Politika 16 Tetor 2025, 20:43 Nga VNA

“Shqetësime reale nga ‘Gjykatat Speciale’“

Ndaje në Whatsapp
“Shqetësime reale nga ‘Gjykatat Speciale’“

Abdi Baleta, diplomati dhe intelektuali i njohur shqiptar, është ndarë nga jeta, por trashëgimia e tij publike e mendimit mbetet e gjallë në çdo faqe të shkrimeve që la pas. Një prej tyre është edhe analiza e tij e majit të vitit 2015 me titull “Shqetësime reale nga Gjykatat Speciale”, një reflektim i thellë mbi idenë e ngritjes së një gjykate të posaçme për krimet e luftës në Kosovë.

Në këtë shkrim, Baleta shpalos me kthjelltësi të rrallë shqetësimet që kishte për ndërhyrjet e huaja në sovranitetin gjyqësor të Kosovës dhe paralajmëronte për rrezikun që “drejtësia e komanduar nga jashtë” mund të shndërrohej në një mjet politik për të cenuar pavarësinë e saj. Ai e vendos debatin në një kontekst historik të gjerë, duke lidhur “gjykatat speciale” me përvojat e Nurenbergut, Hagës dhe eksperimentet e dështuar të drejtësisë ndërkombëtare, për të argumentuar se drejtësia e vërtetë mund të ndërtohet vetëm mbi themelet e pavarësisë kombëtare.

Shkrimi, botuar në kolanën “Kronikë Kohe”, mbetet sot një dëshmi e qasjes kritike, parashikuese dhe thellësisht kombëtare të Abdi Baletës — një zë që, edhe pse është shuar, vijon të kumbojë aktualitet në debatet e sotme mbi drejtësinë, sovranitetin dhe fatin e shtetit shqiptar në Kosovë.

VNA e risjell sot të plotë këtë shkrim.

"SHQETËSIME REALE NGA “GJYKATAT SPECIALE”"

Lajmet rreth zhvillimeve e problemeve shqiptare po bëhen çdo ditë më zhgënjyese, më acaruese e më shqetësuese. Në Europë po i fryhet gjithnjë e më shumë një psikoze të mbrapshtë mbi rrezikun e “Shqipërisë së Madhe”, po bëhet propagandë e pahijshme mbi telashet e të këqija që shqiptarët po ia çuakan Europës. Kurdisen edhe veprime diplomatike absurde dhe projekte politiko-juridike, që rëndojnë e mjerojnë pa kurrfarë arsye, gjendjen pezull në të cilën ka mbetur kombi shqiptar për shkak të copëtimit. Kështu na bën të mendojmë edhe projekti për ngritjen e “Gjykatave speciale” penale në Kosovë, që ka shkaktuar tashmë shumë tensione në politikën e në shoqërinë shqiptare dhe ka sjellë ngatërresa të reja për shtetshmërinë e brishtë të Kosovës.

* * *

1. Terminologjia “gjykata speciale” është mjaft e mjegullt. Ajo të kujton gjykatat e kohës së inkuizicionit fetar, ndëshkimet politike të egra gjatë revolucioneve, hakmarrjet pas përmbysjeve të pushtetit nga grushte shteti në vende të ndryshme. Kjo terminologji është e vrazhdë për veshët e njerëzve në Shqipëri, sepse ua kujton gjyqet partizane, që jepnin dënime me vdekje për kot, si dhe “gjykatat speciale” që regjimi komunist i ngriti menjëherë për të likuiduar kundërshtarët e tij politikë.

