kandidatët, pa paraqitur ndonjë platformë lidhur me vizionin dhe mënyrën për drejtimin e këshillit, u votuan nga gjithë anëtarët e këshillit.

Ilir Rusi mori 10 vota pro, ndërsa Bajri votoi veten.

Pasi u zgjodh si kryetar, Rusi tha se pozicioni i zëvendëskryetarit mbetet i lirë. Në vijim anëtari Klodian Kurushi propozoi që të shtohet në rend dite edhe zgjedhja e zëvendëskryetarit. Nga tre anëtarët që paraqitën interes për këtë pozicion, Violanda Theodhori, Albenc Tabaku dhe Yllka Rupa, u zgjodh kjo e fundit si zëvendëskryetare. Edhe tre kandidatët për zëvendëskryetar nuk paraqitën ndonjë platformë para Këshillit.

E pyetur nga BIRN lidhur me këtë rrethanë, koordinatorja për të drejtën e informimit, Blerta Ngucaj tha se ligji dhe rregullorja e këshillit, nuk parashikojnë që për zgjedhjen e kryetarit dhe zëvendëskryetarit, të paraqiten prej tyre platforma. Ajo shtoi se kjo praktikë është mbajtur.

Kryetari i ri i KLGJ-së, Ilir Rusi u zgjodh anëtar në mars të vitit 2022 nga radhët e pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, me një mandat pesë vjeçar. Atëherë ai mori dhe funksionin e zëvendëskryetarit që e mbajti deri të martën.

Zëvendëskryetarja Yllka Rupa është zgjedhur si anëtare e KLGJ po ashtu nga radhët e pedagogëve, më datë 2 shkurt 2022./BIRN/

 

Video

Një vatër zjarri ka shpërthyer në orët e mbrëmjes në Orikum. Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Vlorës, ndërsa për ndihmë kanë shkuar edhe mjete dhe efektivë nga Himara. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit.

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë stuhinë më të fuqishme të dëborës në dhjetë vitet e fundit, e cila ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në furnizimin me energji elektrike dhe në transportin ajror, si dhe ka detyruar autoritetet të shpallin gjendje emergjence në një numër të madh shtetesh. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 130 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa mbi 12 mijë fluturime janë anuluar për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Gjendja e emergjencës është shpallur në 21 shtete, ku autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.

Alpinisti amerikan Alex Honnold ka realizuar një ngjitje historike të dielën, duke u bërë personi i parë që ka shkallëzuar ndërtesën më të lartë të Tajvanit, Taipei 101, pa përdorur litar, parzmore apo rrjet sigurie. Ngjitja u zhvillua në kushte të kontrolluara dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare, për shkak të nivelit ekstrem të rrezikut dhe vështirësisë që paraqet një strukturë prej 508 metrash lartësi. Taipei 101 konsiderohet një nga ndërtesat më ikonike në botë dhe një sfidë e jashtëzakonshme për çdo alpinist. Alex Honnold është i njohur globalisht për ngjitjet e tij pa mjete sigurie (free solo), duke shtyrë kufijtë e alpinizmit modern. Autoritetet lokale nuk kanë raportuar incidente gjatë ngjarjes, ndërsa ngjitja është cilësuar si një arritje e rrallë sportive dhe teknike.

Protestat e kamionistëve do të ndikojnë qarkullimin kufitar nga 26 janari. Automjetet e transportit të mallrave do të ndalohen të hyjnë dhe të dalin nga pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut: hyrja bllokohet nga mesnata, ndërsa dalja nga ora 12:00. Po ashtu, nga ora 11:30 e 26 janarit nis një grevë 48-orëshe e Shoqatës së Kamionistëve të Malit të Zi, duke ndaluar qarkullimin e kamionëve nga Shqipëria drejt këtij vendi. Në akset drejt kufirit me Malin e Zi do të lejohen vetëm automjete të vogla, autobusë, mjete emergjence dhe transport pasagjerësh. Përjashtim nga ndalimi bëjnë kamionët që transportojnë ilaçe dhe bagëti, ndërsa qarkullimi i automjeteve të udhëtarëve vijon normalisht. Protesta zhvillohet për shkak të kërkesave të kamionistëve për lehtësira fiskale, përmirësim të kushteve në dogana dhe kundërshtim të kufizimeve të punës së shoferëve në zonën Shengen.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme