Editorial 1 Gusht 2024, 17:00 Nga VNA

Radha e Guvernatorit JO!

Ndaje në Whatsapp
Radha e Guvernatorit JO!

Këto muajt e fundit ka një debat të ndezur mbi skandalin e mikrokredive, çështje e diskutuar në publik, e trajtuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe me të cilën po merren edhe organet hetimore përfshirë dhe SPAK. Skandal që për fat të keq ka shkaktuar deri më tani dy viktima.

Ndonëse politika ka qenë e përfshirë në mënyrë sporadike në këtë ngjarje, së fundmi në debat është përfshirë si rrallëherë edhe Presidenti i Republikës përmes një memoje që i dërgoi dje Kuvendit. Memoja “çuditërisht” orienton dhe vendos gishtin për fajtorin e kësaj situate dhe po “çuditërisht” me shpejtësi të pazakontë dhe në të njëjtën sintoni me presidentin ka reaguar dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi.

Duket se për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë ka filluar zinxhiri i riteve që nuk është çudi ta çojnë drejt të bërit kurban. Ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësit e tij. Ndaj nuk duket dhe kaq e papritur që një skandal i përmasave të tilla të përdorej nga faktorët dhe aktorët politikë për të sulmuar guvernatorin, sepse ky mandat është radha e “Guvernatorit JO”.

Por çfarë kuptojmë me termin “Guvernatori JO”.

Nëse ndalemi në historinë e guvernatorëve të Bankës së Shqipërisë nga fillimi i viteve 90 e deri më sot duket se një mallkim ndjek fatin e tyre në një cikël sipas të cilit fati i guvernatori nga i mirë, pasohet me një fat të lig, qoftë ky dhe i njëjti person.

Guvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë, i ndjeri z. Ilir Hoti, ai që nisi reformën e ndërtimit të një banke qendrore moderne, përfundoi në burg për shkak të skandalit “Arsidi”. Pra e la detyrën me fat të lig.

Pasuesi i tij, z. Dylber Vrioni, dikur “ylli” i pushtetarëve të PD-së, mund të quhet se pati fat të mirë. Pavarësisht se qëndroi pak në këtë detyrë, ai e la postin për t’u bërë zëvendëskryeministër dhe ministër i financave në qeverinë e asaj kohe.

I treti në radhë, Kristaq Luniku që pëlqente të tregohej guvernator teknik me marrëdhënie të mira me FMN dhe Bankën Botërore, pati po ashtu fat të lig. Për shkak të skandalit të piramidave, në pranverën e vitit 1997 arratiset në SHBA, ku fitoi dhe azilin politik si i përndjekur në tentativë nga regjimi i Berishës.

Pas tij, nga presidenti Berisha u emërua një guvernator me jetë më pak se 6 muaj. Z. Qamil Tusha u shkarkua në gusht 1997 nga mazhoranca socialiste e krijuar pas zgjedhjeve të muajit qershor të atij viti. Ky në fakt mund të cilësohet edhe fatmir, edhe fatkeq.

Z. Shkëlqim Cani, ishte i pari guvernator që arriti të qëndrojë në detyrë për 7 vite, sa mandati ligjor. Por, skandali me tenderin e kartëmonedhave errësoi periudhën e tij të drejtimit të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar kjo me një nismë për shkarkim të marrë nga opozita e asaj kohe, PD-ja. Mazhoranca njëherësh e goditi dhe e shpëtoi guvernatorin. E goditi duke i arrestuar zëvendësguvernatorin, por nuk pranoi shkarkimin e tij, duke e shpëtuar me vetëm 14 vota diferencë. Pra edhe z. Cani, ashtu si z. Tusha, mund të klasifikohet edhe fatmirë, edhe fatkeq.

Pas këtij momenti duket se cikli shfaqet i pastër.

Guvernatori i gjashtë, z. Ardian Fullani e përfundoi të plotë mandatin e tij të parë. Madje mund të thuhet se fati i ndriçoi pasi asnjë skandal nuk ia errësoi shtatëvjeçarin në detyrë, por shkëlqeu si një ylber. I emëruar dhe duartrokitur nga socialistët, z. Fullani vendosi marrëdhënie të shkëlqyera me qeverinë e Berishës të ardhur në pushtet në zgjedhjet e vitit 2005. Aq shumë ndriçoi ylli i Fullanit sa demokratët i dhuruan mandatin e dytë, duke e bërë kështu guvernatorin e parë të Bankës së Shqipërisë që rizgjidhej në detyrë.

Por skandali i vjedhjes së thesarit, gjatë mandatit të dytë të tij, e çoi zotin Fullani drejt shkarkimit dhe për pak kohë drejt burgut në periudhën kur pushteti kishte kaluar tek socialistët. Duke ia errësuar fatin dhe famën si guvernator jetëgjatë.

Guvernatori i radhës, z. Genti Sejko pati fat të mirë dhe të qetë me mandatin e marrë nga socialistët edhe pse erdhi si propozim nga presidenti i emëruar nga PD, i ndjeri z. Nishani. Mandati i tij i parë i përngjau mandatit të parë të z. Fullani, ku guvernatori dukej si profili konsensual i politikës. Arsye që e çoi drejt mandatit të dytë.

Por skandali që ka shpërthyer me mikrokreditë, të cilit i janë bashkëngjitur edhe dy viktima dhe një çështje në organet e hetimit, ka prishur qetësinë e guvernatorit të nëntë në radhë, z. Sejko.

Profili konsensual që z. Sejko mban veshur duket se po gërvishtet nga vetë Presidenti i Republikës, i cili në fakt është autoriteti që propozon kandidaturën për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Pa dashur të parashikojmë fatin e Guvernatorit në muajt në vijim, vështirë se ylli i tij do të ndrijë në mandatin e dytë. Por një këshillë mund t’ia japim. Z. Sejko para se të kish pranuar mandatin e dytë duhet ta kishte analizuar me kujdes historikun e paraardhësve të tij. Po ta kishte parë se po i afrohej radhës së “Guvernatorit JO” ndoshta nuk do të tregohej dhe aq entuziast për mandatin e dytë!

Video

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin dytësor Lezhë-Kakarriq, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar i përmbysur në një kanal. Si pasojë e këtij aksidenti tragjik kanë humbur jetën Anton Keçi, 54-vjeç, mjek në sistemin peritenciar dhe vajza e tij Bora Keçi, vetëm 20 vjeç. Sipas burimeve paraprake, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, por është konstatuar vetëm në orët e vona të mbrëmjes së së shtunës. Kanë qenë familjarët ata që, të shqetësuar për mungesën e kontaktit me familjarët, kanë nisur kërkimet për të afërmit e tyre. Ndërkohë, gjatë një patrullimi në zonë, shërbimet e policisë kanë konstatuar automjetin e përmbysur në kanal, ku janë gjetur edhe trupat e pajetë të viktimave. Vështirësia për gjetjen e tyre ishte e madhe, pasi kanali ishte thuajse i padukshëm.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka publikuar pamje nga kamerat e sigurisë (CCTV) që tregojnë autorin e dyshuar të të shtënave gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Digjet makina e gazetarit Sami Curri. Ngjarja ndodhi në qytetin e Ri, Bulqizë, rreth orës 02:45 të mëngjesit të ditës së sotme. Makina ishte e parkuar në afërsi të pallatit ku banonte gazetari. Zjarrvënia dyshohet të jetë e qëllimshme për shkak të detyrës. Policia po heton rrethanat e ngjarjes. Gazetari Curri thotë ky veprim bëhet për t’i mbyllur gojën.

Ky është momenti i të shtënave që shkaktuan panik gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump, u larguan me urgjencë nga salla. Sipas një ndihmësi të Shtëpisë së Bardhë, Trump ishte i sigurt dhe jashtë rrezikut. Më vonë, ai njoftoi në Truth Social se personi i armatosur ishte arrestuar.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme