Politika 15 Tetor 2025, 18:28 Nga VNA

Zyrtare/ Berati, Tepelena, Cërriku, Mati dhe Vlora mbajnë zgjedhje në 9 Nëntor. Tirana pa datë

Ndaje në Whatsapp
Zyrtare/ Berati, Tepelena, Cërriku, Mati dhe Vlora mbajnë zgjedhje

Zyrtare, Kolegji Zgjedhor sot ka vendosur mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 5 bashki. Kështu, Berati, Tepelena, Cërriku, Mati dhe Vlora mbajnë zgjedhje në 9 Nëntor. Bashkia e Tiranës është ende pa datë, deri në momentin që Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim pas ankimimit të Veliajt për shkarkimin e tij dhe për dekretin e Presidentit. 

Njoftimi:

VENDIM PËR MIRATIMIN E DISA AFATEVE PROCEDURIALE QË LIDHEN ME ZGJEDHJET E PJESSHME PËR KRYETAR PËR DISA NJËSI TË QEVERISJES VENDORE, QË DO TË ZHVILLOHEN MË DATË 9 NËNTOR 2025

Në mbështetje të Dekretit të Presidentit nr. 350, datë 1.10.2025, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë”, të nenit 20, pika 1, shkronja “a”, nenit 6, nenit 29, pika 6, nenit 36, pika 2, nenit 59, nenit 64, nenit 65, nenit 67, pika 1, nenit 70 dhe nenit 94, pika 1 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator

V E N D O S I:

1.Bashkitë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, si dhe institucionet e tyre të varësisë, janë të detyruara të raportojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 25.10.2025 deri më datë 9.11.2025.

Të njëjtin detyrim kanë edhe institucionet publike qendrore, organet e tyre të varësisë dhe degët e tyre vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, për veprimtari me karakter publik, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 25.10.2025 deri më 9.11.2025, në territorin e Bashkive Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, ose për to.

2.Autoriteti i Mediave Audiovizive monitoron OSHMA-të për veprimtaritë me karakter publik të institucioneve publike të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, nga data 25.10.2025, nga ora 08:00-00:00, ose sipas rastit, deri në përfundimin e programit.

3.Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për Kryetar bashkie në Bashkitë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, fillon më datë 1.11.2025.

4.Zyra e Gjendjes Civile në këto bashki, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 6.10.2025. Brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga përfundimi i përditësimit, kryetari në detyrë i njësisë së qeverisjes vendore miraton dhe shpall listat e zgjedhësve, në përputhje me nenin 48 të Kodit Zgjedhor.

5.Prefektët e Qarqeve paraqesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën e plotë të objekteve brenda territorit të Qarkut që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendin e Numërimit të Votave, jo më vonë se data 16.10.2025.

6.Kryetarët e Bashkive në detyrë të përcaktojnë vendet publike, në territorin e Bashkive Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, për afishimin nga subjektet zgjedhore të materialeve propagandistike, jo më vonë se data 16.10.2025.

7.Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë/sekretar në KZAZ-të e Bashkive Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, duhet të sjellin propozimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se data 16.10.2025. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton përbërjen e KZAZ-së, jo më vonë se data 17.10.2025.

8.Partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ-të përkatëse, jo më vonë së data 20.10.2025. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve, jo më vonë se data 25.10.2025.

9.Partitë politike, të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në GNV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ, jo më vonë së data 28.10.2025. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të GNV-ve, jo më vonë se data 30.10.2025.

10.Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ, për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, jo më vonë se data 16.10.2025. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.

11.Komitetet Nismëtare duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim në KQZ për bashkitë Vlorë dhe Berat, si dhe në KZAZ-në përkatëse për bashkitë Tepelenë, Cërrik dhe Mat, jo më vonë se data 16.10.2025. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga dorëzimi. Komitetet Nismëtare paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga kthimi për plotësim. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.

12.Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ, kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, jo më vonë se data 21.10.2025. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesën për regjistrimin si koalicion, brenda 24 (njëzet e katër) orëve.

13.Dokumentet e kandidimit paraqiten në KQZ për bashkitë Vlorë dhe Berat, si dhe në KZAZ për bashkitë Tepelenë, Cërrik dhe Mat, jo më vonë se data 24.10.2025. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja bën verifikimin e tyre, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga paraqitja, dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë. KQZ-ja ose sipas rastit KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga riparaqitja e tyre.

14.Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se data 25.10.2025 dhe për vëzhguesit e huaj bëhet jo më vonë se data 6.11.2025.

15.Paraqitja e kërkesave për akreditim nga ana e subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje bëhet në KZAZ jo më vonë se data 6.11.2025. Akreditimi i vëzhguesve bëhet jo më vonë se data 7.11.2025.

16.Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 3 (tre) ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit.

17.Ngarkohen administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera të përmendura në këtë vendim, për zbatimin e tij.

18.Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

19.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor, pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e tij.

Ilirjana NANO Kryetar

Arens ÇELA Anëtar

Dritan ÇAKA Anëtar

Helga VUKAJ Anëtar

Muharrem ÇAKAJ Anëtar 

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme