Sociale 18 Qershor 2025, 13:45 Nga VNA

Shqipëria vijon të mbetet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë edhe në 2024

Ndaje në Whatsapp
Shqipëria vijon të mbetet e fundit në Europë për

Shqipëria ka vijuar të mbetet e fundit në Europë sa i përket të ardhurave për frymë të matura sipas fuqisë blerëse për mallra e shërbime, edhe në vitin 2024, pavarësisht se popullsia e vendit u reduktua me më shumë se 400 mijë persona, duke zbritur në 2.4 milionë banorë sipas censit të vitit 2023.

Ndonëse vendi ka pasur një rritje të kënaqshme vitet e fundit dhe janë më pak persona tek të cilët shpërndahet vlera e mallrave e prodhuar në një vit, mirëqenia e individëve nuk rezulton të jetë rritur, e ndikuar dhe nga çmimet relativisht më të shtrenjta.

Të dhënat fundit të Eurostat bënë të ditur se konsumi individual për frymë (AIC), një tregues alternativ që mat më mirë mirëqenien e familjeve ishte sa 41% e mesatares së bashkimit Europian në 2024-n, i pandryshuar në krahasim me vitin 2023. Në këtë nivel, Shqipëria renditet e fundit në Europë, së bashku me Bosnjë Hercegovinën, po me 41%.

Në rajon të ardhurat më të larta sipas fuqisë blerëse janë në Mal të Zi, me 68% të mesatares së BE-së, me rritje nga 65% vitin e mëparshëm. Në vend të dytë është Serbia, me 56%, nga 55% një vit më parë. Të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse në Maqedoninë e Veriut kanë mbetur të pandryshuara në 49%. Kosova mungon në renditje.

Në treguesin e të ardhurave për frymë, Shqipëria renditet e parafundit në rajon, me 35% të mesatares së BE-së, në përmirësim nga 37% një vit më parë, duke u ngjitur e parafundit në rajon, teksa lë pas Bosnjë Hercegovinën (në 35% të mesatares së Be në 2024-n, nga 36% në 2023-n). Sërish kryeson Mali i Zi me 54% të PBB-së, i ndjekur nga Serbia (51%) dhe Maqedonia e Veriut (42%).

Përmirësimi i Shqipërisë vetëm në treguesin e të ardhurave për frymë dhe jo në atë të fuqisë blerëse është një indikator i çmimeve të larta në vend, që bëjnë që qytetarët shqiptarë me të njëjtën sasi të ardhurat të blejnë më pak sesa familjet në shtetet e tjera të rajonit, përveç faktit që ata paguhen më pak se homologët në rajon. Çmimet në Shqipëri sipas Eurostat janë sa 62.9% e mesatares së BE-së në 2024-n, më të shtrenjtat në rajon, të ndjekura nga Serbia (61.4%), Bosnjë Hercegovina (59.7%), Mali i Zi (57.9), Maqedonia e Veriut (49.6%).

Të dhënat e tjera nga institutet statistikore të vendeve tregojnë se paga mesatare në Shqipëri në vitin 2024 ishte 770 euro, ndërsa në vendet e tjera të rajonit i ka kaluar 1000 euro në muaj.

Sipas shpjegimit të Eurostat, megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme.

Europë

Në vitin 2024, konsumi individual aktual (AIC) për frymë, i shprehur në standardin e fuqisë blerëse (PPS), varionte nga 72% deri në 141% të mesatares së BE-së në të 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Nëntë vende të Bashkimit Europian regjistruan një konsum individual aktual (AIC) për frymë mbi mesataren e BE-së. Nivelet më të larta u regjistruan në Luksemburg (41% mbi mesataren e BE-së), Holandë (20%) dhe Gjermani (18%).

Ndërkohë, tetëmbëdhjetë vende të BE-së regjistruan një AIC për frymë nën mesataren e BE-së, me nivelet më të ulëta të regjistruara në Hungari (28% nën mesataren e BE-së), Bullgari dhe Estoni (26%).

Diferenca më të mëdha në PBB për frymë sesa në konsumin individual aktual

Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) për frymë, një tregues i aktivitetit ekonomik, gjithashtu tregoi dallime të mëdha mes vendeve anëtare të BE-së. Dhjetë vende regjistruan një PBB për frymë mbi mesataren e BE-së. Niveli më i lartë u regjistrua në Luksemburg (242% e mesatares së BE-së), Irlandë (211%) dhe Holandë (136%).

Në anën tjetër të spektrit, PBB-ja për frymë më e ulët u regjistrua në Bullgari (66% e mesatares së BE-së), Greqi (70%) dhe Letoni (71%)./Monitor

 

Video

Izraelitë të armatosur hapën zjarr në qytetin Sa’ir në Bregun Perëndimor të pushtuar. Grupi i izraelitëve me rroba civile u pa duke iu afruar palestinezëve me mitralozë në duar, në pozicion të gatshëm për të qëlluar.

Një re e dendur me pluhur portokalli ka mbuluar Gazën ndërsa një stuhi e fortë rëre ka përfshirë vendin. Erërat e forta dhe pluhuri kanë goditur kampet ku strehohen mijëra të zhvendosur, duke përkeqësuar më tej kushtet tashmë të vështira humanitare në këtë zonë të rrethuar. Autoritetet lokale paralajmërojnë se situata kërkon ndihmë urgjente për banorët më të prekur.

Avokati i Tik Tok-ut kundër Gjykatës Kushtetuese

Motoristët që punojnë për platformën e shpërndarjes Wolt në Shqipëri kanë nisur protesta ditët e fundit, duke ngritur shqetësime për kushtet e punës dhe pagesat. Ata pretendojnë se kushtet e punës janë të vështira dhe pagat të ulëta, duke shprehur shqetësimin se kompanitë po punësojnë gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj me paga minimale.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme