Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë zhvilluar një bisedë telefonike të tensionuar, pas zgjerimit të operacioneve ushtarake izraelite në Liban, raportojnë media ndërkombëtare.
Sipas gazetarit izraelit Barak Ravid, që punon për median amerikane Axios, vendimi i Iranit për të pezulluar negociatat me Shtetet e Bashkuara, si reagim ndaj situatës në Liban, ka shkaktuar zemërimin e Trump. Ai dyshohet se ka kritikuar ashpër Netanyahun, duke e akuzuar se po dëmton përpjekjet diplomatike dhe po e çon Izraelin drejt izolimit ndërkombëtar.
Në raportim citohen edhe deklarata të ashpra të pretenduara nga Trump, i cili thuhet se i ka thënë Netanyahut: “Po të mos ishte për mua, do të ishe në burg. Po të shpëtoj lëkurën. Tani të gjithë të urrejnë.”
Një burim tjetër i cituar nga media thekson se Trump ishte “i tërbuar” gjatë telefonatës dhe në një moment i ka bërtitur kryeministrit izraelit: “Çfarë dreqin je duke bërë?”, duke iu referuar operacioneve ushtarake që, sipas tij, rrezikojnë negociatat SHBA–Iran.
Sipas të njëjtave burime, Trump e ka konsideruar reagimin ushtarak të Izraelit joproporcional, veçanërisht për shkak të viktimave civile dhe dëmeve të mëdha në infrastrukturë gjatë goditjeve ndaj objektivave të Hezbollahut.
Megjithatë, publikisht Trump e ka përshkruar bisedën si “shumë produktive”, duke deklaruar se nuk do të ketë operacione tokësore izraelite në Bejrut dhe se Hezbollahu ka pranuar të ndalë përplasjet e armatosura. Ai ka shtuar gjithashtu se negociatat me Iranin po vazhdojnë me ritëm të shpejtë.
Nga ana e tij, zyra e Netanyahut nuk ka ndryshuar qëndrim publik, duke vijuar të paralajmërojë veprime të mëtejshme ushtarake ndaj Hezbollahut. Sipas Axios, gjatë gjithë bisedës, kryeministri izraelit është përballur me presion të konsiderueshëm nga pala amerikane.






















