Bota 9 Korrik 2024, 09:07 Nga VNA

Samiti i NATO-s në Uashington, çfarë pritet të diskutohet

Ndaje në Whatsapp
Samiti i NATO-s në Uashington, çfarë pritet të diskutohet

Udhëheqësit e aleancës ushtarake të Perëndimit mblidhen sot në Uashington.

Samiti vjetor i NATO-s, që do të zgjasë deri më 11 korrik, përkon me 75-vjetorin e themelimit të saj dhe zhvillohet derisa lufta në Ukrainë vazhdon.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, samiti i Uashingtonit do të fokusohet në tri tema kryesore.

E para është forcimi i mbrojtjes. Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, prioriteti kryesor i NATO-s ka qenë forcimi i mbrojtjes për të shmangur luftën. Kjo agjendë është transformuar dy vjet më parë, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

NATO-ja ka rënë dakord për një koncept të ri strategjik në samitin e Madridit, që bazohej në përpjekjet ekzistuese për forcimin e mbrojtjes.

Një vit më vonë, në Vilnius, aleatët janë pajtuar për plane të reja për të përmbushur atë vizion.

E, Samiti i Uashingtonit do të fokusohet tani në zbatimin e këtyre planeve, për të penguar sulmin e armatosur dhe për të mbrojtur aleancën.

75 vjet NATO: Nga një “mburojë” në Luftën e Ftohtë, në forcë të sigurisë globale

Që nga Madridi, aleatët e NATO-s kanë bërë përparim në zbatim – kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes, kanë shtuar forcat e gatishmërisë së lartë, kanë modernizuar komandën dhe kontrollin, kanë transformuar ushtrimet e mbrojtjes kolektive dhe kanë integruar me sukses aleatë të rinj: Finlandën dhe Suedinë.

Megjithatë, pyetja është nëse NATO-ja është gati të luftojë dhe në atë mënyrë ta pengojë një luftë të zgjatur, si ajo në Ukrainë? Për këtë, është e rëndësishme të forcohet “shtylla evropiane” e NATO-s.

Tema e dytë e samitit do të jetë mbështetja e përpjekjeve të Ukrainës për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus.

Ukraina do të jetë “në krye të agjendës sonë dhe ne jemi në rrugën e duhur për një samit të suksesshëm”, ka thënë Stoltenberg.

Por, gjasat që Ukraina, gjatë Samitit në Uashington, të marrë ftesë zyrtare për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s, janë gati joekzistente.

Paketa e NATO-s për Ukrainën do të përbëhet nga tri pjesë: gjuha, koordinimi dhe ndihma.

Gjuha në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës do të duhet të ndërtohet mbi zotimin në Vilnius se “e ardhmja e Ukrainës është në NATO”.

Zyrtarë të lartë amerikanë i janë referuar paketës së Uashingtonit si një “urë e fortë” drejt anëtarësimit, që është “e ndriçuar mirë, e shkurtër, e drejtë, e papenguar”.

Por, negociatat për formulimin e saktë të komunikatës së samitit ka të ngjarë të vazhdojnë deri në minutën e fundit.

Dhe, tema e tretë e samitit do të jetë forcimi i partneriteteve globale të NATO-s.

Aleatët e NATO-s janë duke e kuptuar gjithnjë e më shumë se sfidat me të cilat përballen, janë të ndërthurura me rajone të tjera.

Për shembull, 40 për qind e tregtisë së Evropës kalon përmes Detit të Kinës Jugore, ndërsa luftën e Rusisë në Ukrainë e ka mbështetur importimi i municioneve nga Koreja e Veriut dhe mallrat kineze me përdorim të dyfishtë.

Siç ka konfirmuar ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien, partneriteti në Indo-Paqësor do të jetë një temë kryesore e Samitit të Uashingtonit.

Katër partnerët e NATO-s në Indo-Paqësor – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – janë tashmë pjesëmarrës të rregullt në samitet e aleatëve.

Në Uashington do të jenë edhe përfaqësuesit e të gjithë partnerëve të NATO-s, përfshirë Bashkimin Evropian.

Kosova, po ashtu, do të përfshihet për herë të parë në një ngjarje në kuadër të samitit.

Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Samiti do të jetë gjithashtu i fundit për Stoltenbergun, pasi në vjeshtë do t’ia dorëzojë detyrën kryeministrit aktual holandez, Mark Rutte.

Në të kaluarën, Rutte ka mbështetur fuqishëm idenë se Evropa duhet t’i forcojë aftësitë e saj të mbrojtjes dhe inteligjencës, por gjithashtu ka pranuar se furnizimet e SHBA-së janë kritike për ta arritur këtë qëllim.

Përvoja e Ruttes si kryeministër i Holandës për gati 14 vjet, duke udhëhequr qeveri të ndryshme koalicioni, do ta ndihmojë atë të përballojë sfidën e mbajtjes bashkë të 32 aleatëve të NATO-s.

Por, sfidë më e madhe për të dhe NATO-n do të jetë përshtatja e aleancës përballë një Kremlini gjithnjë e më agresiv./ REL

Video

Pasi e ndriti shëndetësinë ministrja Evis Salaj po i jep dhe një dorë drejtësisë dhe barazisë së grave…

Izraelitët që nuk kanë vendstrehime nëpër shtëpitë e tyre janë duke fjetur që më shumë se një javë në stacionet nëntokësore hekurudhore në Tel Aviv, teksa Izraeli po përballet me rrezik të vazhdueshëm nga raketat balistike iraniane. Video marrë nga Radio Evropa e Lirë

Dronët iranianë goditën rezervuarët e karburantit në portin Salalah të Omanit. Sulmi shihet si hakmarrje për operacionet SHBA-Izrael në rajon. Mësohet se disa dronë u rrëzuan, ndërsa të tjerë goditën rezervuarët e karburantit në portin. Pas incidentit, operacionet në pjesën jugore të portit u pezulluan nga kompania private e sigurisë Vanguard Tech.

Pse nuk tregon ministri kush janë aktorët që duan ta pengojnë?

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme