
Shoqata e Prokurorëve ka shprehur shqetësim për ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke paralajmëruar se ato mund të dobësojnë efektivitetin e hetimeve penale, veçanërisht në çështjet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në qëndrimin e saj publik, Shoqata thekson se drejtësia penale duhet të ruajë një ekuilibër të domosdoshëm mes garancive për të drejtat e njeriut dhe hetimeve efektive në mbrojtje të viktimave dhe interesit publik. Sipas prokurorëve, ky ekuilibër duhet të jetë në themel të çdo ndërhyrjeje ligjore.
Shoqata paralajmëron se ndryshimet e propozuara rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat hetimore, të kufizojnë mjetet për kërkimin e provës dhe të krijojnë pengesa për ndjekjen penale. Sipas saj, prokurori, si magjistrat i pavarur, ka detyrimin të zhvillojë hetime të plota dhe të gjithanshme, duke mbledhur prova si për fajësinë, ashtu edhe për pafajësinë e personit nën hetim.
Në reagim theksohet se ndërhyrjet në themelet e procedimit penal nuk mund të bëhen pa analiza të thelluara të praktikës dhe pa një vlerësim të plotë të pasojave. Shoqata ngre shqetësimin se marrja mekanike e zgjidhjeve nga modele të ndryshme procedurale, pa respektuar arkitekturën e sistemit shqiptar të drejtësisë, mund të prodhojë paqartësi dhe një sistem atipik.
Një nga pikat më të ndjeshme të kundërshtimit lidhet me zbulimin e të gjitha provave që në fazat e hershme të procedimit, kufizimin e masave të sigurimit personal dhe pengesat për zgjerimin e hetimit drejt fakteve të reja. Sipas Shoqatës, këto ndryshime mund të cenojnë ruajtjen e provave, sekretin hetimor dhe efektivitetin e hetimeve.
Prokurorët kërkojnë gjithashtu që pavlefshmëria e akteve dhe papërdorshmëria e provave të mos kthehen në pasoja automatike, por të lidhen me rëndësinë e shkeljes dhe ndikimin real mbi provën apo të drejtat e mbrojtjes.
Shoqata e Prokurorëve kërkon një proces konsultimi real, gjithëpërfshirës dhe me kohën e nevojshme për debat profesional, ndërsa paralajmëron se do të vijojë me një analizë më të thelluar të projektligjit.






















