
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar intensifikimin e sulmeve ajrore në Bejrut, në një kohë kur përplasjet me Hezbollahun po thellohen. Operacionet ushtarake janë përqendruar në zonat jugore të kryeqytetit libanez, që konsiderohen si bastione të organizatës së mbështetur nga Irani.
Paralelisht me zhvillimet në terren, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Hezbollahut, duke deklaruar se qetësia në Bejrut do të varet nga situata e sigurisë në veri të Izraelit. Sipas tij, nëse nuk ka paqe në zonat veriore të vendit, atëherë nuk do të ketë stabilitet as në kryeqytetin libanez.
Katz theksoi se zona e Dahieh në Bejrut, e njohur si një prej fortifikimeve të Hezbollahut, do të trajtohet në të njëjtën mënyrë si komunitetet në veri të Izraelit, të cilat janë objekt sulmesh. Ai shtoi se Izraeli nuk do të pranojë një realitet ku qytetarët e tij sulmohen ndërsa në Bejrut mbizotëron qetësia.
Ministri i Mbrojtjes u shpreh gjithashtu se ushtria izraelite po vijon operacionet për të çmontuar kapacitetet e Hezbollahut në terren. Sipas tij, objektivi është eliminimi i kërcënimeve ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë, si dhe vendosja e kontrollit të sigurisë në zonën e Litanit, pa praninë e armëve dhe luftëtarëve të organizatës.






















