Kronika 13 Maj 2025, 21:21 Nga VNA

“Toyota Auris”, SPAK kërkon 4 vjet burg për avokatin Radovan Çela

Ndaje në Whatsapp
“Toyota Auris”, SPAK kërkon 4 vjet burg për avokatin

Prokuroria e Posaçme kërkoi deklarimin fajtor të avokatit Radovan Çela, i akuzuar për korrupsion aktiv dhe ndikim të paligjshëm në çështjet penale që lidhen me dosjen “Toyota Auris”, duke kërkuar dënimin e tij përfundimtar me 4 vjet heqje lirie.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK paraqiti të martën më 13 maj konkluzionet përfundimtare në çështjen penale ndaj avokatit Radovan Çela, i akuzuar për korrupsion aktiv dhe ndikim të paligjshëm në çështjet penale që lidhen me dosjen e quajtur “Toyota Auris”, duke kërkuar deklarimin e tij fajtor. Prokurori Klodian Braho, në bashkim të dënimeve kërkoi masën përfundimtare me 6 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 4 vjet heqje lirie. Seanca u shty nga gjykata për t’i dhënë kohë mbrojtjes që të përgatisë konkluzionet përfundimtare.

Dosja penale në ngarkim të avokatit Radovan Çela, ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficeres së policisë gjyqësore, Eriona Daupaj, dhe biznesmenit Astrit Vladi, u dërgua për gjykim në fillim të muajit janar, ndërkohë që u nda çështja për të hetuar në vijim prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e tjerë të drejtësisë që dyshohet se lehtësuan akuzat për këto dosje.

Hetimet ndaj Zarkës dhe të pandehurve të tjerë u nisën bazuar në të dhënat e administruara nga aplikacionet SKY ECC. Sipas prokurorisë, është provuar fakti se katër të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë; sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.

Në vitet 2019 – 2020 kur janë kryer veprimet e kundraligjshme, Zarka ka qenë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës, e pandehura Eriona Daupaj ka qenë oficere e policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krime të Rënda dhe më pas në SPAK, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qenë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasit Alfred Vladi në çështjen “Toyota Auris” – procedim që u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.

Prokurori Zarka ishte i vetmi që nuk iu shmang arrestimit, ndërsa tre të pandehurit e tjerë u larguan. Zarka u ndalua më 29 korrik të vitit të kaluar dhe gjykimi ndaj tij filloi më herët. Për Zarkën SPAK kërkoi më 15 prill dënimin me 3 vjet burg. Radovan Çela u dorëzua në fillim të muajit mars dhe për rrjedhojë filloi edhe ndaj tij gjykimi. Mbeten në arrati ish-oficerja e policisë gjyqësore, Eriona Daupaj dhe biznesmeni Astrit Vladi./BIRN/

 

Video

Izraelitë të armatosur hapën zjarr në qytetin Sa’ir në Bregun Perëndimor të pushtuar. Grupi i izraelitëve me rroba civile u pa duke iu afruar palestinezëve me mitralozë në duar, në pozicion të gatshëm për të qëlluar.

Një re e dendur me pluhur portokalli ka mbuluar Gazën ndërsa një stuhi e fortë rëre ka përfshirë vendin. Erërat e forta dhe pluhuri kanë goditur kampet ku strehohen mijëra të zhvendosur, duke përkeqësuar më tej kushtet tashmë të vështira humanitare në këtë zonë të rrethuar. Autoritetet lokale paralajmërojnë se situata kërkon ndihmë urgjente për banorët më të prekur.

Avokati i Tik Tok-ut kundër Gjykatës Kushtetuese

Motoristët që punojnë për platformën e shpërndarjes Wolt në Shqipëri kanë nisur protesta ditët e fundit, duke ngritur shqetësime për kushtet e punës dhe pagesat. Ata pretendojnë se kushtet e punës janë të vështira dhe pagat të ulëta, duke shprehur shqetësimin se kompanitë po punësojnë gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj me paga minimale.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme