Sociale 30 Shtator 2025, 07:53 Nga VNA

“Diella”, gjetje në imazh… një provë e vështirë në praktikë

Ndaje në Whatsapp
“Diella”, gjetje në imazh… një provë e

Rreziku është që Diella të mbetet, në skenarin më të mirë, një ide në letër dhe një gjetje shumë e mirë për marrëdhëniet me publikun, ndërsa problemet strukturore të vendit të vazhdojnë po njësoj…

Lajmi se Shqipëria krijoi një post ministror për Inteligjencën Artificiale, me emërimin e Diellës në krye të tij, tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare, si “Financial Times”, “Euronews” dhe “Politico” duke e vendosur vendin tonë në qendër të një debati global në lidhje me çështjen “teknologjia në funksion të njerëzve apo njerëzit në funksion të teknologjisë”.

Për një vend të vogël, i cili shpesh nuk përmendet në skenën ndërkombëtare, kjo gjetje duket një arritje në aspektin e imazhit. Por pas entuziazmit, lind pyetja: a mundet Shqipëria ta përkthejë këtë ide në rezultate konkrete?

Sfida e parë është besueshmëria institucionale. Shqipëria mbetet ndër vendet me nivel të lartë korrupsioni dhe me probleme serioze në transparencë e llogaridhënie.

Inteligjenca Artificiale është një mjet i fuqishëm që mund të shërbejë për eficiencë dhe shërbime më të mira për qytetarët, por po aq lehtë mund të përdoret për kontroll të tepërt dhe centralizim të informacionit në duar të gabuara.

Një tjetër pengesë madhore është siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave. Shqipëria ka përjetuar disa nga sulmet më të mëdha hakeruese në rajon, me rrjedhje masive të të dhënave personale.

Mjafton të përmendet dështimi dramatik i shtetit në rastin e publikimit të databazës së Tatimeve në lidhje me pagat e individëve, për të të bërë të reflektosh seriozisht për këto zgjidhje.

Në këtë kontekst, futja e një sistemi të gjerë të bazuar në AI e rrit ndjeshëm rrezikun: të dhënat e qytetarëve, të përpunuara dhe të ndërlidhura, mund të kthehen në pre të lehtë për hakerët, ose të përdoren në mënyrë abuzive nga vetë administrata.

Pa një kuadër ligjor të fortë dhe institucione mbikëqyrëse të pavarura, ekziston rreziku që përdorimi i AI në administratë të cenojë privatësinë dhe sigurinë e qytetarëve.

Përveç kësaj, ekziston sfida e kapaciteteve teknike. Shqipëria renditet ndër vendet me nivel të ulët zhvillimi në teknologjinë e informacionit.

Ka mungesë ekspertësh të kualifikuar, kërkimi shkencor është i kufizuar dhe universitetet ende nuk janë të lidhura ngushtë me nevojat e tregut digjital.

Ndërkohë që vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë krijuar diçka të ngjashme, mbështeten mbi investime miliardëshe në qendra kërkimore, arsim dhe partneritete ndërkombëtare, Shqipëria nis nga një bazë shumë më e brishtë.

Përpara se të synojë të jetë novatore globale, vendi ka ende për të zgjidhur probleme më elementare. Arsimi është në krizë, me rezultatet e PISA-s që tregojnë rënie të ndjeshme dhe përkeqësim të cilësisë së dijes së nxënësve. Pa mbështetje konkrete në arsim, inovacion dhe bashkëpunim me sektorin privat, një ministri e AI rrezikon të mbetet vetëm një etiketë pa përmbajtje.

Krahas këtyre, kemi dhe problemin e qeverisjes dixhitale të fragmentuar. Shumë shërbime publike online, të cilat i ofrohen tashmë publikut, janë shpesh të paqëndrueshme dhe të ngadalta, ndërsa qytetarët nuk kanë gjithmonë akses real në informacion. Integrimi i AI kërkon të dhëna të pastra, të harmonizuara dhe të aksesueshme, gjë që sot mungon.

Së fundmi, nga diskutimi publik, duket se nuk është ende e qartë, sa të ndërgjegjshëm jemi për rëndësinë e të dhënave të Diellës në vendimmarrje. Çfarë matrice e analizës së rreziqeve e kërcënimeve do të përdoret?

Në fakt, aksioma e padiskutueshme, në botën e AI (dhe më gjerë në atë të IT), është “Code was never found. It was only made, and made by us – Kodi nuk u gjet kurrë. Ai vetëm u krijua, dhe u krijua prej nesh.”.” (Lawrence Lessig “Code 2:0”).

Një nga sfidat kryesore të Inteligjencës Artificiale në nivel global është çështja e kontrollit mbi të. Aktualisht, shumica e sistemeve janë në duar private dhe menaxhohen nga korporata të mëdha teknologjike.

Në shtetet jodemokratike, kontrolli shpesh qëndron te qeveritë autoritare duke e përdorur teknologjinë si mjet mbikëqyrjeje dhe kontrolli politik. Në demokracitë perëndimore po diskutohet që këto sisteme të mbeten nën mbikëqyrjen e sovranit dhe të përfaqësuesve të tij të zgjedhur.

Në këtë kontekst, hapi i Shqipërisë për të ngritur një ministri të posaçme për AI është një risi, por edhe një zgjedhje e diskutueshme.

Duke pasur parasysh problemet e demokracisë në vend, rreziku është që kontrolli të mos garantohet nga Parlamenti apo qytetarët, por të përqendrohet te pushteti dhe grupet që e dominojnë atë. Një zhvillim i tillë do të përbënte një kërcënim për një demokraci ende të brishtë si ajo shqiptare.

Në këtë sfond, “Qeveria AI” është një hap i guximshëm, por edhe një sfidë. Mediat e huaja që këtë vit e shohin Shqipërinë si pionier, nesër do të jenë po ato që do të kërkojnë llogari për rezultatet. Pyetjet që do të shtrohen janë të thjeshta: a i ka përmirësuar kjo zgjidhje shërbimet për qytetarët? A ka ndihmuar në uljen e korrupsionit?

Shqipëria ka mundësinë ta shndërrojë këtë nismë në një histori suksesi, por kjo varet nga ndërgjegjësimi për problematikat që kjo zgjedhje sjell me vete dhe përqasja ndaj tyre, vullneti politik, ndërtimi i kapaciteteve teknike dhe garantimi i transparencës.

Nëse këto mungojnë, rreziku është që Diella të mbetet, në skenarin më të mirë, një ide në letër dhe një gjetje shumë e mirë për marrëdhëniet me publikun, ndërsa problemet strukturore të vendit të vazhdojnë po njësoj./Marrë nga Monitor

Video

Dhjetëra qytetarë të Lezhës janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit për të përkujtuar 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj nga Shëngjini. Pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografisë së saj, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të resë dhe solidaritetin me familjen në këtë moment të vështirë. E reja dyshohet se i dha fund jetës pas një periudhe të vështirë personale dhe dhunës nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkuan më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për rastet e dhunës në familje.

Një grup prej rreth 20 grabitësish të maskuar realizuan një grabitje në dyqanin e bizhuterive “Kumar” në Kaliforni, duke marrë mallra me vlerë mbi 1.4 milion dollarë brenda rreth 70 sekondash. Sipas autoriteteve, grabitësit thyen vitrinat me çekiçë dhe morën rreth 75–80% të bizhuterive të ekspozuara, para se të largoheshin me automjete që i prisnin jashtë. Policia arrestoi katër të rinj të moshës 19–20 vjeç pasi ndaloi një prej automjeteve të përdorura për arratisje, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.

Pse vetëm Rama do bëjë aeroporte?

Unë jam Ambrozia Meta që t’i gërric nervat…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme