Shfrytëzimi i burimeve ujore për prodhim energjie elektrike ka qenë një nga të paktat politika të pandryshuara gjatë dekadës së fundit në Shqipëri.
Premtimet për të frenuar ndërtimin e hidrocentraleve, sidomos në zonat e mbrojtura, janë kaluar me një valë kontratash, projektesh të zvarritura dhe përplasjesh me komunitetet.
Citizens sjell një hartë të plotë të shpërndarjes së hidrocentraleve që u ndërtuan në 15 vitet e fundit.
Kush fiton dhe kush humbet nga ndërtimi i tyre? Përvoja tregon se komunitetet përreth digave nuk fitojnë gjë, përkundrazi.
Qeveritë ndërrohen, hidrocentralet vazhdojnë
Ndërsa qeveria e Kryeministrit Edi Rama, në pushtet prej vitit 2013, vazhdon ta paraqesë zhvillimin e hidrocentraleve si politikë të qëndrueshme energjitike, bilanci real mbetet i paqartë.
Pasi mori pushtetin, Rama e konsideroi “korrupsion shkatërrimtar” prirjen e qeverisë së shkuar të drejtuar nga Sali Berisha (2005-2013) për dhënien e lejeve të hidrocentraleve në zonat e mbrojtura.
Ai tha se në këto zona ishin dhënë 113 leje, prej të cilave theksoi se 55 “nuk kanë për të filluar punë” si zotim i tij se “politika me hidrocentralet” do të ndryshonte.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) raportonte asokohe se vendi kishte 80 hidrocentrale private (2013) me kapacitet të përgjithshëm rreth 240 megavat (MW).
Pas kësaj, qeveria Rama shqyrtoi 103 kontrata koncesionare në një proces të gjatë, pas së cilit në vitin 2019 deklaroi anulimin e 27 prej tyre, që parashikonin ndërtimin e 80 HEC-eve.
Në këtë periudhë (2019) ERE raportonte për shumfishim të hidrocentraleve private: 197 me fuqi 827 MW.
Qeveria doli me gjykimin e përgjithshëm se hidrocentralet e vegjël ishin të padobishëm në aspektin energjetik dhe të dëmshëm në raport me mjedisin dhe komunitetet.
“Nuk do ketë më në Shqipëri, leje për asnjë HEC nën 2 MW dhe nuk do lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike, apo komunitete, duke arritur deri në pikën që tubat e HEC-it të futen në burimin e ujit,” u zotua Rama asokohe.
Por koha tregoi se ky zotim nuk u mbajt. Qeveria vijoi të jepte leje për HEC-et e vogla, madje ajo ndërhyri edhe në ligjin e zonave të mbrotjura duke i tkurrur edhe territoret e parqeve kombëtare në favor të dhënies së burimeve ujore për HEC-e.
Rastet konkrete janë HEC-et në Zall-Gjoçaj apo dhe në Kurdari ku “HEC Doma” po ndërtohet pavarësisht kontestimeve të komunitetit dhe faktit se ka një kapacitet prej më pak se 2 MW.
ERE raportoi në vitin 2024 për 238 hidrocentrale private të prodhimit të energjisë.
Një rritje me 41 HEC-e (17.2%) krahasuar me vitin 2019 kur qeveria u zotua për qasje të kontrolluar, 158 HEC-e (66.3%) prej vitit 2013 kur socialistët morën pushtetin.
Më shumë se gjysma e këtyre impianteve (58%; 138 HEC-e) prodhojnë energji minimale (me kapacitete 2 ose më pak se 2 MW), dhe janë ndërtuar pavarësisht dëmeve ndaj mjedisit, burimeve ujore dhe komuniteteve.
Rrjeti i hidrocentraleve në Shqipëri
Në 15 vitet e fundit, ndërtimi i hidrocentraleve në Shqipëri është shtrirë në gjithë territorin. Kjo ka prekur shumicën e bashkive duke krijuar një rrjet të dendur tubash dhe digash në rrjedhat e lumenjve kryesorë të vendit.
Sipas të dhënave të siguruara nga Citizens.al nga 61 bashkitë e vendit, gjatë kësaj periudhe u vunë në punë 211 hidrocentrale, ndërkohë 24 të tjerë janë në proces ndërtimi.
Ky zgjerim ka ndodhur përmes kontratave të lidhura në periudha të ndryshme, shpesh edhe një dekadë më parë, që vijojnë të mbahen aktive pavarësisht zvarritjeve, proceseve gjyqësore apo kundërshtimit nga komunitetet lokale.
Ndërkohë, shpërndarja e hidrocentraleve nuk është e njëtrajtshme.
Bashki si Librazhdi (21), Dibra (19), Korça (15), Maliqi (15), Skrapari (13), Mirdita (12) dhe Klosi (12) përqendrojnë numrin më të lartë të hidrocentraleve në funksion, ndërsa në disa prej tyre vijojnë projekte të reja, shpesh të shoqëruara me protesta dhe konflikte ligjore.
Ndryshe, 30 bashki të tjera nuk kanë pasur zhvillime hidrocentralesh gjatë kësaj periudhe kryesisht për shkak të mungesës së burimeve ujore të qëndrueshme, duke nxjerrë në pah varësinë e modelit energjetik nga lumenjtë malorë.
Megjithatë në zona të ndryshme si Kukësi (13), Fushë-Arrëzi (10), Mati (8) dhe Tepelena (5) janë raportuar për projekte në proces. Shumica e këtyre projekteve janë kontestuar, veçanërisht në bashkinë Tepelenë, ku prej vitit 2017 ka nisur njëproces gjyqësor kundër ndërtimit të një HEC-i në lumin e Nivicës.
Të dhënat që ofrojnë autoritetet publike janë shpesh kontradiktore, megjithatë, ato tregojnë se qasja për ndërtimin e hidrocentraleve mbetet e pandryshuar që prej vitit 2010 dhe se ndërtimi i HEC-eve ka vijuar edhe pas premtimeve për ndalimin e lejeve të reja ndërsa roli i bashkive mbetet kryesisht administrativ, pa ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen.
Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), tha për Citizens.al se aktualisht janë mbi 150 projekte HEC-esh në procedura për “plotësim dokumentacioni” apo “marrje lejesh”. Kjo agjenci, në këtë pikë, mban të arkivuar si projekte në proces edhe rastet e rrëzuara me vendime gjykatash apo vendosjes së lumenjve në zona të mbrojtura, si për shembull: Kalivaçi, Shushica dhe Poçemi.
Në mungesë të një vlerësimi të plotë kombëtar për ndikimin mjedisor dhe social të këtij modeli zhvillimi, rrjeti i hidrocentraleve është konsoliduar tashmë si një realitet i pakthyeshëm, duke u shoqëruar me pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të burimeve ujore dhe marrëdhënien mes investimeve private, komuniteteve lokale dhe interesit publik.
Në Kaçinar të Mirditës, tensioni i mbledhur ndër vite shpërtheu në fundin e muajit mars në një protestë të mirëfilltë. Qindra banorë nga fshatrat përreth, por dhe diaspora u mblodhën për të kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve të koncesionarit “Shpërdhaza-Energji”.
Banorët e konsiderojnë cenim kryesor për jetën e tyre futjen në tuba e disa prej përrenjve malorë, të cilët historikisht janë përdorur nga fshatrat.
Rruga e vështirë drejt Qafës së Vorres, rreth 40 minuta larg nga Rrësheni, ku u zhvillua protesta, tregonte njëkohësisht degradimin e territorit dhe tensionin e autoriteteve: postblloqe policore, kontrolle makinash dhe prezencë e pajustifikuar efektivësh.
“Këtu këtë popull e kanë grabitur,” përshkroi revoltën Arben Gega, një prej protestuesve, “por kur s’na ka bërë turku të ikim, këta jo se jo, nuk do t’ia arrijnë!”.
Gjok Beqiri, nga fshati Simon, tregoi se projekti prek shtatë fshatra me mbi 3,000 familje.
Kabina e rojeve dhe kamerat e sigurisë të vendosura përreth kantierit kishin krijuar një ambient të denjë për zonë ushtarake, ndërsa banorët, në mungesë informacioni dhe të vënë përballë faktit të kryer, ngritën dyshimet se dokumentacioni i kompanisë nuk është i rregullt.
Këtë shqetësim ndanë për Citizens.al disa prej tyre, të cilët thanë se nuk ishin njoftuar kurrë për dëgjesa publike, pavarësisht pretendimeve të kompanisë.
Në muajin prill, makineritë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” hynë në pyllin aty pranë, një zonë me një peizazh të larmishëm buzë rrugës, për të cilën banorët druajnë se mund të vuajë pasoja nga hidrocentralet.
Pasi konstatuan pemët e para të rrëzuara nga punimet ata organizuan protesta të tjera, një prej së cilës edhe në Tiranë, para ministrisë së Infrastrukturës.
Kryetari i fshatit Simon, Gjergj Deda, ngriti dyshimet se punimet po kryheshin pa lejet e nevojshme “sepse kërkonin dhe shoqëroheshin nga policia çdo ditë”.
Për komunitetin, uji është thelbi i jetesës: mullinjtë, tokat dhe historinë e tyre. “Vllaut s’ia fal, jo më të huajit,” kanë theksuar disa prej tyre.
Ndaj ata i janë drejtuar drejtësisë. Në shtator, Gjykata e Lezhës vendosi t’ia kalojë çështjen Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) duke shpallur moskompetencë./Citizens.al






















