
Hetimi që çoi në zbulimin e një prej skemave më të mëdha të dyshuara të pastrimit të parave në Shqipëri nuk nisi nga një operacion antidrogë, por nga një hetim pasuror ndaj Denis Matoshit, i njohur edhe si Eldi Dizdari, një emër i njohur në dosjet e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Sipas dosjes së SPAK, në vitin 2020 prokurorët nisën verifikimet pasi zbuluan se Dizdari kishte përfituar si dhuratë një truall prej 500 metrash katrorë në rrugën “Dervish Hima”, pranë stadiumit “Air Albania”, një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës. Prona, e marrë nga Qefsere dhe Eqerem Grori, si dhe Osman Dervishi, është konfiskuar.
Hetimet mbi këtë pasuri çuan SPAK-un drejt një rrjeti më të gjerë transaksionesh. Nga të dhënat e marra në Kadastër, prokurorët konstatuan se Artur Shehu dhe Elton Memeti kishin transferuar dhe dhuruar mes tyre sipërfaqe të konsiderueshme toke në të njëjtën zonë, në një periudhë që shtrihej nga viti 2015 deri në vitin 2022.
Sipas dosjes, në momentin kur personat e përfshirë kuptuan se pasuritë mund të ishin objekt konfiskimi, nisën lëvizjet për të mësuar nëse ndaj tyre po zhvilloheshin hetime. Në të njëjtën periudhë, që përkonte edhe me operacionin “Black Eagle” në Belgjikë, në Agjencinë e Kadastrës u kërkuan informacione për Artur Shehun, ndërsa bashkëpronarët e truallit paraqitën kërkesa për të vijuar zhvillimin e pronës.
Dosja tregon se Artur Shehu kishte nisur të dhuronte pjesë të pronave të përfituara më parë tek Xhesika Dodaj, bashkëjetuese e Fation Kolës, dhe Malvina Canaj, bashkëjetuese e Ervis Çelës, ky i fundit i arrestuar për trafik narkotikësh. Në të njëjtën kohë u revokuan kontratat e zhvillimit të lidhura me shoqërinë “A@AMIV” sh.p.k.
Përmes përgjimeve, SPAK identifikoi edhe rolin e Adrian Ramës, i cili sipas hetuesve orientonte veprimet që lidheshin me pronat. Prokurorët dyshojnë se kërkesat për informacion në Kadastër dhe lëvizjet e kryera pas nisjes së procedurave të konfiskimit tregojnë ekzistencën e lidhjeve të ngushta mes personave nën hetim dhe përpjekjet për të mbrojtur pasuritë nga sekuestrimi.






















