Mediat amerikane dhe britanike po flasin gjithashtu për një fenomen të ri të quajtur “Blue Dot Fever”, (ethet e vendeve bosh në stadium) që lidhet me rënien e kërkesës për koncerte dhe numrin e madh të vendeve të pambushura në arena, për shkak të çmimeve të larta të biletave dhe kostove të udhëtimit.
Disa nga rastet më të përfolura:
Zayn Malik anuloi të gjitha datat e turneut në SHBA dhe disa koncerte në Britani pas një shtrimi në spital për shkak të një sëmundjeje të paspecifikuar.
LeAnn Rimes shtyu disa koncerte të turneut “30 Years of Blue” për shkak të një “sëmundjeje të rëndë”, që më vonë rezultoi të ishte COVID-19 dhe laringit.
Dolly Parton anuloi koncertin rezidencial në Las Vegas për shkak të problemeve shëndetësore dhe trajtimeve mjekësore.
Colter Wall anuloi pjesën e mbetur të turneut dhe njoftoi një pauzë të pacaktuar nga muzika live duke deklaruar se po përballet me probleme të shëndetit mendor.
Meghan Trainor anuloi turneun “Get in Girl Tour”, zyrtarisht për të balancuar jetën familjare dhe projektet e reja muzikore, megjithëse mediat amerikane spekuluan edhe për shitje të dobëta biletash.
Post Malone shtyu nisjen e turneut të tij për të përfunduar albumin e ri, ndërsa mediat e industrisë përmendën edhe kërkesë më të dobët nga publiku.
The Pussycat Dolls anuluan shumicën e datave të turneut të rikthimit në Amerikën e Veriut. Media amerikane e lidhi këtë me fenomenin e quajtur “Blue Dot Fever”, pra numrin e lartë të biletave të pashitura në Ticketmaster.
Morrissey anuloi disa koncerte gjatë muajve të fundit për shkak të problemeve shëndetësore dhe reagimeve ndaj medikamenteve.
Scorpions anuluan turneun në Indi për shkak të problemeve shëndetësore të anëtarëve të grupit.
HAUSER njoftoi anulimin e të gjitha koncerteve të planifikuara për vitin 2026 për shkak të një problemi shëndetësor që kërkon trajtim të menjëhershëm.
Sipas The Times, fenomeni i “Blue Dot Fever” (vende bosh në stadium) lidhet me pikat blu që tregojnë biletat e pashitura në faqen e platformës së njohur Ticketmaster. Në thelb, kjo do të thotë se nuk ka mjaftueshëm blerës për biletat e këtyre koncerteve, duke i bërë turnetë e artistëve financiarisht të paqëndrueshme.
Edhe artistët shumë të suksesshëm shpesh humbasin para gjatë turneve dhe duhet të gjejnë mënyra për të financuar shfaqjet përtej të ardhurave të drejtpërdrejta nga shitja e biletave.
“The Times” ka vënë në dukje se në natën e parë të turneut të Post Malone, faqja tregonte “pika blu në të gjithë sektorët e sallës”.
Fansat pretenduan se shumë bileta në turneun e Meghan Trainor kishin mbetur të pashitura përpara se ajo ta anulonte, ndërsa edhe “vendimi i dhimbshëm” i Pussycat Dolls është lidhur me shitjet më të ulëta.
Edhe çmimet e biletave janë një problem. Sipas “Fortune”, çmimi mesatar i biletave në SHBA, ku shumë artistë kanë anuluar më së shumti koncerte, është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, nga 115 dollarë (84 paund) vitin e kaluar në 144 dollarë (106 paund) në vitin 2026. Në vitin 2020, ai ishte 82 dollarë (60 paund).
E njëjta prirje vlen edhe në këtë anë të Atlantikut: të dhënat tregojnë se mes viteve 1996 dhe 2025, çmimi mesatar i biletave të koncerteve në Mbretërinë e Bashkuar u rrit me 521%.
Njerëzit thjesht mund të mos jenë të gatshëm ose në gjendje të paguajnë. Dhe nëse mendoni se çmimet e fryra të biletave mund ta kompensojnë këtë mungesë, platforma e të dhënave muzikore AndR pretendon se: “Nga një biletë prej 100 dollarësh [73 paund], artisti përfiton mesatarisht vetëm 8.16 dollarë [6 paund], më pak sesa tarifat që paguhen për shitjen e biletës”.
Për më tepër, rritja e çmimeve të karburanteve pas konfliktit me Iranin do të thotë se turnetë, të cilët varen nga avionët, trenat dhe automjetet për të transportuar artistët nga një vend në tjetrin, po përballen me tkurrje të mëtejshme të fitimeve, që edhe më parë ishin minimale.
Në SHBA, muzikantët po konkurrojnë për të ardhurat e konsumatorëve përballë eventeve të mëdha si Kupa e Botës FIFA 2026, biletat e së cilës janë cilësuar si “zhvatëse”.
Edhe Kanye West anulon koncertin në Indi
Kanye West ka anuluar koncertin e tij të parë në Indi, që ishte planifikuar të mbahej më 23 maj në Nju Delhi, vetëm pak ditë para zhvillimit të eventit.
Sipas “The Economic Times”, organizatorët thanë se vendimi u mor pas direktivave të sigurisë nga autoritetet, ndërsa njoftuan se të gjithë blerësit e biletave do të rimbursohen. Edhe “Times of India” raportoi se anulimi lidhej me shqetësimet e sigurisë të ngritura nga qeveria indiane.
Në deklaratën e organizatorëve thuhej se siguria e fansave, artistit dhe publikut mbetej përparësi, sidomos në kushtet e situatës së tensionuar në kryeqytet.
“India Today” shkroi se ky ishte anulimi ose shtyrja e dytë e koncertit të Ye në Indi. Shfaqja ishte planifikuar fillimisht për më herët gjatë vitit, por ishte zhvendosur për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe rajonale.
Sipas mediave indiane, koncerti konsiderohej një nga eventet muzikore më të shumëpritura të vitit, ndërsa fansave u është premtuar rimbursim i plotë i biletave. Organizatorët kanë lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së koncertit për në muajin tetor.
Sipas Moneycontrol, biletat për koncertin e Kanye West në Nju Delhi kushtonin nga 7,500 rupi indiane deri në 30,000 rupi (rreth 80 deri në 320 euro), pa përfshirë taksat.
Përveç arsyeve zyrtare të sigurisë, në rrjetet sociale pati edhe diskutime se koncerti mund të mos kishte shitur mjaftueshëm bileta. Kjo lidhet me debatin më të gjerë për të ashtuquajturën “Blue Dot Fever”, fenomeni ku shumë vende të pashitura shfaqen si pika blu në hartat e biletave. Megjithatë, shitjet e dobëta nuk janë konfirmuar zyrtarisht si shkak i anulimit.
Anulimi në Indi vjen në një periudhë kur reperi amerikan, i njohur tashmë si Ye, po përballet me vështirësi edhe në vende të tjera. Koncerte apo festivale të lidhura me të janë anuluar ose vënë në diskutim në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Poloni dhe Zvicër, mes polemikave për deklaratat e tij dhe çështjeve të sigurisë, sipas “El Pais”./monitor






















