
Konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar sërish, pasi Izraeli ka zgjeruar operacionet ushtarake në Liban, ndërsa Irani ka reaguar duke pezulluar kontaktet me Shtetet e Bashkuara dhe duke paralajmëruar masa të reja në rrugët strategjike detare. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar zgjerimin e operacioneve ushtarake, ndërsa ushtria izraelite u ka bërë thirrje civilëve të evakuojnë lagjen Dahyeh në jug të Bejrutit, bastion tradicional i Hezbollahut.
Sipas mediave iraniane, Teherani ka vendosur të pezullojë shkëmbimin e mesazheve me Uashingtonin në shenjë proteste për veprimet izraelite në Liban. Agjencia iraniane Tasnim raportoi gjithashtu se Irani po shqyrton mbylljen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe zgjerimin e presionit në Detin e Kuq përmes ngushticës Bab el-Mandeb, dy nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë botërore dhe transportit të naftës.
Ndërkohë, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka interceptuar dy raketa balistike iraniane të lëshuara drejt forcave amerikane në Kuvajt, pa shkaktuar viktima. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se armëpushimi i arritur mes Iranit dhe SHBA-së duhet të konsiderohet i vlefshëm në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, duke paralajmëruar se çdo shkelje në një front do të konsiderohet shkelje e armëpushimit në tërësi.
Në terren, ushtria izraelite vazhdon avancimin në jug të Libanit, ndërsa tensionet mes Izraelit, Hezbollahut dhe Iranit po rrisin frikën për një zgjerim të konfliktit në të gjithë rajonin.






















