
Partia Socialiste ka mbajtur qëndrim kundër kërkesës së opozitës për zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvend lidhur me rastin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Gjatë Konferencës së Kryetarëve, socialistët deklaruan se dyshimet e ngritura ndaj ish-kreut të SHISH duhet të hetohen dhe të zbardhen nga SPAK, pa ndërhyrje apo mbivendosje nga institucionet e tjera. Sipas PS-së, Kuvendi nuk duhet të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar apo zëvendësuar kompetencat e prokurorisë.
Opozita, nga ana tjetër, kërkon zhvillimin e një mocioni me debat për të shqyrtuar përgjegjësitë institucionale që lidhen me emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e Hysenit nga drejtimi i SHISH. PD kërkon gjithashtu sqarime për masat e marra për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe për funksionimin e mekanizmave të kontrollit ndaj institucionit.
Në qëndrimin e saj, mazhoranca argumenton se përcaktimi i përgjegjësisë penale është kompetencë e organeve të drejtësisë dhe se procesi hetimor duhet të zhvillohet në mënyrë të pavarur.
PS iu referua gjithashtu shkarkimit të Hysenit nga detyra, duke e paraqitur atë si pjesë të qasjes për të mos ndërhyrë në çështjet që janë objekt i hetimeve të drejtësisë. Socialistët theksuan se askush nuk është mbi ligjin, ndërsa fajësia ose pafajësia duhet të përcaktohet përfundimisht nga gjykata.
Vlora Hyseni është nën hetim nga SPAK, ndërsa Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj saj masat e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”.






