2. Vetë emërtimi “gjykata speciale” e cenon kuptimin e procesit të gjykimit, që normalisht duhet të realizohet nëpërmjet një sistemi kompleks gjykatoresh të shkallëve të ndryshme, me lidhje të ngushtë hierarkike brenda një sistemi të njëjtësuar ligjor dhe sipas praktikash të uniformizuara procedurale. “Qëllimi i gjykimit është të japë drejtësi dhe asgjë tjetër. Çdo synim tjetër, qoftë edhe nga më fisnikët, si ai që e formuloi Robert G. Stori, këshilltar ekzekutiv në gjyqin e Nurenbergut, si qëllimin më të lartë të këtij Gjyqi për të ekspozuar regjimin hitlerian para gjyqit të historisë, vetëm se e nxjerr veprimtarinë njerëzore nga sfera e zbatimit të ligjit, që do të thotë: ta peshosh akuzën e bërë ndaj të akuzuarit, të japësh gjykimin për të dhe ta caktosh ndëshkimin”. (Hannah Arendt, “Eichmann in Jeruzalem. A Report on the Banality of Evil”, 1963, citohet sipas ribotimit 2006, f. 253). Gjyqi i Nurenbergut u krijua për ndëshkimin e kriminelëve kryesorë nazistë të luftës, por në realitet ishte më shumë një mekanizëm politiko-juridik sesa gjykatë e mirëfilltë. Ky gjyq shërbeu si nxitje e nismës ndërkombëtare (fillimisht franceze) për ta ngritur Gjykatën për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi. Edhe kjo ishte në fakt më shumë një hap politiko-diplomatik për të bindur opinionin publik se bota demokratike nuk po qëndronte indiferente ndaj luftërave e gjenocideve në Europën e fundit të shekullit XX. Formalisht kjo Gjykatë funksionon ende, por i ka humbur vlerat dhe autoritetin fillestar.

3. Përvojat nga Gjyqet e Nurenbergut, nga Gjyqi i Ajhmanit në Jerusalem (1963), nga Gjykata e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, dëshmojnë se “gjykatat speciale” penale ndërkombëtare janë më shumë shmangie nga drejtësidhënia normale sesa drejtësidhënia në një shkallë më të lartë. Ato kanë prodhuar më tepër rrjedhoja politiko-diplomatike se juridike. Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë është orvatja më e pasuksesshme e drejtësidhënies penale ndërkombëtare, sepse ajo u largua haptazi dhe nga parimet e Nurenbergut, kur hyri në rrugën e gabuar të barazimit në fajësi të viktimës me xhelatin. Shqiptarët, me të drejtë, e kanë pritur me indinjatë e zemërim një padrejtësi të tillë gjyqësore ndërkombëtare që u bë në radhë të parë në dëm të tyre (shih “Haradinaj dhe Haga. Artikuj, qëndrime, publicistikë politike nga shtypi i Tiranës”, përgatitur nga Mehmet Gëzhili e Rasim Selmanaj, 2005).

Para 10 vitesh kam shkruar: “Duke ulur në bankën e të akuzuarve luftëtarë shqiptarë, Gjykata e Hagës praktikisht po ndëshkon UÇK-në, po ndëshkon popullin e Kosovës, pse u ngrit në luftën për vetëmbrojtje dhe për liri. Është njëlloj hakmarrjeje që u bën qejfin agresorëve serbë, që u jep atyre rast të përligjin krimet e tyre. Është një paralajmërim për të gjithë ata që guxojnë të marrin armët për liri se do të akuzohen për krime lufte njësoj si agresorët e robëruesit e tyre. Në këtë aspekt vetëm drejtësi nuk mund të ketë në veprimin e Gjykatës së Hagës…nëse ecet në këtë rrugë arsyetimi e veprimi, siç po bëhet në Hagë me luftëtarët e UÇK-së, atëherë bashkë me nazistët në gjyqin e Nurenbergut duhej të gjykoheshin edhe gjeneralët rusë, amerikanë, anglezë, sepse kishin urdhëruar bombardimet e Drezdenit, kishin vrarë ushtarë gjermanë, dezertorë rusë, amerikanë e spiunë të tjerë. Atëherë duhen gjykuar edhe pilotët e NATO-s që bombarduan ‘gabimisht’ një karvan qerresh të refugjatëve shqiptarë, duhen gjykuar edhe ushtarakët amerikanë për bombardimin e Falluxhas e për veprime të tjera në Irak etj., etj.” (“Rimëkëmbja”, 11 mars 2005).

