Sociale 2 March 2025, 16:41 Nga VNA

Transporti publik në kryeqytet, 84% e vlerësojnë të dobët

Ndaje në Whatsapp
Transporti publik në kryeqytet, 84% e vlerësojnë të

Autobusët nuk kanë orare fikse, janë të tejmbushur, kundërmojnë erë të keqe. Të marrësh makinë private ka kosto shumë të larta, por të çosh fëmijët në kopsht e çerdhe është e pamundur me transport publik, sidomos kur i ke në distanca të largëta.

Edhe tema e targave teke e çift është qesharake për ne, që makinën private e përdorim për shkak se transporti publik nuk ofron zgjidhje. Nëse transporti publik do të jepte zgjidhje për rastin tim, unë s’do të merrja makinë personale çdo ditë”, thotë Bona nga Tirana, që shpenzon mbi dy orë në trafik çdo ditë dhe përdor makinën e saj.

Bona komentoi në sondazhin e zhvilluar në faqen e Monitor.al gjatë muajit janar, përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting), e cila përveç pyetjeve me zgjedhje, mundëson dhe që qytetarët të japin opinionet e tyre për çështjet e ndryshme.

Gjithsej u përgjigjën 514 të anketuar, 76% e të cilëve meshkuj. Sipas rretheve, dominoi Tirana, me 92% të të anketuarve, duke e bërë si rrjedhojë këtë sondazh përfaqësues vetëm për kryeqytetin.

84% e të anketuarve nga kryeqyteti u përgjigjën se mendojnë se infrastruktura e transportit publik në qytetin e tyre është e dobët apo shumë e dobët. 13% e vlerësuan mesatare dhe më pak se 3% thanë se ishte e mirë, apo shumë e mirë.

“Frekuenca e autobusëve është shumë e ulët dhe e pastudiuar për numrin e pasagjerëve, oraret e mbërritjes në stacione nuk respektohen (i ndjek shpesh me Google maps kur pres përmes sistemit që u financua nga GIZ).

Nuk kemi nevojë për korsi biçikletash, por për korsi të posaçme autobusësh dhe ambulancash, autobusët të pajisen me pajisje gjurmuese që nëse dikush bllokon rrugën në stacionin e autobusit, menjëherë targa të raportohet në policinë rrugore dhe të gjobitet automatikisht maksimalisht”, thotë Ana.K, femër nga Tirana, e cila shpenzon mbi dy orë në trafik dhe e përdor makinën disa herë në javë.

“Infrastruktura, sidomos transporti publik, është shumë i dobët, pasi ai krijon një pjesë të mirë të trafikut në Tiranë. Nëse transporti publik do ishte siç duhej, atëherë më shumë persona do të zgjidhnin atë në vend të përdorimit të automjetit privat.

Kjo do të sillte uljen e numrit të automjeteve në qarkullim e për pasojë, përmirësimin e trafikut”, thotë Ilir.B nga Tirana, që shpenzon 1-2 orë në trafik në ditë.

“Transporti publik është pa orare të afishuara, pa sinjalistikë në stacione autobusi, dhe pa korsi të posaçme për to. Më shpejt ecet më këmbë se me transport publik. Pret në stacion për autobusin e linjës dhe pritja shkon nga 20-30 minuta.

Për më tepër nuk e di nëse do të vijë autobusi apo jo, që të zgjedhësh dhe ta bësh në këmbë rrugën. Kjo është eksperienca ime me linjën TEG, Kopshti Zoologjik, Stacioni i Trenit. Dhe detyrohesh të marrësh makinën në shumicën e rasteve, sepse je me fëmijë dhe është ftohtë jashtë.

Dhe kur vjen autobusi ka kaq shumë njerëz sa të merret fryma, sepse janë mbledhur shumë nga pritja në stacion”, thotë Elisa nga Tirana, që përdor makinën çdo ditë, shpenzon 1-2 orë në trafik.

10% e përdoruesve të makinave do të përdornin transporti publik nëse…

Nëse transporti publik do të ishte më i mirë në kryeqytet, të paktën 10% e të anketuarve thanë se do të preferonin këtë alternativë ndaj përdorimit të mjeteve private.

“Mungon transporti publik komod, si tren apo tram. Udhëtimi me autobusë nuk të nxit për të lënë makinën ndërkohë që është më i ngadaltë dhe totalisht jo komod në orët e pikut dhe duke pasur parasysh që ka shumë stacione”, thotë një mashkull nga Tirana, që përdor disa herë në javë makinën.

“Aktualisht jam banor i Durrësit që vij dhe punoj në Tiranë. Si në Durrës dhe në Tiranë, nuk ka respektim të orareve nga autobusët, ku me rregull është që çdo 5-8 minuta, autobusi duhet të kalojë në stacion.

Në shumicën e rasteve vonohen mbi 20-30 minuta. Autobusët janë të vjetër dhe jo në gjendjen e duhur dhe ka abuzime mbi oraret edhe nga firmat e transportit për të kursyer para”, thotë një mashkull, që përdor makinën disa herë në javë.

“Pritshmëritë që të përdorësh transportin publik dhe të arrish në punë në orar janë thuajse ZERO! Ndaj përdoret makina dhe bllokohen rrugët!

Nëse arrihet kjo, do të udhëtoja vetëm me transport publik!!”, thotë një mashkull nga Tirana, që shpenzon mbi dy orë në trafik./MONITOR

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme