Një shpërthim i fortë është regjistruar mëngjesin e së dielës në Maltë, ku një fabrikë fishekzjarrësh në zonën e Maghtab u përfshi nga flakët pas një serie shpërthimesh që u dëgjuan në disa pjesë të ishullit.
Sipas mediave lokale, shpërthimi shkaktoi një re të madhe tymi dhe dëme materiale në zonën përreth, ndërsa ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit mbërritën menjëherë në vendngjarje për të vënë situatën nën kontroll.
Autoritetet malteze kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e incidentit. Raportimet e para bëjnë me dije se nuk ka viktima dhe nuk ka raportime për të lënduar rëndë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë momentet pas shpërthimit, ndërsa ngjarja ka shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.






