4. Shqetësimet e mësipërme nuk mund t’i quajmë të kapërcyera as tani, në vitin 2015, kur janë bërë projekte për të ngritur brenda shtetit të pavarur të Kosovës të “gjykatave speciale” penale ndërkombëtare, me mision parësor të gjykojnë e të ndëshkojnë krimet e kryera nga luftëtarë të UÇK-së. “Sigurimet” që jepen se fjala qenka vetëm për gjykime individësh dhe se këto gjykata nuk kanë për qëllim të njollosin UÇK-në e luftën çlirimtare të popullit shqiptar, nuk mund të jenë qetësuese për opinionin publik dhe u duhen si justifikim juristëve e politikanëve shqiptarë, që pajtohen me ngritjen e këtyre “gjykatave speciale”, që mund të kishin njëfarë kuptimi po të ngriheshin në Serbi. Por, ato po mbajnë gjallë frymën e keqe që u krijua në Gjykatën e Hagës në dëm të luftës çlirimtare të popullit shqiptar, duke e barazuar në fajësi viktimën me xhelatin. Madje, kjo frymë e keqe shkon më tej, sepse nënkupton vetëm në ndëshkimin e viktimës shqiptare që të ndjehet më i lehtësuar xhelati serb.

5. Kosova nuk ka nevojë sot për këto eksperimentime gjyqësore sui generis. Asaj nuk mund t’i vijë realisht në ndihmë një pushtet tjetër penal special ndërkombëtar ekstraterritorial, që do të ishte një shmangie tjetër e tepërt nga përpjekjet e përgjithshme për përsosjen e shtetshmërisë së pavarur të Kosovës. Një pushtet i tillë special penal ndërkombëtar do të ishte një pengesë e re në rrugën drejt krijimit të atij pushteti gjyqësor të mirëfilltë, normal dhe efikas, rrënjësisht të ri, me burime njerëzore profesionale të vetë Kosovës, për të cilin ka nevojë të ngutshme Kosova. Ndërtimi i një pushteti të tillë gjyqësor, rrënjësisht të ri, në Kosovë është një ndërmarrje politiko-juridike e vështirë dhe e ndërlikuar, që nuk arrihet shpejt. Kështu ka ndodhur në të gjitha rastet kur janë krijuar shtete të reja ose janë përmbysur sistemet juridike të një shteti. Edhe 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe një çerek shekulli pas hyrjes në rrugën e zhvillimeve demokratike, Shqipëria vuan shumë nga mungesa e një pushteti gjyqësor serioz, efikas, demokratik dhe të besueshëm. Drejtësidhënia në Shqipëri ende nuk ka shpëtuar nga trashëgimia e keqe e së kaluarës diktatoriale enveriste të vendit. Me sa duket, në pushtetin gjyqësor trashëgimia e një sistemi të përmbysur mbijetuaka më fort dhe më gjatë. Disa vjet pasi ishte vënë në veprim drejtësidhënia denazifikuese e Nurenbergut “Vlerësohej se nga 11,500 gjyqtarë në Bundesrepublik, 5,000 kishin qenë aktivë në gjykatat e regjimit të Hitlerit” (Hanna Arendt “Eichman in Jerusalem...” f. 16).

6. Gjatë 17 viteve pas çlirimit nga sundimi serb (pra nga edhe nga juridiksioni penal i pushtuesit serb) drejtësidhënia në Kosovë nuk ka qenë e mundur të vihej si duhej në rrugën e mbarësisë, por është dëmtuar rëndë nga një pushtet gjyqësor i hallakatur, i laramanizuar në skajshmëri, me gjithfarë shartimesh normative, strukturore e funksionale ndërkombëtare. Nuk u vërtetuan shpresat që lindën fillimisht se në Kosovë procesi i ndërtimit të pushtetit gjyqësor do të ecte më mirë e më shpejt, nën kujdestarinë dhe me ndihmën e mekanizmave demokratike ndërkombëtare. Gjatë një dhjetëvjeçari në Kosovë sundoi “drejtësidhënia unmikase”, një mishmash elementësh ligjorë e njerëzorë nga gjithë bota, me huazime të mëdha nga praktikat e huaja. Kjo drejtësidhënie, që e zbatonte UNMIK-u, ishte më shumë në funksion të afirmimit të veprimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të mbajtur hapur çështjen përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Pra, nuk synohej përgatitja e një pushteti gjyqësor për një shtet të pavarur në Kosovë dhe nuk përjashtohej mundësia e rikthimit të sistemit gjyqësor serb. Kosova provoi më shumë rrëmujë se stabilitet gjyqësor nga dhënia e drejtësisë nën UNMIK-un.

7. Pasi Kosova u njoh shtet i pavarur e sovran, në vitin 2008, lindi nevoja për të qartësuar edhe problemet e pushtetit gjyqësor. Por, trashëgimia unmikase, për inerci dhe me qëllime politike ndërkombëtare, nuk u fshi tërësisht. Përkundrazi, kjo trashëgimi u ruajt dhe u kultivua më tej në kuadër të funksioneve të EULEX-it, që zëvendësoi UNMIKU-un, me misionin që të vinte në jetë “Planin Ahtisaari”, i cili shërbeu si bazë juridike ndërkombëtare për shpalljen dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, por në të njëjtën kohë e bëri këtë shtet të paqeverisshëm në mënyrë vërtet të pavarur. Rrjedhojat negative të këtyre zhvillimeve në Kosovë i ndjeu më shumë pikërisht pushteti gjyqësor, që mbeti nën kontrollin e rreptë të EULEX-it, siç kishte qenë dhe nën atë të UNMIK-ut. EULEX-i u bë në fakt UNMIK-2 në fushën e drejtësidhënies. Pushteti gjyqësor në Kosovë përsëri nuk përftoi fizionominë e vet të plotë e nuk ushtroi pavarësinë e vet. Kosovës iu imponua për herë të dytë një sistem hibrid drejtësidhënie, kur hallkat ndërkombëtare e gjoja vendore kanë penguar shpesh njëra-tjetrën. Ndodhi që drejtësidhënia e UNMIK-ut dhe ajo e EULEX-it për 17 vjet nuk shqyrtuan e nuk dhanë zgjidhjen e duhur as për çështjet më madhore të përfolura shumë për implikimet e njerëzve të UÇK-së në veprimtari kriminale për përfshirjen e drejtuesve politikë të Kosovës në çështje të rënda korrupsioni etj. Dhe, ja tani, me arsyetimin se këto çështje duhen sqaruar e zgjidhur pa patjetër është projektuar krijimi i një sistemi të tretë të drejtësisë së komanduar nga ndërkombëtarët, nën emërtimin “gjykata speciale” penale.

8. Ky cikël i tretë i “drejtësidhënies së komanduar nga jashtë” në Kosovë ndjek të njëjtën brazdë veprimi politik për ta hipotekuar edhe më tej shtetshmërinë e pavarur të Kosovës, pikërisht në pikën më të ndjeshme, në pushtetin gjyqësor, nëpërmjet të cilit mund të kontrollohen më lehtë e të vihen në vështirësi të gjitha pushtetet e tjera dhe të gjithë pushtetarët e politikanët e Kosovës, që mund të hedhin ndonjë vickël para ndërkombëtarëve. Po afrohet koha e mbarimit të mandatit të EULEX-it (UNMIK-2). Por, disa faktorë ndërkombëtarë nuk kanë dëshirë ta lënë Kosovën të ecë lirshëm në rrugën e vet si shtet sovran dhe përpiqen të vendosin në këmbë vargonj të rinj dhe të kënaqin pretendimet e Serbisë për të ruajtur disa hije të sovranitetit të saj mbi Kosovën. Për këtë duket se janë sajuar edhe “Gjykatat Speciale” ose drejtësidhënia sipas skemave të përpunuara gjatë “diplomacisë Eshton në Bruksel”, që është njëfarë largimi nga rregullimet e “Planit Ahtisaari” drejt rregullimeve që përmban Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit.

Para se bisedimet shqiptaro-serbe në Bruksel të kalonin nga faza e tyre teknike në fazën politike, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u bë tabelë qitjeje në një fushatë akuzash nga eurodeputeti zviceran Dik Marti, për trafikim të organeve të serbëve të vrarë, sipas hist(o)erisë që kishte prodhuar më parë ish-kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, zviceranja Karla del Ponte. Dëgjueshmëria shembullore e Thaçit ndaj “diplomacisë Eshton” ka bërë që deri tani diplomacia europiane të heshtë për akuzat e lëshuara havadan nga Dik Marti. Por, ato janë mbajtur me kujdes në sirtar, si mjet shantazhi në rast se nuk përparon projekti i “gjykatave speciale” dhe nuk shkohet përpara me pazaret e tjera në Bruksel. Tashmë ka dalë qartë se dërgimi për gjykim në Hagë i Haradinajt, kur ishte kryeministër i Kosovës, ishte pjesë e skenarëve për manipulim ndërkombëtar të luftës për pushtet në Kosovë. Shenjat janë të dukshme – se ngritja e “gjykatave speciale” tani në Kosovë shërben për manipulim tjetër ndërkombëtar të luftërave të reja edhe më të shëmtuara për pushtet në Kosovë.

9. Serbia, Rusia dhe kundërshtarët e tjerë të njohjes së pavarësisë së Kosovës vazhdojnë të këmbëngulin se problemet që kanë lidhje me Kosovën duhen trajtuar edhe më tutje rreptësisht në kuadër të Rezolutës Këshillit të Sigurimit 1244. “Gjykata speciale” në Kosovë u shkojnë për shtat skemave të diplomacies serbo-ruse, meqenëse shërbejnë si hap drejt rikthimit te drejtësidhënia unmikase, edhe pasi të mbarojë misioni i EULEX-it, përderisa formohet një pushtet gjyqësor paralel, me një status të veçantë mbi pushtetet e tjera, që madje nuk i nënshtrohet as vetë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, brenda së cilës do t’u krijuaka një minigjykatë shemër kushtetuese. Me pak fjalë, këto janë hapa që brenda shtetshmërisë ekzistuese të Kosovës të ngrihet një shtetshmëri e dytë paralele.

10. Këmbëngulja e faktorëve ndërkombëtarë për krijimin e “gjykatave speciale” në Kosovë duhet t’i rrisin dyshimet shqiptare se prapa këtij projekti mund të fshihen skenarë për njëfarë revizionimi të vetë procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, për ta shtyrë kontrabandë pavarësinë, tashmë të njohur ndërkombëtarisht drejt ndonjë “statusi special”, siç kërkon Serbia. Në mjediset politike proserbe të Europës janë shpeshtuar zërat se “njohja e pavarësisë së Kosovës paska qenë e nxituar dhe e parakohshme”. Disa diplomaci europerëndimore, madje dhe ajo amerikane, po i shtojnë përkëdheli bajate Serbisë, me shpresën që ta mbajnë sa më larg planeve ekspansioniste ruse në Europë e në Ballkan. Në Europën perëndimore janë rritur edhe mëritë që SHBA në vitet 1999 dhe 2008 i tërhoqën gati me shtrëngim pas strategjisë së vet në vendimmarrjen për çlirimin e dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ka shumë shenja që tregojnë se erërat nuk janë të mira për lundrimet politike dhe diplomatike shqiptare.

11. Fatmirësisht projekti për “gjykatat speciale” është pritur me shqetësime dhe kundërshtime të bazuara nga disa forca politike e opozitare dhe nga një opinion i gjerë publik në Kosovë. Edhe pushtetarët, politikanët e juristët që e mbështesin, hiqen se po veprojnë kështu nga zori, në kuadër të përmbushjes së detyrave të tyre zyrtare për bashkëpunim me ndërkombëtarët në të mirë të Kosovës. Por nuk e heqin dot dyshimin se janë edhe ambiciet e forta për pushtet që e përcaktojnë këtë sjellje. Nuk e dimë nëse u kanë lindur ndonjëherë ndjesi shqetësuese qytetare e profesionale anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që është paraqitur deri tani para opinionit publik shqiptar si institucioni më i gatshëm të bëjë avokatinë e projektit të “Gjykatave speciale” në Kosovë. Për çudi, Gjykata Kushtuese e Kosovës edhe në raste të tjera problemesh me natyrë të mprehtë politiko-juridike ka lënë përshtypjen e institucionit më të dëgjueshëm ndaj ndërkombëtarëve. Kosova ka një përvojë mjaft të hidhur nga e kaluara me këshillat qetësuese që ia jepnin në çaste të marrjes së vendimeve delikate disa politikanë-juristë “elitarë”.

12. Rrezikshmërinë për shtetshmërinë e pavarur e sovrane të Kosovës nuk mund ta fshehë demagogjia e rëndomtë mbi gjoja bazueshmërinë juridike ndërkombëtare e kushtetuese të krijimit të “gjykatave speciale” në Kosovë. Këto gjykata nuk mund të bëhen të pranueshme as për dobinë e hamendësuar që do të sillkan në goditjen e disa veprave penale ose në ndëshkimin e disa individëve të akuzuar rëndë deri tani. Dobësitë e dështimet e forcave politike, shoqërore e juridike në Kosovë për të bërë drejtësi në shtëpinë e tyre, nuk do i shërojnë dot “gjykatat speciale” ndërkombëtare.

Maj, 2015 (Kolana “Kronikë Kohe“, 36)

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme