Politika 16 Tetor 2025, 13:46 Nga VNA

KLGJ zvarrit emërimin e magjistratëve të rinj, ndërsa stoku i çështjeve rritet

Ndaje në Whatsapp
KLGJ zvarrit emërimin e magjistratëve të rinj, ndërsa stoku

Në një situatë të përsëritur, Këshilli i Lartë Gjyqësor po mban peng prej gati 3 muajsh caktimin e 42 magjistratëve të rinj të diplomuar pranë Shkollës së Magjistraturës, pavarësisht mungesës së gjyqtarëve në sistem dhe stokut të çështjeve të prapambetura që sa vjen e rritet.

Edhe pse i emëroi magjistratët më 31 korrik, KLGJ nuk ka bërë ende të mundur shpërndarjen e tyre nëpër gjykata, ndërkohë që aktualisht ekzistojnë 99 vende vakante në sistemin gjyqësor.

“Është terr informativ,” i tha BIRN njëri prej magjistratëve të sapodiplomuar në kushtet e anonimatit. Një magjistrat i dytë pohoi gjithashtu, pa dashur që t’i publikohej emri, se ishte i shqetësuar për moscaktimin e tij në detyrë.

Magjistratët pretenduan se Këshilli i Lartë Gjyqësor po vepron në kundërshtim me ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, duke mos reflektuar mbi shkeljet e viteve të kaluara për të njëjtin problem.

Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…” përcakton si afat një mujor për Këshillat që të emërojnë në detyrë çdo person që është në listën e të diplomuarve dhe që përmbush kriteret për t’u emëruar.

Ndërkohë, neni 39 i të njëjtit ligj detyron KLGJ-në që të shpallë vendet e lira brenda muajit qershor të çdo viti, ndërkohë që magjistratët kanë dy javë kohë për të zgjedhur tri gjykata si preferenca të tyre. Në pikën 2 të këtij neni, parashikohet se, brenda muajit korrik të çdo viti, secili Këshill publikon vendimet e tij për caktimin e të emëruarve në pozicionet e lira për magjistratët.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i tha BIRN se i kishte emëruar magjistratët brenda afatit të parashikuar nga ligji, por caktimi i tyre nëpër gjykata do të duhet të presë procedurat e transferimit paralel dhe të ngritjes në detyre të gjyqtarëve aktualë.

“Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave, Këshilli mund të shpallë vendet e lira për të emëruarit. Aktualisht, Këshilli ka përmbyllur me sukses një sërë procedurash dhe është ende në proces të disa të tjerave, duke mos e konsideruar ende të përfunduar këtë proces,” deklaroi KLGJ.

Sipas Këshillit, menjëherë me krijimin e vendeve vakante, në mbështetje me përcaktimet ligjore, do të shpallen vendet e lira për të emëruarit. Po ashtu, KLGj bëri me dije se magjistratëve të diplomuar u ka njohur të drejtën e pagesës në vitet e mëparshme.

Versioni i KLGJ-së mbështet dhe nga grupimet vullnetare të gjyqtarëve.

Kryetari në detyrë i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, gjyqtari Engert Pëllumbi i tha BIRN se, nga informacionet që ka pasur nga KLGj lidhur me mosaktimin në detyrë të 42 magjistratëve të rinj, ka marë dijeni se procedura e caktimit të tyre është në përfundim dhe se pritet të realizohet brenda kësaj jave.

Sipas Pëllumbit, kjo situatë nuk është mungese vullneti, por vjen si rrjedhojë e burokracisë procedurale nga aktet ligjore dhe nënligjore, duke qenë se caktimi në pozicion i magjistratëve vjen i fundit në radhë, pas ngritjes në detyrë dhe lëvizjes paralele të gjyqtarëve që janë tashmë pjesë e sistemit.

“Pra, caktimi bëhet duke pasur në konsideratë vendet e lira që krijohen pas ngritjeve në detyrë dhe transferimeve paralele. Duhet mbajtur parasysh që jemi ende në një situatë anormale, kur duhen plotësuar gjykatat e Apelit dhe gjykata e kryeqytetit e ato të rretheve afër, dhe më pas, vendet që mbeten u ofrohen magjistratëve të rinj,” tha Pëllumbi.

Kryetari i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gerd Hoxha i tha BIRN se Unioni ka kohë që e ndjek me vëmendje këtë situatë dhe ka ndarë përditë shqetësimin me magjistratët e rinj dhe me anëtarët e KLGj-së. “Në dijeninë tonë, KLGj do procedojë sa më shpejt të jetë e mundur me emërimin përfundimtar të tyre, brenda këtij muaji, por kjo është e lidhur me lëvizjet paralele, të cilat për shkak të ligjit, kërkojnë kohën e tyre,” tha Hoxha.

Hoxha nënvizoi se del si kërkesë emergjente, ndryshimi i ligjit për statusin e magjistratëve, që sipas tij, parashikon rregulla ngadalësuese për lëvizjet paralele dhe ngritjet në detyrë të tyre.

Vakanca dhe stoqe

Procesi i vetingut nxorri jashtë sistemit më shumë se gjysmën e trupës së magjistratëve. Për rrjedhojë, në gjykata u krijuan vakanca të shumta që vijojnë të mbeten të paplotësuara prej vitesh.

Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion nga KLGj, struktura organizative për të gjitha gjykatat parashikon 417 gjyqtarë. Organika faktike aktuale rezulton të ketë 308 gjyqtarë të emëruar, nga të cilët janë efektivisht në detyrë 265.

Në situatë më dramatike shfaqet Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, që duhet të ketë në përbërje 78 gjyqtarë. Aktualisht në këtë gjykatë janë të emëruar 33 gjyqtarë, nga të cilët janë efektivisht në detyrë 31. Plotësimi i 45 vakancave që gjenden vetëm në këtë gjykatë përmes ngritjes në detyrë, do të mundësonte krijimin e vendeve të lira të mjaftueshme në gjykatat e Shkallës së Parë për caktimin e 42 magjistratëve të rinj.

Bazuar në të dhënat e KLGJ-së, në gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, pa përfshirë gjykatat e karrierës, rezultojnë aktualisht 21 vakanca.

Ndërkohë, të dhënat statistikore tregojnë gjithashtu një rritje të numrit të çështjeve të mbetura stok. Nga 137,101 çështje që kanë qenë në pritje më 1 janar 2024, numri i tyre u rrit në 141,262 çështje më 30 shtator 2025. Situata është më dramatike në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku numri i çështjeve që pritet të shqyrtohen i ka kaluar 45 mijë./BIRN/

 

 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme