Politika 14 Dhjetor 2025, 17:01 Nga VNA

Verdikti i GJK-së, gëzimi i Ramës dhe prova më e rëndë për SPAK-un

Ndaje në Whatsapp
Verdikti i GJK-së, gëzimi i Ramës dhe prova më e

Edi Rama nuk e fshehu dot gëzimin kur, si çdo të diel, i foli popullit duke thënë se:

“Këtë javë SPAK-u zgjodhi drejtuesin e ri, i cili do të pasojë Altin Dumanin, kryeprokurorin që e ngriti institucionin në një nivel tjetër, duke e kthyer, falë forcës së shembullit të tij në radhë të parë, në një fakt konkret, historik – do të thoja pa ekzagjerim – atë që dukej një parullë e parealizueshme, kur unë e përsërisja gjatë kohës së betejës për të kaluar reformën në drejtësi dhe më pas në rrugën e implementimit të saj: një drejtësi që nuk sheh majtas e djathtas, po vetëm drejt.”

Pasazhi i mësipërm u pasua nga qëndrimi totalisht i kundërt, teksa, duke i thurur elozhe 5 gjyqtarëve të GJK-së, deklaroi:

“Në aspektin ligjor u eliminua një precedent unik në botë dhe u zmbraps nga gjykata më e lartë e vendit një brutalitet alla shqiptarçe në interpretimin e ligjit, i cili goditi organizmin demokratik të shtetit.”

Sulmin e drejtoi ballazi ndaj SPAK dhe GJKKO, kur klithi se puna e tyre ishte:

“…simptoma shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë, në jo një rast, kurën më të dëmshme se sa sëmundja që luftojmë bashkërisht.”

I kënaqur që betejën e fitoi dhe duhet ta pranojmë të gjithë se ia doli, nxori edhe një inat të vjetër. Atë se si, ca kohë më parë, ia kishte dalë të zmbrapste edhe vetë BKH-në. Legjenda urbane në Tiranë e kishte shoqëruar edhe si thashethem, por sot patëm provën e vërtetësisë:

“Protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave dhe nuk donin ta linin pistoletën te dera sipas rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës.”

Përtej gëzimit të Kryeministrit, interesi publik tashmë kërkon qetësi dhe reflektim mbi atë çka ka ndodhur.

Pesë anëtarë të GJK-së dhanë një verdikt duke pezulluar një vendim gjyqësor penal, e pandodhur më parë, madje pa asnjë arsyetim. Këto fakte, të vendosura në harmoni edhe me presionin e përditshëm që Rama ushtroi përgjatë një jave, i japin kuptim bindjes se pesë anëtarët e GJK-së kanë qenë nën trysni dhe janë përthyer: disa sepse nuk e përballojnë presionin, disa sepse e kanë shfaqur hapur afiliacionin me PS-në, e disa për oportunitet, për të bërë karrierë të qetë e pa sulme. Shkëlqen rasti Bejtja, e veçuara e Berishës për integritet, e cila ishte në favor të Ramës, pra për rikthimin e Ballukut në detyrë. E gjitha pra është një kundërvënie politike PS–PD, e plotë, kundër SPAK-ut.

Shumë do të flitet në të ardhmen për këtë vendim: për precedentin e padëgjuar më parë, që GJK ndërhyn në një vendim gjyqësor ende pa u ezauruar shkallët e ankimit; do të flitet për një vendim tërësisht të paarsyetuar të pesë anëtarëve të GJK-së, deri në kufijtë e abuzimit me detyrën; do të flitet si për një vendim që në fakt ka paragjykuar edhe themelin e çështjes, lidhur me shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së; do të flitet si rasti i parë kur organet e reja të arkitekturës së reformës janë kthyer kundër njëri-tjetrit. Por ka diçka që është efekt i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm i këtij vendimi të 5 anëtarëve të GJK-së, për të cilin më së shumti duhet të flasë SPAK dhe GJKKO.

Kjo që ka ndodhur mund të ngelet thjesht humbja vetëm e një beteje. Lufta me gjasë do të jetë e gjatë. Duke iu kthyer vendimit të GJKKO-së, tashmë të pezulluar sipas vendimit të GJK-së, duhet pritur 22 janari i vitit të ri. Atë ditë do të vijojë gjykimi i themelit dhe, edhe sikur çdo gjë të ecë normalisht, vendimi përfundimtar i GJK-së, sido që të jetë, nuk del në dritë për të paktën 2–3 muaj. Këta 2–3 muaj, përgjatë një hetimi penal, janë një pafundësi kohore kur bëhet fjalë për integritetin e atij hetimi. Në 2–3 muaj, me një ministre/zëvendëskryeministre në hetim për disa çështje të njohura publikisht e ndoshta shumë të tjera ende nën hetim, ka kohë të mjaftueshme që të prishen prova, të intimidohen dëshmitarë, të manipulohen ngjarje dhe dokumente, apo edhe të kryhen vepra penale të ngjashme, nëse rreziku është eminent. A nuk u intimiduan pesë anëtarë të GJK-së? Atëherë dëshmitarët apo bashkëpunëtorët në krimet e Ballukut intimidohen me lehtësi, sidomos kur angazhimi është masiv, me Kryeministrin në krye të punëve. Kjo është kohë e çmuar që askush nuk mund t’ia kthejë SPAK-ut dhe hetimit edhe sikur vendimi final i Gjykatës Kushtetuese të jetë në favor të SPAK-ut.

Kështu pra, efekti më deterrent i vendimit të GJK-së është dëmi i shkaktuar ndaj hetimeve. Është një dëm potencialisht i parikthyeshëm nëse nuk merren masa. Në këtë pikë, edhe pse pa asnjë përgjegjësi për atë çka ka ndodhur, është detyrë e SPAK-ut dhe GJKKO-së të rimediojnë situatën. Vendimi i GJKKO-së ishte i qartë kur konstatonte ekzistencën e të tre rreziqeve ligjore që justifikonin masat e sigurimit. Nëse për rrezikun e arratisjes masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit mbetet në fuqi, dy rreziqet e tjera – rreziku i helmimit të provave dhe rreziku i kryerjes së veprave penale të ngjashme – mbeten të pambuluara. Në instancë të fundit, përgjegjësia për rrënimin e hetimeve, pavarësisht se është shkaktuar nga zinxhiri politik i Kryeministrit dhe GJK-së, përfundimisht i mbetet SPAK-ut dhe GJKKO-së.

Se cili do të jetë reagimi i SPAK-ut dhe GJKKO-së, kjo mbetet për t’u parë. Rikthimi i Ballukut në detyrë fillon nga e hëna në orën 09:00, sepse vendimi i GJK-së është botuar në Fletoren Zyrtare. SPAK dhe GJKKO kanë detyrim ligjor ndaj hetimit, por edhe detyrim publik, që të deklarojnë ose se dy rreziqet – helmimi i provave dhe kryerja e veprave penale të ngjashme – nuk ekzistojnë më, ose të identifikojnë një masë tjetër sigurimi që i neutralizon këto rreziqe. Vetëm kjo sjellje do të ruante të paprekur atë që SPAK dhe GJKKO kanë ndërtuar me shumë mund e vështirësi: besimin e lartë të publikut ndaj tyre. Çdo sjellje tjetër – apati apo pritje deri më 22 janar, e ndoshta edhe më vonë – pa mëdyshje do të përkthehej jo vetëm si perceptim, por si dorëzim.

Ndaj, duke iu kthyer asaj çka Edi Rama deklaroi sot, kushdo e kupton se tashmë në lojë nuk është thirrur thjesht Joni Keta i BKH-së apo edhe Klodian Braho i SPAK-ut. Edhe pse e dimë se për publikun e patrajnuar me detaje procedurale përgjegjësia do të adresohet te këta dy persona, në lojë është thirrur në fakt vetë fati i drejtësisë. Një projekt i sponsorizuar fuqimisht nga radhët e të gjitha vendeve europiane dhe nga SHBA, përfaqësuesit e të cilave asistuan si në zgjedhjen e Joni Ketës ashtu edhe të Klodian Brahos.

Këta të dy, ose më saktë SPAK dhe BKH, mbajnë mbi vete një barrë më të madhe përtej asaj që përmban çështja Balluku. Mbi supet e tyre rëndon pikërisht ajo që vetë Kryeministri e artikuloi sot: “të vazhdojnë të ecin në rrugën e implementimit të saj, një drejtësi që nuk sheh majtas e djathtas, po vetëm drejt”. Koha e ka sjellë, si vektor të pashmangshëm, që të shohin edhe lart.

Koha nuk pret. Nesër është e hënë dhe prej orës 09:00, kur fillon orari i punës, hetimet për çështjen në fjalë janë realisht në rrezik të rrënohen.

Video

Sali Berisha pritet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës detyrim për paraqitje. Para SPAK kanë mbërritur një grusht mbështetësish, si dhe disa nga deputetët besnikë të ish-kryeministrit. Berisha është i pandehur për korrupsion për dosjen “Partizani”

Rama mbledh grupin parlamentar merr pjesë dhe zv. kryeministrja Balluku

Një event me Lionel Messin në Indi u shoqërua me tensione, pasi tifozë të zemëruar hodhën karrige dhe shishe drejt fushës në stadiumin “Salt Lake” të Kalkutës. Mijëra mbështetës kishin paguar deri në 12 mijë rupi (rreth 100 paund) për të parë nga afër yllin e futbollit, por mbetën të zhgënjyer kur Messi u shfaq vetëm për një shëtitje të shkurtër rreth fushës, i rrethuar nga zyrtarë dhe figura publike që ia penguan pamjen. Situata u përkeqësua kur sulmuesi i Argjentinës dhe Inter Miami u largua herët nga stadiumi nën masa të forta sigurie, pas rreth 20 minutash. Pas largimit të tij, një pjesë e tifozëve reaguan me zemërim, duke shkaktuar kaos në tribunë.

Dy persona të armatosur që vranë 15 njerëz në Bondi Beach të Sydney-t të dielën janë identifikuar nga mediat lokale si Sajid Akram, 50 vjeç, dhe djali i tij Naveed Akram, 24 vjeç. Policia australiane konfirmoi se autorët ishin babë e bir. 50-vjeçari humbi jetën në vendngjarje, ndërsa djali ndodhet në gjendje kritike në spital. Sipas autoriteteve, sulmi kishte në shënjestër persona hebrenj që po merrnin pjesë në një event për festën e Hanukës. https://www.vna.al/bota/masaker-ne-bondi-beach-sydney-autoret-babe-e-bir-15--gjate-nje-event-i17910

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme