Bota 3 Shkurt 2025, 18:18 Nga VNA

Punonjësit e USAID-it udhëzohen të mos hyjnë në godinë, rreth 600 prej tyre u është ndaluar qasja tek sistemet kompjuterike të agjencisë

Ndaje në Whatsapp
Punonjësit e USAID-it udhëzohen të mos hyjnë në

Punonjësit e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) u udhëzuan të mos futen të hënën në selinë qendrore të agjencisë në Uashington. Udhëzimi iu dërgua punonjësve pasi miliarderi Elon Musk njoftoi se Presidenti Donald Tump ka rënë dakort me të për ta mbyllur USAID-in.

Zyrtarë të USAID-it thanë se deri në mëngjesin e së hënës, rreth 600 punonjësve u ishte ndaluar qasja tek sistemet kompjuterike të agjencisë. Punonjësit që vazhdojnë të kenë qasje në sistem, morën mesazhe në postën elektronike ku u thuhet se “me udhëzim të drejtuesve të agjencisë” godina “do të jetë e mbyllur për personelin të hënën, më 3 shkurt”.

Zhvillimet vijnë pasi zoti Musk, i cili drejton, me miratimin e presidentit, një proces të jashtëzakonshëm rishikimi të qeverisë federale, tha herët të hënën se ai ka biseduar me Presidentin Trump për agjencinë që ka menaxhuar prej gjashtë dekadash programet amerikane të ndihmës dhe zhvillimit në vende të tjera dhe se “ai ra dakord se duhet ta mbyllim”.

“U bë e qartë se nuk është një mollë me një krimb brenda”, tha zoti Musk në një sesion të drejtpërdrejtë të hënën në rrjetin X. “Ajo që kemi është thjesht një top me krimba. Duhet në thelb të hiqet e gjitha. Është përtej riparimit”.

“Po e mbyllim”, tha ai.

Zoti Musk, Presidenti Trump dhe disa ligjvënës republikanë kanë vënë në shënjestër USAID-in, që mbikëqyr programet humanitare, të zhvillimit dhe të sigurisë në rreth 120 vende, në terma gjithnjë e më të ashpër, duke e akuzuar atë për nxitje të kauzave liberale.

Gjatë fundjavës, administrata e Presidentit Trump largoi nga puna me leje të detyruar, dy drejtuesit e lartë të sigurisë në USAID, pasi ata refuzuan t’iu dorëzonin materialet e klasifikuara, që mbahen në zona të kufizuara, ekipeve të inspektimit të qeverisë të dërguara nga zoti Musk, thanë të dielën një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë i drejtuar nga zoti Musk, i njohur ndryshe si DOGE, bëri më herët një operacion të ngjashëm në Departamentin e Thesarit, duke fituar qasje tek informacionet e klasifikuara, përfshirë sistemet e pagesave për Sigurimet Shoqërore dhe programin e sigurimit shëndetësor Medicare. Gazeta “Washington Post” raportoi se një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit ka dhënë dorëheqjen për shkak të qasjes së ekipit të zotit Musk tek informacionet e klasifikuara.

Ligjvënësit demokratë kanë protestuar ndaj këtyre masave, duke thënë se Presidentit Trump i mungon autoriteti kushtetues për ta mbyllur USAID-in pa miratimin e Kongresit dhe duke kritikuar qasjen e zotit Musk tek informacionet e klasifikuara të qeverisë, nëpërmjet inspektimeve të autorizuara nga Presidenti Trump të agjencive dhe programeve të qeverisë federale.

USAID-i, faqja e internetit e të cilit u zhduk të shtunën pa shpjegime, ka qenë një nga agjencitë federale më të kritikuara nga administrata e Presidentit Trump, ndërsa përshkallëzohen masat ndaj qeverisë federale dhe shumë prej programeve të saj.

“Është drejtuar nga një grup të çmendurish radikalë. Dhe ne po i nxjerrim jashtë”, u tha Presidenti Trump gazetarëve në lidhje me USAID-in të dielën në mbrëmje.

Komentet e zotit Musk dhe Presidentit Trump u bënë ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio gjendet jashtë vendit, në Amerikën Qendrore, në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar. Sekretari Rubio nuk ka folur publikisht për ndonjë plan për mbylljen e USAID-it.

Administrata e Presidentit Trump dhe Sekretari Rubio kanë vendosur një ngrirje të paprecedentë të ndihmës për vendet e tjera, që ka mbyllur shumë nga programet e ndihmës të USAID-it në mbarë botën – duke shkaktuar mijëra pushime nga puna të punonjësve të organizatave të ndihmave – dhe kanë urdhëruar shkurtime dhe dërgimin me leje të detyruar të drejtuesve dhe personelit të agjencisë në Uashington.

Peter Marocco, një i emëruar politik që nga mandati i parë i administratës Trump, mendohet se luajti një rol udhëheqës në procesin e mbylljes. Punonjësit e USAID-it thonë se besojnë se personat e ardhur nga jashtë agjencisë, të pajisur me dokumente identifikimi si vizitorë, që u drejtojnë pyetje punonjësve brenda selisë në Uashington, janë anëtarë të ekipit të departamentit DOGE të drejtuar nga zoti Musk.

Senatorja demokrate Elizabeth Warren tha në një postim të dielën se Presidenti Trump po i lejonte zotit Musk qasje tek të dhënat personale të njerëzve dhe që të mbyllte programet e financimit të qeverisë.

“Duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të kundërshtuar dhe për t’i mbrojtur njerëzit nga dëmi”, tha senatorja demokrate, pa dhënë detaje të mëtejshme./VOA

 

Video

Një punonjës i pakënaqur me rrogën dyshohet se i ka vënë flakën një magazine të madhe në Ontario, California. Zjarri u përhap me shpejtësi duke shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa mbi 170 zjarrfikës punuan për orë të tëra për ta vënë nën kontroll. I riu është arrestuar dhe, sipas hetimeve, kishte shprehur hapur pakënaqësinë për pagën, madje duke publikuar edhe video nga momenti i zjarrvënies.

Jo çdo ditë dëgjojmë për shqiptarë që lënë gjurmë në projektet që do të ndryshojnë historinë e njerëzimit. Ky është Albon Rexhepi, inxhinieri nga Maqedonia e Veriut që sot kontribuon në misionin Artemis II – hapi i radhës i NASA-s drejt rikthimit të njeriut në Hënë. Alboni tregon rrugëtimin e tij sfidues, përgjegjësinë e jashtëzakonshme për sigurinë e astronautëve dhe mesazhin e tij për të rinjtë… https://vna.al/sociale/shqiptari-nga-maqedonia-e-veriut-pjese-e-misionit-artemis-ii-te-nasa-i22318

Oficerët ndaluan Sokol Hazizin në stacionin Milton Keynes nl Londër, pasi ai kishte sjellje të dyshimtë. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 2,000 £ të cilat ai pretendonte se ishin të ligjshme. Hetimi i mëtejshëm zbardhi lidhjen e tij me veprimtari kriminale. Në shtëpinë e Hazizit policia gjeti 35,000 £ kanabis bimor dhe 1,000 £ të tjera të fshehura. Ai u arrestua menjëherë dhe më pas u dënua me 9 muaj burg. Autoritetet theksuan se stacioni hekurudhor përdorej nga Hazizi për shpërndarje droge.

Kush tha që pastrohen paratë e drogës në ndërtim?

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme