
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dorëzuar një dokument në Gjykatën Kushtetuese, përmes të cilit i kërkon këtij institucioni të shfuqizojë vendimin e mëparshëm që pezulloi dekretin e tij për shpalljen e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës më 9 nëntor — në një kohë kur Erion Veliaj kishte vënë në lëvizje gjykatën, duke pretenduar se shkarkimi i tij ishte i paligjshëm.
Vetëm një ditë pasi Kushtetuesja vendosi të pezullojë dekretin e Begajt për pjesën që lidhej me zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë, presidenti deklaroi publikisht se do ta respektonte vendimin — “a thua se kishte zgjidhje tjetër”, pasi, siç dihet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqinë e ligjit.
Por ndryshe nga sa deklaroi publikisht, Begaj nuk e respektoi vendimin: ai i kërkon Kushtetueses të shkelë mbi vendimmarrjen e saj dhe të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, duke argumentuar se dekreti i tij është nxjerrë në përputhje me Kushtetutën.
“Parashtresat mbrojtëse të presidentit të Republikës duken se karakterizohen nga kryeneçësia në pozicionin e vet juridik. Sigurisht, nuk është mëkat t’i qëndrosh qëndrimit tënd, por ajo që bie në sy është se Presidenti i Republikës nuk ka këmbëngulur aq shumë për respektimin e Kushtetutës dhe të kompetencës së tij, sa për faktin që zgjedhjet në Tiranë të zhvillohen domosdoshmërisht më 9 nëntor. Duket qartë se ky është interesi i tij parësor dhe jo respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë situatë, Presidentin duhet ta kuptojë se për të ka ndryshuar diçka thelbësore: tashmë ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit, i cili thjesht duhet respektuar, e jo sfiduar. E udhës është që Presidenti i Republikës duhet t’i mëshojë mbrojtjes në themel të dekretit të tij, dhe jo nëse u pezullua për kohën që do zhvillohet gjykimi. Kjo është arsyeja që tregon se ai tashmë nuk është palë mbi palët, por një palë e pozicionuar qartë,” – shpjegoi një jurist për VNA.
Në parashtresat e tij, Bajram Begaj thekson se Gjykata Kushtetuese nuk mund të shqyrtojë kërkesën e Erion Veliajt, pasi, sipas tij, kryebashkiaku i arrestuar duhet t’i drejtohet Gjykatës Administrative për shkarkimin, dhe jo Kushtetueses, meqë akti në fjalë është administrativ. Në fakt kjo është një premisë jo e saktë. Gjykata Kushtetuese është e vetmja, si institucion, që kompetencën e cakton ajo vetë dhe se askush nuk mund t’ia kondicionojë — madje as Parlamenti me ligj. Presidenti i Republikës presupozohet se e di që ligjet e Kuvendit janë objekt shqyrtimi e madje shfuqizimi prej Gjykatës Kushtetuese. Pra, në këtë aspekt, Kuvendi është në aspektin hierarkik më poshtë se Gjykata Kushtetuese. Duhet ta dijë Presidenti se Gjykata Kushtetuese, kur gjykon një çështje, i referohet ekskluzivisht vetëm Kushtetutës dhe jo ligjeve (ligjet janë produkt i Parlamentit).
Argumenti tjetër se Gjykata Kushtetuese nuk ka respektuar jurisprudencën e saj, i përdorur nga Presidenti, është më së paku një lajthitje. Presidenti argumenton se vendimi i GJK-së i vitit 2017 me numër 24 mbështet linjën e Presidentit, pra që ka raste kur ankimi mund të bëhet në Gjykatën Administrative. VNA verifikoi këtë vendim. Bëhet fjalë për vendimin e shkarkimit të ish-kryetarit të Bashkisë Kavajë, Elvis Roshi, për efekt të ligjit të dekriminalizimit. Referenca është më shumë se e gabuar, sepse ky vendim i Gjykatës e ka bërë të qartë se në rastin e shkarkimit nga ligji i dekriminalizimit, vendimin e shkarkimit nuk e merr Këshilli i Ministrave, por e merr KQZ-ja:
“Gjykata vëren se në çështjen konkrete ndërprerja e parakohshme e mandatit të kërkuesit si kryetar i Bashkisë Kavajë nga KQZ-ja ka ardhur pas verifikimit të bërë nga PP-ja lidhur me deklarimet e bëra nga kërkuesi, në bazë dhe për zbatim të ligjit nr.138/2015. PP-ja ka verifikuar dhe konstatuar disa fakte, të cilat parashikohen në nenin 2/2 të ligjit nr.138/2015 si shkaqe për ndërprerjen e mandatit të zyrtarëve të zgjedhur ose të emëruar. Në këto kushte, KQZ-ja ka marrë vendim për përfundimin e parakohshëm të mandatit të kërkuesit. Pra, nuk është KM-ja që de facto dhe de jure i ka dhënë fund mandatit të organit të pushtetit vendor në rastin konkret, por është KQZ-ja dhe për rrjedhojë vetëm kundër vendimit të kësaj të fundit mund të fillojë procedura e ankimit gjyqësor nga kërkuesi në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Një mandat i shpallur i pavlefshëm ose që mbaron para afatit nuk ka nevojë për akte të tjera juridike konstatuese, aq më pak që rezultojnë në shkarkimin e një organi, mandati i të cilit ka përfunduar tashmë.”
Pra, në këtë rast nuk jemi në kushtet e nenit 115, i cili bën fjalë për shkarkimin prej Këshillit të Ministrave. Është mëse e qartë se arsyetimi në këtë rast nuk qëndron.
Këto linja arsyetimi të parashtresave të Presidentit duken qartë se e kanë nxjerrë atë nga aksi i neutralitetit dhe qëndrimi mbi palët, edhe pse në procesin gjyqësor ai është formalisht palë në gjyq. Kjo situatë nuk duhet ta shtyjë akoma më shumë, me kokëfortësi, në pozicione juridike dhe politike që e shfaqin të njëanshëm dhe jo si mbrojtës të kushtetutshmërisë.
Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 30 tetor për shqyrtimin e kërkesës së Veliajt, ku palët do të përballen në seancë.