Politika 10 September 2024, 21:51 Nga VNA

Zëri i Amerikës: Çfarë pritet nga thirrja e Sali Berishës nesër në SPAK

Ndaje në Whatsapp
Zëri i Amerikës: Çfarë pritet nga thirrja e Sali

Në Shqipëri, ish kryeministri Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, pritet të shkojë nesër në Prokurorinë e Përgjithshme ku ai është thirrur të paraqitet para prokurorëve që hetojnë mbi çështjen e tij. Kjo është hera e dytë që ai thirret në Prokurorinë e posaçme, që kur vitin e shkuar, u vu nën hetim, për procedurat e ndjekura në rastin e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani. Ai dyshohet të ketë favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, u ngrit një kompleks pallatesh.

Prokuroria nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar mbi arsyet për thirrjen e zotit Berisha, por sipas burimeve, pritet që atij t’i komunikohet akuza. Deri më tani zoti Berisha ka qenë vetëm një i dyshuar për “korrupsion”, ndërsa dhëndri i tij, Malltezi, i cili fillimisht u arrestua duke u lënë në burg, por më pas në “arrest shtëpie”, dyshohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, të kryer në bashkëpunim me ish kryeministrin si dhe “pastrim parash”. Atij i janë vënë nën sekuestër dhe një sërë pasurish të patundshme.

Nëse do t’i komunikohet një akuzë, atëherë zoti Berisha do të ketë për drejtësinë, statusin e të pandehurit. Thirrja e tij në Prokurorinë e Posaçme është konfirmuar indirekt dhe nga një mesazh telefonik që sipas mediave i është dërguar deputetëve nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka, përmes të cilit ai i fton të mblidhen para godinës së SPAK-ut. “Të mobilizohemi të gjithë maksimalisht. për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtesisë”, shkruan ai në mesazhin e tij.

Në tetor të vitit të shkuar, ndaj zotit Berisha u vendos masa “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim të lëvizjes jashtë vendit”. Por ish kryeministri e shpërfilli atë duke e konsideruar në shkelje të kushtetutës. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme kërkoi më pas “arrestin në shtëpi”, ndërsa parlamenti u shpreh në favor të heqjes së imunitetit ndaj zotit Berisha, në fund të muajit dhjetor. Gjatë gjithë kësaj kohe ish kryeministri dhe avokatët e tij, kanë shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore për të kërkuar heqjen e masës së sigurisë, duke pretenduar se ndaj tij nuk ka asnjë akuzë apo dhe prova. Por të trija shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, i kanë refuzuar kërkesat e tyre, sikundër dhe atë për pjesmarrjen e zotit Berisha në punimet e parlamentit.

Sipas Prokurorisë, duke shfrytëzuar pozitën e tij si kryeministër, zoti Berisha dyshohet të ketë miratuar ligje dhe akte nënligjore duke i përshtatur sipas nevojave të ish-pronarëve të truallit të ish kompleksit Partizani, dhe se përmes kontrolleve administrative është ushtruar presion ndaj strukturave shtetërore që të përshpejtonin procedurat si dhe vënien e këtyre strukturave në dispozicion të zoti Malltezi për realizimin e privatizimit. Ish kryeministri i ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë duke deklaruar se ndaj tij “nuk ka asnjë provë, por vetëm trillime, mashtrime, falsifikime. Ka vetëm zbatim të porosisë politike”. Në mënyrë të përsëritur, ai ka sulmuar SPAK-un duke e cilësuar si “vegël të kryeministrit Rama” apo “organizatë kriminale”. /VOA

 

Video

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Elektriçistët po vdesin në shtyllat e OSHEE-së: tre viktima në pak muaj dhe ende asnjë përgjegjësi

Aksidentet rrugore në rritje, siguria në shkolla fillon nga siguria në rrugë

“Pse nuk takon qytetarët, por administratën?” Rama mbyll takimin me qytetarët por qytetarët që kërkuan t’i flisnin përfunduan në polici. Video: Disidentët

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme