Kayla Epstein dhe Bernd Debussman
A ka ndonjë problem shëndetësor shqetësues që publiku amerikan duhet ta dijë, zoti President?
“Epo, ata mendojnë se dukem shumë i ri”, bëri shaka Joe Biden, atëherë 81 vjeç, pas kontrollit të tij vjetor mjekësor si presidenti më i moshuar në historinë e SHBA-së.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara është një nga njerëzit më të fuqishëm në planet dhe vëmendja publike ndaj gjendjes së tij shëndetësore është shndërruar në një fenomen tipik amerikan.
Çdo president i epokës moderne ka bërë udhëtimin e shkurtër nga Shtëpia e Bardhë drejt Qendrës Mjekësore Ushtarake Kombëtare Walter Reed për një kontroll periodik. Por ky proces lidhet po aq me mesazhin politik sa edhe me shëndetin.
“Historikisht, amerikanët kanë dashur presidentë burrërorë dhe energjikë”, thotë Matt Dallek, historian politik në Universitetin George Washington.
Kontrolli mjekësor është një mënyrë përmes së cilës presidenti mund të tregojë publikisht vitalitetin e tij dhe, për rrjedhojë, të projektojë një ndjenjë fuqie politike. Kjo është diçka që Donald Trump, vetëm pak javë para ditëlindjes së tij të 80-të, është përpjekur ta vendosë në qendër të imazhit të tij presidencial.
Pas kontrollit të tij vjetor, Shtëpia e Bardhë publikoi të premten një memorandum nga mjeku i Trumpit, ku thuhej se presidenti gëzon “shëndet të shkëlqyer”, megjithëse iu rekomandua të ushtrohej më shumë dhe të humbiste peshë.
Mjeku theksoi gjithashtu se Trump ka “funksion të fortë kardiak, pulmonar, neurologjik dhe fizik në përgjithësi” dhe se është “plotësisht i aftë për të kryer të gjitha detyrat e komandantit të përgjithshëm dhe kreut të shtetit”.
Megjithatë, edhe një vërtetim i tillë nga mjeku i presidentit ka kufijtë e vet. Nuk ekziston asnjë detyrim ligjor që presidenti të publikojë të dhënat e tij mjekësore dhe ato mbrohen nga të njëjtat ligje të privatësisë që mbrojnë çdo qytetar amerikan.
“Ndihem në formë të shkëlqyer”
Para epokës së televizionit, presidentët e kishin shumë më të lehtë të fshihnin problemet e tyre shëndetësore.
Në vitin 1919, presidenti Woodrow Wilson pësoi një goditje të rëndë në tru, e cila e la kryesisht të paaftë për pjesën e mbetur të mandatit të tij. Për më shumë se një vit, bashkëshortja e tij mori praktikisht vendime në emër të tij. Rëndësia e gjendjes së tij u fsheh kryesisht nga mjeku dhe stafi i afërt.
Më vonë, megjithëse publiku e dinte deri diku se presidenti Franklin D. Roosevelt jetonte me paralizë si pasojë e poliomielitit, Shtëpia e Bardhë minimizoi përdorimin e karriges me rrota deri në vdekjen e tij në detyrë në vitin 1945.
Jacob Appel, etikist mjekësor në spitalin Mount Sinai të Nju Jorkut dhe historian i shëndetit presidencial, thotë se vetëm gjatë presidencës së Lyndon Johnson, në vitet 1960, filluan të publikoheshin rezultatet e kontrolleve të rregullta mjekësore.
Në vitet 1970, presidenti Gerald Ford këmbënguli që një pjesë e informacionit mbi shëndetin e tij të bëhej publik, pavarësisht kundërshtimeve të mjekut personal.
“Ndihem në formë të shkëlqyer. Çdo ditë bëhem më i shëndetshëm”, u tha Ford gazetarëve pas kontrollit të vitit 1976, duke shtuar se notonte çdo ditë për të qëndruar në formë.
Në kontrast me këtë, presidenti Ronald Reagan njoftoi se vuante nga sëmundja e Alzheimerit pesë vjet pasi ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë, duke nxitur spekulime mbi gjendjen e tij mendore gjatë mandatit të dytë.
Reagan iu nënshtrua gjithashtu një operacioni për kancer gjatë kohës që ishte president dhe më pas përshëndeti gazetarët nga spitali së bashku me bashkëshorten e tij, Nancy.
“Nëse do të isha pjesë e publikut, do ta injoroja plotësisht atë informacion që publikon Shtëpia e Bardhë”, thotë Appel.
“Presidenti mund të zgjedhë vetëm atë që duket mirë dhe të lërë jashtë atë që nuk duket mirë.”
Megjithatë, shumica e raporteve të kontrolleve presidenciale përmbajnë informacione për probleme të zakonshme shëndetësore. Një raport i vitit 1996 për Bill Clintonin, për shembull, shënonte se “mjekët i hoqën një lezion parakanceroz nga maja e hundës”. Një vit më vonë, atij iu rekomandua përdorimi i aparateve të dëgjimit.
Në klimën e polarizuar politike amerikane, politikanët kanë pak për të fituar duke zbuluar dobësi të mundshme. Për më tepër, shëndeti i presidentit konsiderohet edhe çështje e sigurisë kombëtare.
“Çdo gjë që i bëjmë publike amerikanëve do të bëhet e njohur edhe për shërbimet sekrete ruse, qeverinë kineze dhe kundërshtarët tanë”, vëren Appel.
Presidentët e moshuar kanë shtuar interesin për shëndetin
Pas një serie presidentësh relativisht të rinj – Bill Clinton ishte 46 vjeç kur mori detyrën, George W. Bush 54 dhe Barack Obama 47 – SHBA zgjodhi në një periudhë të shkurtër dy nga presidentët më të moshuar në historinë e saj.
Trump ishte 70 vjeç kur u betua për herë të parë në vitin 2017 dhe 78 vjeç kur nisi mandatin e dytë vitin e kaluar.
Joe Biden, i cili shërbeu mes dy mandateve të Trumpit, hyri në Shtëpinë e Bardhë në moshën 78-vjeçare dhe u largua prej saj në moshën 82-vjeçare.
Kjo ka “rritur në mënyrë të jashtëzakonshme” interesin për raportet mjekësore vjetore të presidentëve, thotë Dallek.
“Vëmendja ndaj Bidenit dhe Trumpit për shkak të moshës së tyre zhvillohet në një nivel krejt tjetër”, thotë historiani.
“Shqetësimet në media, në publik dhe debatet nëse ata janë të aftë të ushtrojnë detyrën bëhen shumë më intensive.”
Aftësia e Bidenit për të qëndruar në detyrë u bë një nga temat qendrore të fushatës presidenciale të vitit 2024 dhe përfundimisht e detyroi të hiqte dorë nga gara për rizgjedhje.
Gjatë mandatit të dytë të Trumpit, republikanët – përfshirë vetë presidentin – akuzuan ish-anëtarë të administratës Biden se kishin fshehur problemet shëndetësore dhe rënien mendore të presidentit, pas publikimit të një libri që pretendonte se stafi i Shtëpisë së Bardhë kishte tentuar të mbulonte gjendjen e tij reale.
Një zëdhënës i Bidenit u përgjigj në atë kohë se “shenjat e plakjes nuk janë prova të paaftësisë mendore”.
Edhe Trump është përballur me një vëmendje gjithnjë e më të madhe për gjendjen e tij shëndetësore teksa plaket.
Sondazhet e kryera para kontrollit të fundit mjekësor treguan se një numër i konsiderueshëm amerikanësh janë të shqetësuar për shëndetin e tij.
Një sondazh i përbashkët i Washington Post, ABC dhe Ipsos, i publikuar në maj, tregoi se 59% e të anketuarve nuk besojnë se Trump ka aftësinë mendore të nevojshme për të ushtruar detyrën, ndërsa 55% mendojnë se gjendja e tij fizike nuk është e mjaftueshme.
Një tjetër sondazh nga The Economist dhe YouGov sugjeroi se pothuajse gjysma e amerikanëve besojnë se Trump është shumë i moshuar për të qenë president.
Kontrolli mjekësor i këtij viti publikoi edhe të dhënat bazë fizike të Trumpit: gjatësinë 191 centimetra, peshën 108 kilogramë, rrahjet e zemrës në pushim 73 në minutë dhe tensionin arterial 105 me 71 mmHg.
Mjeku i tij sqaroi gjithashtu mavijosjet e dukshme në dorën e presidentit, të fotografuara gjatë aktiviteteve publike, duke thënë se ato janë “në përputhje me irritime të lehta të indeve të buta si pasojë e shtrëngimit të shpeshtë të duarve”, ndërsa Trump merr aspirinë për “parandalim kardiovaskular”.
Raporti theksoi gjithashtu se ai ka abstenuar gjatë gjithë jetës nga duhani dhe alkooli.
Pas publikimit të rezultateve, Trump shkroi në rrjetin e tij Truth Social: “Gjithçka rezultoi perfekte.”






















